Kurban Bajrami, festë solidariteti

Xhamia e madhe në Prishtinë

Besimtarët myslimanë në Kosovë po festojnë Kurban Bajramin. Ceremonia kryesore e faljes së Kurban Bajramit është bërë në Xhaminë e Madhe të Prishtinës “Sulltan Mehmed Fatih”, ku kanë marrë pjesë shumë besimtarë.

Drejtuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës, u janë drejtuar qytetarëve me mesazhe urimi duke u lutur për mbarësi dhe begati.

Me rastin e kësaj feste, Resul Rexhepi nga Bashkësia Islame e Kosovës, ka ftuar të gjithë qytetarët që të jenë më humanë e solidarë dhe siç është shprehur ai, në gjithë botën të mbretërojë paqja mirësia.

“Porosia më e madhe e Kurban Bajramit, qëndron fuqishëm mbi parimin e dashurisë, bujarisë, solidariteti, barazisë, flijimit dhe sakrificës”, ka thënë hoxhë Resul Rexhepi, i cili është sekretar i BIK-ut.

Rexhepi ka theksuar se të gjithë njerëzi e vullnetit të mirë, duhet ë bashkohen për ndërtimin e një shoqërie pa dallime, solidaritet e mirëkuptim për tolerancë e mbështetje ndaj njëri- tjetrit.

Ai ka ftuar për paqe edhe në vendet ku ka konflikte dhe luftë.

Në shumë vende të botës kemi vatra të luftërave e konflikteve, ku pësojnë të pambrojturit, gratë e fëmijët; ku kemi dhunë vuajtje, shkatërrime dhe vrasje. Në këtë ditë të madhe lusim bashkërisht të madhin Zot që t’i bëjë ata popuj e ato vende që sa më parë të heqin dorë nga konfliktet dhe shkatërrimet, e t’i kthehen paqes dhe jetës normale”, ka theksuar Rexhepi.

Festa e Kurban Bajramit karakterizohet me shkuarjen në haxh dhe therjen e kurbanit.

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, besimtarët myslimanë i kanë uruar edhe përfaqësues të institucioneve dhe partive politike.

Në mesazhin e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, thuhet se “kjo festë e Kurban Bajramit, e reflektimit të marrëdhënieve të secilit individ me Zotin, le të shërbejë si një mundësi që gjithashtu të reflektojmë për punën dhe angazhimet tona, për obligimet që kemi ndaj njëri-tjetrit, familjes, miqve dhe shoqërisë dhe për ndihmën që japim për secilin njeri”.

“Në këtë ditë të besimit në Zotin, ditë të mirëkuptimit, të nderimit dhe respektit për njëri-tjetrin, të vazhdojmë kultivimin e traditave tona të bazuara në parimet e shoqërisë sonë, të respektimit e kujdesit për njëri-tjetrin, të shtrirjes së dorës së mirësisë dhe mbi të gjitha të kultivimit të harmonisë e tejkalimit të dallimeve në shoqërinë tonë, të ndërtuar mbi vlerat e diversitetit etnik, kulturor e fetar”, thuhet mes tjerash në mesazhin e presidentes Jahjaga.