S’rrezikohet buxheti 2015(?)

Ilustrim

Kosova gjatë këtij viti rrezikon të hyjë në vitin 2015 pa buxhet të miratuar, nëse vazhdon vonesa për krijimin e institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e fundit të 8 qershorit, thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe ish-anëtarë të Komisionit për buxhet dhe financa në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tyre, ngërçi politik dhe mosfunksionalizimi i Kuvendit, ka sjell vonesa të mëdha në aktivitetet për përgatitjen e buxhetit dhe miratimin e tij.

Por, zyrtarë të Qeverisë thonë se janë duke i përfunduar të gjitha përgatitjet që në afatet e përcaktuara me ligj, nëse formohen institucionet, të dorëzojnë projekt-propozimin për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Gëzim Baxhaku, këshilltar për media i ministrit në largim të Financave, Besim Beqaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se buxheti për vitin e ardhshëm parashihet të jetë rreth 1milirad e 700 milionë euro.

“Nga ana e vet, Ministria e Financave, në bazë të obligimeve ligjore që ka, deri në fund të muajit të ardhshëm, do të jetë gati të dorëzojë projekt-buxhetin në Kuvendin e Kosovës”, thotë Baxhaku.

Situata aktuale politike mund të paraqitesë rrezik eventual që Kosova të futet në vitin 2015 pa buxhet të miratuar, pohon edhe Hykmete Bajrami, ish- anëtare e Komisionit për buxhet dhe financave në Kuvend, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Megjithatë, ajo thotë se në mungesë eventuale të buxhetit të miratuar, në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave, në tre muajit e parë, shpenzimet buxhetore mund të realizohen me 1/12 e buxhetit paraprak.

“Mirëpo, kjo nuk është e mjaftueshme, ne shpresojmë se deri atëherë situata do të zhbllokohet. Ne jemi optimistë se situata do të zhbllokohet shumë herët para kësaj. Por, në fakt mungesa e institucioneve, mungesa e Kuvendit e ka dëmtuar shumë mundësinë për të pasur një rishikim të buxhetit të këtij viti”, shprehet Bajrami.

Pavarësisht këtyre, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se moskonstituimi i institucioneve të Kosovës, ndikojnë edhe në rrezikun eventual të mosmiratimit të buxhetit.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, konsideron se buxheti i shtetit është një nga instrumentet më të rëndësishme ekonomike, ku qeveria dhe Kuvendi duhet të miratojnë, por edhe të mbikëqyrin mënyrën e shpenzimeve të mjeteve.

“Ne, për shkak të ngërçit politik, kemi pengesa të mëdha dhe ngecje në përgatitjen dhe aprovimin e buxhetit, edhe pse viteve të fundit në të gjitha raportet e progresit të Komisionit Evropian për Kosovën kemi vërejtje dhe dështime, të cilat duhet të eliminohen, si në raportimet buxhetore, ashtu edhe në hartimin e tij”, vlerëson Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, në bazë të procedurave ligjore fundi i tetorit është koha kur Qeveria duhet të miratojë propozim-buxhetin për vitin fiskal, kurse deri në fund të dhjetorit duhet të miratohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.