Ndërlidhjet

Ekonomi: Premtimet s’kërkojnë rishikim të buxhetit


Premtimet e kohëve të fundit të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dalin jashtë kornizave buxhetore, dhe kjo kërkon nevojën e rishikimit të buxhetit, në secilin pozicion ku mund të ketë dallime mbi 10 për qind, në krahasim me parashikimet buxhetore, thotë Muhamet Mustafa, anëtar në Komisionin për Buxhet dhe Financa, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në Kuvendi.

“Brenda lartësisë së krejt buxhetit për këtë vit mund të bëhen përshtatje për 10 për qind, por jo më shumë pa lejen e Kuvendit. Prandaj, të gjitha këto janë vendime të çastit, të pastudiuara, të paanalizuara dhe natyrisht mund të shprehen negativisht në stabilitetin buxhetor të vendit".

"Ndoshta një përbërje tjetër e Kuvendit do të bëjë një rishikim të buxhetit dhe e gjithë kjo mund të bjerë në një diskordancë midis asaj që presin votuesit dhe asaj që do të jetë e mundur”, thotë Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka premtuar rritje pagash për punonjësit e sektorit publik, ndryshim të politikave fiskale, mbështetje në realizimin e projekteve kapitale, uljen e pagesës së semestrit për studentët, faljen e borxhit të energjisë elektrike për kategoritë sociale.

Por, zyrtarë të ekzekutivit theksojnë se sa i përket rritjes së pagave, buxheti nuk ka nevojë për ndryshime.

Gëzim Baxhaku, këshilltar politik për media i Ministrit të Financave Besim Beqaj, për Radion Evropa e Lirë, thotë se mjetet financiare për rritje pagash janë të siguruara në kuadër të buxhetit të këtij viti.

“Fillimisht, duhet të theksoj se të gjitha premtimet për rritjen e pagave për shërbyesit civilë janë të siguruara në buxhetin e Kosovës, nëpërmjet një kontingjenti të caktuar, i cili është planifikuar në fillim të vitit. Dhe, përmes një vendimi të Qeverisë për kursime në dy kategori të caktuara, në paga dhe mëditje dhe shpenzime tjera. Gjithsesi këto mjete do të ridestinohen në rishikimin e buxhetit dhe atëherë do të përcaktohen si pjesë e veçantë drejtpërdrejtë për paga”, thekson Baxhaku.

Buxheti për këtë vit është 1 miliard e 458 milionë euro, shpenzimet do të arrijnë mbi 1 miliard 590 milionë euro, mbi 483 milionë euro janë të ndara për llogarinë e pagave, që janë 48 milionë më shumë sesa vitin e kaluar që ishin 435 milionë euro.

Por, anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Muhamet Mustafa, thotë se rritja e pagave ka kaluar nivelin prej 10 për qind dhe kjo kërkon rishikim të buxhetit dhe lejen e Kuvendit të Kosovës.

“Efektet e rritjes së pagave të parapara me buxhet, kanë qenë 48 milionë euro, më shumë se vitin e kaluar, ndërkaq efektet e asaj që është deklaruar si rritje janë më tepër së 100 milionë euro. Ata mendojnë të kursejnë në linja tjera, por gjithkund ku ka dallim mbi 10 për qind, duhet të ekzistojë leja e Kuvendit të Kosovës”, konsideron Mustafa.

Rishikimi i buxhetit të Republikës se Kosovës realizohet një herë në vit. Afati ligjor kur ekzekutivi duhet të dërgojë propozim rishikimin e buxhetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës është fundi i muajit shtatorit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG