Vox: Universiteti i Prishtinës pa ngrohje

Fotografi ilustruese

Studentët e fakulteteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, shprehin shqetësimet e tyre për mungesën e ngrohjes. Ata në rubrikën e përjavshme “Vox”, tregojnë se si pasojë e mungesës së ngrohjes në salla ku mbahen ligjërata shpesh herë numri i studenteve është i vogël.

Your browser doesn’t support HTML5

Vox me studentë

Drilon Asllani, student në Fakultetin Juridik thotë se tash për tash nuk janë temperaturat shumë të ulëta por mungesa e ngrohjes vërehet.

Ai thotë se autoritet kompetente deri më tash nuk e kanë parë si problem ketë çështje.

“Që kur kanë filluar ligjëratat nga tetori i këtij viti ne kemi probleme me ngrohje në sallat e fakultetit. Ne studentet jemi ata të cilët më së shumti prekemi nga kjo. Veç mungesës se ngrohjeve ka edhe dritare që nuk janë të rregulluara siç duhet. Ka raste që jemi në salla duke pritur për ligjërata, por profesorët mungojneë”, tha Asllanaj.

Para pak ditësh në Fakultetin Filologjik, kanë nisur të bëhen disa renovime dhe është bërë edhe ndërrimi i dritareve të vjetra.

Studentet, por edhe vet profesorët janë ankuar duke thënë se këto punësështë dashur të bëhen në kohën e pushimeve dhe jo tani kur koha është ftohur dhe kanë filluar ligjëratat.

Ngrohja mungon edhe në Fakultetin Ekonomik.

Drin Kastrati student i këtij fakulteti, i cili kishte të veshur një pallto dimri theksoi se nuk ka ngrohje në fakultet, por për shkak të numrit të madh të studenteve nuk po vërehet i ftohti.

“Për momentin nuk ka problem se është numri i madh i studentëve. Do të thotë se ka numër të madh të studentëve dhe nuk po vërehet i i ftohti. Deri me tash nuk na ka thënë askush se a do të kemi apo jo ngrohje”, tha Kastrati.

Edhe Valona Krasniqi, studente e Fakultetit Ekonomik, tha për Radion Evropa e Lirë se mungesa e ngrohje në fakultet, është pengesë për mësim.

“Mungesa e ngrohjes në fakultete është shumë delikate për student. Ne, në fakultete nuk shkojmë për t'u ftohur por për të mësuar. Nëse nuk ka ngrohje kemi për tu sëmurë e jo të mësojmë diçka”, tha Krasniqi.

Nëse ka mungesë të ngrohjes në fakultet nuk mund të ketë mbarëvajtje të procesit mësimor, thotë Arbesa Sula e cila studion për infermieri.

“Normal që është shqetësuese se edhe humb koncentrimi nëse është shumë ftohët. Edhe humbin ligjëratat se edhe profesorët në një ambient te tillë nuk mund të rrinë dhe nuk kanë vullnet për ligjërata”, tha Sula.

Egzon Dragusha i cili studion në drejtimin menaxhment-informatikë në Fakultetin Ekonomik thotë se në rast të mungese se ngrohjes në salla, mbajtja e ligjëratave do të jetë problem.

“Një herë për një herë nuk është shumë ftohët, ama në të ardhmen nëse prishet koha, shumë normal që do të këtë probleme. Kjo do të jetë pengesë për t'u përqendruar në ligjërata”, tha Dragusha.

Edhe Grevista Syla e cila studion në fakultetin e Edukimit mendon ngjashëm.

Sidoqoftë, reduktimet e ashpra me energji elektrike të cilat janë paralajmëruar se do të jenë gjatë muajve të dimrit, thuhet se mund të shkaktojnë telashe për ngrohtoren e qytetit.