Trafikimi dhe migrimi i paligjshëm sfidojnë sigurinë kufitare

Pikë kufitare në Kosovë...

Republika e Kosovës ka rritur kapacitetet për t'u përballur me sfidat për sigurinë dhe për t’u përballur me rreziqet që sjell krimi i organizuar.

Kështu deklaruan të martën përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës në konferencën e parë rajonale “Siguria Kufitare” që është e organizuar nga Dogana dhe Policia e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Hashim Thaçi tha se fenomenet, siç është krimi i organizuar, po ngadalësojnë në rrugëtimin drejt familjes evropiane.

“Qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm në familjen evropiane, sepse liria e lëvizjes rrit sigurinë tonë, rrit mirëkuptimin midis popujve tanë, largon paragjykimet, dhe fuqizon si një. Falë bashkëpunimit rajonal, e ardhmja jonë Evropiane ka filluar të formësohet. Siguria jonë nuk vjen përmes bunkerizimit të kufijve tonë, por përmes fuqizimit të besimit midis popujve dhe shteteve tona”, tha Thaçi.

Kryeministri në detyrë Hashim Thaçi, tha se bashkëpunimi midis vendeve të rajonit si partner të barabartë, në aspektin e kufijve është në nivelin më të lartë, kjo sipas tij është arritur falë angazhimit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kurse, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, tha se krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk njohin kufij, për ketë arsye duhet të punohet së bashku për të parandaluar dukuritë e tilla.

“Trafikimi dhe migrimi ilegal është problem i madh në Ballkanin Perëndimor dhe ai është i lidhure me krimin e organizuar. Ne dite e fundit kemi qenë të shqetësuar me trafikimet nga jashtë dhe dua t’i veçoj hapat pozitiv të cilët i ka marr Kosova kundër këtyre dukurive...”, tha ambasadorja Jacobson.

Ajo i ka ftuar përfaqësuesit e shteteve të rajonit nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, që po marrin pjesë në ketë konference të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe të bashkëpunojnë sa më shumë në mënyrë që siç tha ajo puna e tyre në të ardhmen të jetë edhe më e suksesshme.

Jacobson tha po ashtu se ambasadat amerikane në ketë rajon do të vazhdojnë të bashkëpunojnë shumë afër me të gjithë në përmirësimin dhe reformimet e nevojshme sa i takon çështjes së sigurisë.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi tha se bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar në çështjet e sigurisë ka qenë dhe mbetet prioritet për Kosovën edhe përkundër faktit të kufizimeve që vendi ka në skenën ndërkombëtare.

Rexhepi tha se Republika e Kosovës ka hartuar kornizën ligjore dhe strategjike në fushën e menaxhimit dhe kontrollit të kufirit duke respektuar konceptet e menaxhimit të integruar të kufijve në përputhje me standardet evropiane.

“Kosova është vendi i vetëm në rajon që bashkëpunimit në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit e ka të rregulluar me ligj të veçantë”, tha Rexhepi.

Kosova deri më tash ka nënshkruar dhe ratifikuar 22 marrëveshje bilaterale me vendet e rajonit në fushën e sigurisë kufitare dhe 11 marrëveshje të tjera ndërkombëtare në fushën e bashkëpunimit doganor.