Ndërlidhjet

Fëmijët ushtarë të Shtetit Islamik


Fotografi e fëmijëve në qytetin Al-Bab, provincë e Aleppos, të cilët po bënin betimin për besnikëri ndaj Shtetit Islamik.
Fotografi e fëmijëve në qytetin Al-Bab, provincë e Aleppos, të cilët po bënin betimin për besnikëri ndaj Shtetit Islamik.

Këtë javë, Shteti Islamik në rrjetet e tij sociale, qarkulloi një fotografi të një djali, me siguri rreth 12 ose 13 vjeçar.

I mbuluar me një kapele të zeze, ku shkruhej "la ilaha illallah" (nuk ka zot tjetër përveç Allahut) -- ashtu siç është e shkruar në flamurin e zi të IS-it -- fëmija, Abu Usama al-Salafi, ngre gishtin tregues në këtë fotografi.

Pjesëmarrja në Shtetin Islamik nuk është lojë e Abu Usamas. Ai është një nga fëmijët luftëtarë të grupit ekstremist. Rrjeti social i IS-it e rangoi djaloshin si luftëtari më i ri që ruan linjën e parë të qytetit sirian Kobani, të cilin Shteti Islamik e ka rrethuar.

Gjatë javës së shkuar, shumë raporte kanë dalë me të dhëna se ekstremistët e Shtetit Islamik janë duke siguruar trajnime ushtarake për nxënësit në Siri dhe Irak.

Raporte tjera thonë se grupet ekstremiste janë po ashtu duke përdorur fëmijë jo më të vjetër se 13 vjeç, si luftëtarë.

Në Mosulin e Irakut, i cili është marrë nga ushtarë të armatosur të Shtetit Islamik në qershor, orët e edukatës fizike janë shndërruar në orë të "arteve ushtarake".

Një mësues i tha agjencisë së lajmeve Bloomberg, se militantët e Shtetit Islamik kanë shpjeguar se "atyre iu duhen nxënësit e Mosulit që të bëhen ushtarët e ardhshëm të kalifatit".

Një tjetër banor i Mosulit, i quajtur Abu Rawan, tha se nipi i tij 13 vjeçar është rekrutuar nga militantët e IS-it, dhe atë e kanë pajisur me armë.

Gjithashtu këtë javë, një aktivist i një grupi në Raqqa të Sirisë, që pa dyshim është bërë kryeqendra e Shtetit Islamik, postoi dëshmi që militantët e IS-it kanë një kamp për trajnimin e fëmijëve nën moshën 16 vjeçare.

Postimet e dëshmive:

Në shtator, një fotografi e një kampi veror të trajnimit të Shtetit Islamik në Raqqa, qarkulloi në masë të madhe nëpër rrjetet sociale. Fotografia tregonte një djalë shumë të ri -- si Abu Usama -- të mbuluar me kapelë të zezë.

Në njërën dorën, ai mbante një kukull bionde të veshur më një fustan ngjyrë portokalli të ndezur. Në tjetrën dorë, ai mbante një thikë.

Sipas "Syria Deeply", në kampin veror të IS-it në Raqqa, militantët i mësojnë fëmijët si t'ia heqin kokat "kukullave bionde me sy të kaltër".

"Fëmijët në Raqqa rekrutohen me dhunë në kampet e IS-it, derisa disa djem më të mëdhenj transferohen në kampe të të rriturve që të mësojnë si t'i përdorin armët dhe të luftojnë", tha raporti në këtë medium.

Në qershor, grupi i të drejtave Human Rights Watch (HRW) raportoi se disa grupe të armatosura në Siri, përfshi IS-in, janë duke përdorur fëmijët si ushtarë, madje edhe po i inkurajojnë ata të bëhen vetëvrasës me bomba.

HRW citoi një djalë adoleshent, të quajtur Amr, i cili kishte thënë se ka luftuar përkrah IS-it kur ishte 15 vjeç, dhe se lideri i tij kishte provuar ta bënte vetëvrasës me bombë.

Shteti Islamik nuk ka provuar të mohojë faktin se i përdor fëmijët si luftëtarë. Në fakt, përmes rrjeteve sociale, grupi e ka pranuar këtë gjë, duke postuar fotografi të fëmijëve luftëtarë, sikurse Abu Usama.

Më herët këtë vit, rrjetet sociale të IS-it postuan këtë fotografi të fëmijëve në qytetin Al-Bab, provincë e Aleppos, të cilët po bënin betimin për besnikëri ndaj Shtetit Islamik.



Në mesin e vetë militantëve të IS-it, sidomos atyre nga Kaukazi Verior dhe disa nga shtetet e Azizë Qendrore, që jetojnë në Siri me familjet e tyre, ka hyrë "në modë" që t'i veshin fëmijët si militantë dhe t'i fotografojnë ata duke mbajtur -- ndonjëherë edhe duke përdorur armë.

Kjo fotografi që është bërë nga një militant i IS-it çeçen, tregon të bijën e tij Hadija, duke mbajtur një pushkë.

Edhe një militant i IS-it nga Çeçenia, ka postuar një fotografi të djalit të tij të vogël, i cili është i armatosur.

Militantët uzbekë të Shtetit Islamik gjithashtu kanë bërë video ku tregojnë fëmijë nën moshën 10 vjeçar, të cilët i mësojnë të gjuajnë me armë, si një mënyrë për të shprehur mbështetjen për liderin e Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi.

Përgatiti: Gresa Kraja

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG