Si të bëhesh "grua e mirë" për Shtetin Islamik?

Një grup mediatik i Shtetit Islamik (IS) - Zora Foundation, është duke vënë në shënjestër gratë të cilat duan të marrin pjesë në "xhihad" në Siri dhe Irak, me kurse se si të bëhen shoqëruese dhe gra të mira për militantët e IS-it.

Zora thotë se e ka për qëllim t'i përgatis gratë që rekrutohen nga Shteti Islamik për xhihad, në mënyra të ndryshme.

Në mes të "shkathtësive të dobishme" që mësohen nga grupi, përfshihen edhe disa aftësi praktike, si ndihma e parë (për të ndihmuar militantët e plagosur gjatë betejave), të mësohen disa programe dizajnimi dhe programimi (për të ndihmuar me shpërndarjen e propagandës së IS-it), si të përdoren armët, dhe si të gatuhet dhe të qepet për militantët.

"Zora Foundation", në rrjetin social Twitter tashmë ka më shume se 2,700 ndjekës, ndërsa në faqen e saj në Facebook -- e cila u hap më 22 tetor -- ka fituar rreth 300 "pëlqime".

Fondacioni ka publikuar disa materiale, ku përfshihen, ato që thuhet të jenë "receta të shpejta dhe të lehta". Në fotografi paraqiten udhëzime se si të bëhen ushqime të thjeshta, duke përdorur vetëm tre përbërës: hurma, miell dhe gjalpë.

"Kjo është një recetë e shpejtë që mund t'i shërbehet muxhahedinëve [militantëve të IS-it] me kafe, ose mund të hahet në çfarëdo kohe me ujë, sidomos gjatë pauzave nga betejat. Ato përmbajnë kalori të mjaftueshme, që do t'i shtojnë fuqinë muxhahedinëve, dhashtë Allahu", shpjegon udhëzuesi.

Receta nga Zora Foundation

Edhe në kanalin e vetë në YouTube, "Zora Foundation" ka publikuar një video ku reklamohen shkathtësitë që ky fondacion planifikon t'ua mësojë grave.

Një numër i madh i raportimeve kanë folur për gratë e Shtetit Islamik, sidomos në qytetin Raqqa të Sirisë.

Gjithashtu, shumë nga luftëtarët e huaj që iu bashkuan Shtetit Islamik, morën me vete gratë dhe fëmijët e tyre. Sipas web faqeve opozitare, ekzistojnë dy grupe vetëm të grave, brigadat Al-Khansaa dhe Umm Al-Rayan. Këto brigada patrollojnë rrugët e qytetit dhe sigurohen që aktivistët e gjinisë mashkullore nuk maskohen si gra për t'i kaluar pikat e kontrollit.

Militantët rusisht-folës të IS-it dhe rrjetet sociale pro-IS kanë bërë shaka se si militantët janë duke pasur nevojë për gra, dhe kanë sugjeruar se burrave të Shtetit Islamik mbase ju duhet më shumë se një grua.

Kjo fotografi, e postuar nga këto rrjete pro-IS, ilustron këtë çështje. E titulluar "statusi familjar", aty shkruan (nga e majta në të djathtën): "I pamartuar; Disi i martuar; I martuar".

Në mesin e militantëve rusisht-folës në Siri dhe Kaukazin Verior është zhvilluar një debat i nxehtë se nëse gratë duhet të emigrojnë -- "hijra" -- në Siri, edhe pa lejen e prindërve.

Disa komentues kanë insistuar që gratë myslimane rusisht-folëse nuk duhet të shkojnë në Siri, për shkak të luftimeve në vend.

Ky debat filloi vitin e kaluar, kur Seda Dudurkaeva, vajza 20 vjeçare e drejtorit të Shërbimit Federal të Migracionit të Çeçenisë, iku në Siri për t'u martuar me një djalë të ri çeçen, i cili ju kishte bashkuar Shtetit Islamik disa muaj më parë.

Pas këtij skandali, komandanti i militantëve të Shtetit Islamik në veri të Sirisë, Umar Shishani, ishte kritikuar nga ligjëruesi sunit Sheikh al-Suhaibani në Medinë, që kishte refuzuar të lejonte prindërit e Sedas ta kthenin vajzën në shtëpi.

Përgatiti: Gresa Kraja