Ndërlidhjet

Përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve


Rezistenca ndaj antibiotikëve konsiderohet si sfida kryesore globale e shëndetësisë në shekullin XXI. Kosova, me përdorimin e antibiotikëve të përgjithshëm, renditet në vendin e dhjetë në Evropë, derisa me injeksione të cef-reaksionit (grup i antibiotikësh), e ka vendin e parë në Evropë.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:51 0:00
Shkarkoje

E në barnatoret e Kosovës, antibiotiku vazhdon të shitet pa recetën e mjekut. Edhe pse Kosova e ka një ligj që e ndalon shitjen e ilaçeve pa recetë, ligji vazhdon të mos respektohet.

Mikrobiologu Lul Raka, njëherazi koordinator i bashkëpunimit me Qendrën Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, ka thënë se në Kosovë përdoret shumë antibiotiku.

Ai ka bërë edhe një krahasimin mes Kosovës me vendet e Bashkimit Evropian, sa i përket përdorimit të antibiotikëve, ku sipas një hulumtimi mes spitaleve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Kosovës, rezultatet kanë dalë se në spitalet pediatrike ku trajtohen fëmijët e moshës nën 18 vjet, 36 për qind e fëmijëve marrin antibiotikë në vendet e BE-së, derisa në Kosovë kjo përqindje arrin në 67 për qind.

Ndërkaq udhëheqësi i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skender Syla i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sa i përket shpërdorimit të antibiotikëve është një problem mjaft i rëndë i shëndetit publik global, e dhe në Kosovë shpërdorimi i antibiotikëve ndodh në baza ditore dhe në të gjitha nivelet.

"Qytetarëve kur shkojnë në farmaci mund të blejnë antibiotikë pa përshkrimin e mjekut, por ndodh që edhe mjeku të shkruajë antibiotik pa indikacione të mirëfillta mjekësoredhe e gjithë kjo shkakton që në kuadër të komunitetit të ketë rezistencë ndaj antibiotikëve. Nëse një trend i tillë vazhdon edhe në të ardhmen kjo do ta vë në rrezik shëndetin e qytetarëve, sepse nuk do të kemi në dispozicion antibiotikë që do të mund të luftonin sëmundje të ndryshme,që mund të shkaktohen nga bakteret", ka shtuar Syla.

Edhe vetë farmacistët në vend, thonë se shitja e antibiotikëve pa recetën e mjekut po vazhdon. Shkumbin Jusufi farmacist, ka thënë se nuk ka ndonjë kontroll të veçantë për këtë dukuri.

"Antibiotikët pa recetë vazhdojnë të shiten nëpër barnatore. Rekomandimet e fundit nga inspektorati farmaceutik e kemi që ti ruajmë recetat për antibiotikë dhe narkotikë e psikotrop".

"Por nuk ka ndonjë kontroll të veçantë për atë se sa shiten antibiotikët pa recetë. Unë e di dhe jam shumë i sigurt që në çdo barnatore antibiotiku shitet pa recetë. Ka kërkesë të qytetarëve që kërkojnë të blëjnë antibiotik pa recetë", ka theksuar ai.

Për këtë çështje flasin edhe vetë qytetarët. Arlinda Shala, 30 vjeçare, tregon përvojën personale të blerjes së barnave pa recetë.

"Kam pasur rastin kur kom ble antibiotik pa recetë të mjekut. Edhe pse unë zakonisht antibiotikun e marr me përshkrim të mjekut. Por edhe nëse e kam harru recetën në shtëpi, pa problem e kam marrë antibiotikun në barnatore.Kam pasur edhe rast të tillë".

Derisa, Arianit Jakupi, ushtrues detyre i kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, ka bërë të ditur se futja në fuqi e Ligjit për sigurime shëndetësore dhe rimbursimit të barnave, do ta bëjë obligativ respektimin e shitjes së barnave me recetë, sepse pacientët nuk mund t’i blejnë barnat pa e pasur sistemin e referimit komplet dhe recetën e barnave.

Ndryshe sipas zyrtarëve të lartë shëndetësor, viti 2015 do të jetë vit kur qytetarët e Kosovës do ta kenë kartelën e sigurimeve shëndetësore. Edhe pse Ligji për sigurimet shëndetësore është miratuar në vitin 2007, ai asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi. Më vonë, ky ligj ishte tërhequr për shkak të implikimeve buxhetore, me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Por, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë , me këtë projektligj parashihet që shëndetësia kosovare të financohet me 90 milionë euro më shumë në vitin 2015.

Por në anën tjetër Skender Syla, gjithashtu ka shtuar se përdorimi i antibiotikëve përpos në shëndetin human , po përdoret në masë të madhe vitet e fundit edhe në shëndetin e kafshëve ,për shkak të rritjes së masës së prodhimit qoftë tek shpezët apo shëndetin e kafshëve.

"Mbikëqyrja edhe në këtë sektor, bën të mundur të parandalojë rezistenca që mund të shfaqen. Andaj rekomandimet e OBSH -së janë,që të ketë një ndërlidhje në mes të sektorëve human dhe të kafshëve që përdorimi i antibiotikëve të jetë i kontrolluar dhe në bazë të përmasave të parapara ndërkombëtare. Çfarëdo keqpërdorimi i tyre,mund të shkaktojë rezistencë që në të ardhmen do të jetë vështirë për t'u kontrolluar dhe përballuar", ka thënë Syla.

Sidoqoftë Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, antibiotikët për 60 vjet me radhë kanë qenë parandaluesit kryesorë të sëmundjeve të ndryshme.

Megjithatë, shumë antibiotikë tashmë kanë humbur efikasitetin dhe ka lindur nevoja e kërkimeve të reja alternative për zëvendësimin e tyre.

XS
SM
MD
LG