Rrezik i vogël nga gripi i shpezëve në Kosovë

Ilustrim

Virusi i gripit të shpezëve është paraqitur në Holandë, Gjermani dhe Britani të Madhe. Kjo sëmundje është ngjitëse, e shkaktuar nga virusi i tipit A (H5N1).Gripi i shpezëve dallon nga gripi i zakonshëm vetëm për nga intensiteti më i madh i simptomave.

Por, Lamir Thaçi, zëdhënës në Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit thekson se rreziku ndaj përhapjes së kësaj sëmundjeje në Kosovë, konsiderohet të jetë i vogël.

"Të gjitha rastet e gripit të shpezëve në Evropë publikohen përmes një sistemi , dhe këto informata ne i marrim menjëherë në mënyra zyrtare".

"Mishi apo produktet që vijnë nga këto zona që paraqitet sëmundja, nuk lejohen për import në vendin tonë , por as autoritetet nga këto vende eksportuese nuk lëshojnë certifikata shëndetësore për eksport. Andaj rreziku nga produktet është zero".

"Ndërsa sa i përket shpezëve të gjalla,ne si shtet nuk bëjmë import prej vendeve ku është paraqitur sëmundja, dhe rreziku konsiderohet i vogël", ka shtuar Thaçi.

Ndërkaq profesionistët shëndetësorë kanë bërë të ditur se në Kosovë ekzistojnë strukturat e diagnostikimit në laboratorin e mikrobiologjisë, dhe janë të gatshëm dhe të përgatitur për diagnostikë dhe parandalim.

"Duke e pasur parasysh se gripi i shpezëve po paraqitet herë në shtetet e larta aziatike e herë në disa vende të Evropës, edhe ditëve të fundit është regjistruar një variant i gripit të shpendëve. Ne gjithashtu kemi pasur një përvojë të jashtëzakonshme gjatë pandemisë së gripit të derrit në vitin 2009 , mund të them se Kosova duke pasur parasysh strukturat e diagnostikimit në laboratorin e mikrobiologjisë jemi të përgatitur dhe për diagnostikë edhe për parandalim", ka shtuar Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Ai poashtu ka thënë se profesionistët shëndetësor do të dalin në teren për vetëdijësim të popullatës për rreziqet e gripit të shpenzëve.

"Ne do të ripërsërisim dhe do të riaktivizojmë gjithë profesionistët që merren me parandalimin e sëmundjes në teren, duke vetëdijesuar popullatën për rreziqet e mundshme të gripit që është aktual, dhe ne me masa parandaluese do të arrijmë që ta kemi një valë sa më të dobët goditëse të sëmundjes eventuale që mund të paraqitet".

Skender Syla, udhëheqës i Organziatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se tash për tash për Kosovën nuk paraqet rrezik gripi i shpezëve, por megjithatë ai përmend kapacitetet që ka Kosova për trajtim të rasteve eventuale.

"Organizata Botërore e Shëndetësisë, për çdo sëmundje tjetër poashtu edhe për rastet e gripit të shpezëve që janë shfaqur në Holandë dhe Gjermani , është në mbikëqyrje të plotë dhe informon shtetet për masat që duhet ndërrmarrë .

Ne tash nuk shohim ndonjë rrezik, por megjithatë institucionet kompetente të cilat merren me shpezëtari , duhet të monitorojnë edhe fermat të cilat janë për shpezë, në mënyrë që institucionet të marrin masa të duhura në qoftë se shfaqen rastet".

"Në rast të shfaqjes së sëmundjes, gjithsesi janë udhërrëfyesit edhe ndërkombëtar edhe në rajonin evropian dhe te autoritetet gjegjëse që duhet të ndërmarrin masat standarde,për të cilat Kosova mendoj se ka kapacitet, meqë është një territor i vogël dhe mund ta ketë situatën nën mbikëqyrje të plotë brenda një periudhe të shkurtë kohore", ka shtuar Syla.

Gripi i shpezëve është sëmundje virale qe prekë organet e frymëmarrjes si dhe sistemin nervor te disa lloje shpendësh. Forma virale karakterizohet nga një kohëzgjatje e shkurtër e sëmundjes.