Prokuroria për krime lufte e Serbisë dhe Prokuroria e Misionit evropian për sundimin e ligjit - EULEX, po i verifikojnë informatat për ekzistencën e një varreze masive, e cila dyshohet të jetë e në fshatin Piskotë në afërsi të Gjakovës.
Zëdhënësja e misionit EULEX, Dragana Nikoliq Solomon, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk mund të komentojë hetimet që po bëhen për varrezën masive të dyshuar në Piskotë.
“Ne nuk mund të komentojmë, përderisa hetimet janë duke vazhduar”, ka thënë Solomon.
Por, drejtori I Departamentit të mjekësisë ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, duke folur për Radion Evropa e Lirë, konfirmon se stafi i këtij departamenti, së bashku me ekspertët e EULEX-it, ka dalë në terren për të hulumtuar dhe verifikuar informacionet për varrezën e dyshuar masive në Piskotë.
“Po, sot në mëngjes e kanë kërkuar ndihmën teknike nga ana jonë. Ekipi i EULEX-it është në terren me stafin përcjellës të departamentit tonë, i cili është kërkuar si ndihmë në ditën e sotme. Ata që në mëngjes janë nisur për në terren. Flitet për një vend, i quajtur Piskotë, në afërsi të Gjakovës”, thotë Gërxhaliu.
Gërxhaliu, i cili deri vonë ka qenë edhe anëtarë i Komisionit qeveritar për të pagjeturit, thotë se deri më tash nuk ka pasur ndonjë informatë lidhur me dyshimet për varrezën e supozuar në Piskotë.
“Jo, lokacioni i saktë nuk është përmendur. Do të thotë nuk kam dëgjuar kurrë për lokacionin e saktë. Janë përmendur një apo dy vende, për të cilat është dyshuar. Por, me siguri që tash ka ardhur me detaje të reja pala serbe, të cilat ia ka prezantuar EULEX-it dhe ky ndoshta ka qenë edhe arsyetimi për të dalë në terren”, shprehet ai.
Prokuroria për krime lufte e Serbisë, përmes një komunikate ka njoftuar se në bashkëpunim me Njësinë për hetimin e krimeve të luftës të EULEX-it, ka ardhur deri te informatat për lokacionin potencial të varrezës masive, në të cilën, siç thuhet, janë varrosur mbetjet mortore të civilëve serbë, në fshatin Piskotë, në territorin e Gjakovës, të cilët kanë pësuar gjatë kohës së luftës në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999.
Gjithashtu, në komunikatën e Prokurorisë për krime luftë të Serbisë, thuhet se kjo prokurori posedon informata se mbetjet mortore eventuale në këtë lokacion, mund të jenë të viktimave, siç thuhet, të krimeve të UÇK-së, në kampin e Likovcit.
Milorad Trifunoviq nga Shoqata e të zhdukurve serbë në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se shoqatës është njoftuar se kanë nisur hetimet në Piskotë dhe se faktorët kompetent kanë shkuar në vendin e dyshuar.
Ai e ka vlerësuar pozitivisht faktin se kanë nisur punimet...
“Unë jam i kënaqur që është filluar të gërmohet në Kosovë. Tash e tre vjet asnjë lokacion nuk është zbuluar dhe në asnjë lokacion nuk është punuar. Dhashtë Zoti që të ndriçohen fatet e të gjithë 1 mijë e 700 të zhdukurve dhe ne po luftojmë për këtë. Do t’na vjen mirë, në qoftë se mund të thuet kështu, që ta kuptojmë të vërtetën për diçka që është më e dhimbshmja – edhe kjo është diçka”, tha Trifunoviq.
Në anën tjetër, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, i cili në vazhdimësi ka përcjellë procesin e hetimeve, hulumtimeve dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore në varrezat masive të gjetura deri më tash, thotë se nuk ka pasur informacione për ndonjë varrezë masive eventuale në Piskotë të Gjakovës.
Behxhet Shala, udhëheqës i këtij këshilli, thotë për Radion Evropa e Lirë se e përkrahë çdo hetim dhe përpjekje për gjetjen e personave të pagjetur.
Por megjithatë, përderisa në Serbi, me 9 tetor, pritet të fillojnë gërmimet në varrezën masive në Batajnicë, sipas Shalës, është e dukshme që Prokuroria për krime lufte e Serbisë, siç thotë ai, po përpiqet ta bartë këtë vëmendje është në Kosovë.
“KMDLNJ e përkrahë zhvarrimin, hetimet dhe e përkrahë çdo përpjekje për t’i nxjerrë para gjykatës ata që janë përgjegjës, në qoftë se ka prova dhe në qoftë se sigurohen dëshmitë e mjaftueshme. Mirëpo, tash janë më tepër në fazën e spekulimit, në fazën e përpjekjes për ta zhvendosur vëmendjen nga Serbia në Kosovë dhe është një përpjekje që të bëhet një presion mbi Gjykatën speciale ende pa u formuar. Por, mendoj që, përderisa nuk ka ende asgjë konkrete, atëherë ende është në fazën e spekulimeve”, tha Shala.
Ndryshe, ditë më parë , Prokuroria për krime lufte e Serbisë, pati dhënë urdhëresën për hetimin dhe gërmimin në Batajnicë, afër varrezës masive ku ishin gjetur 900 trupa të shqiptarëve të Kosovës, të vrarë gjatë luftës.
Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarët e kësaj prokurorie, lidhur me dyshimet e mundshme edhe për lokacione të tjera të dyshuara për varreza masive në Rudnicë të Rashkës dhe në Novi Pazar, patën deklaruar se janë duke i verifikuar informacionet, të cilat në rast se rezultojnë të vërteta, do të bëhen publike.