Ka më shumë se një vit që Kosova është bërë anëtare e Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, e njohur me shkurtesën CEB, por deri më tani asnjë projektet qeveritar nuk është drejtuar në adresë të këtij institucioni.
Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës, është një bankë multilaterale për zhvillim me një mision social. E themeluar në vitin 1956, banka ofron zgjidhje të problemeve të refugjatëve.
Fusha e veprimit të kësaj banke është zgjeruar në mënyrë progresive duke përfshirë sektorë të tjerë, të cilët kontribuojnë drejtpërdrejt në forcimin e kohezionit social në Evropë.
Megjithatë, zyrtarë të Ministrisë së Financave, thonë se janë duke punuar në përzgjedhjen e projekteve, me të cilat do të paraqiten në Bankën e Këshillit të Evropës.
Gëzim Baxhaku, këshilltar politik për media i ministrit në largim të Financave, Besim Beqaj, shprehet se deri në fund të këtij viti, projektet do të jenë të gatshme.
“Ne shpresojmë se deri në fund të këtij viti do të kemi projekte konkrete, të cilat do t’i kalojnë procedurat e parapara ligjore në bankë. Bëhet fjalë për projekte nga fusha e infrastrukturës, projekte të cilat kanë të bëjnë me avancimin e pozitës së qytetarëve të Republikës së Kosovës, tematikë sociale dhe projekte zhvillimore, të cilat kanë të bëjnë me angazhimin e këtyre mjeteve për nevojat e biznesit të Kosovës, si atij privat, po ashtu, edhe ndërmarrjeve publike”, bën të ditur Baxhaku për Radion Evropa e Lirë.
Ndryshe, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, pas anëtarësimit patën deklaruar se Kosova mund të përfitojë 30 deri në 40 milionë euro në vit, kryesisht për projekte sociale.
Por, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se anëtarësimi në këtë bankë ka mbetur vetëm si lajm i mirë dhe vetëm në suaza diplomatike, e jo edhe zhvillimore dhe ekonomike.
Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Strategjike dhe Sociale “STRAS”, thotë për Radion Evropa e Lirë se arsyetimet e zyrtarëve të qeverisë janë vetëm për të mbuluar dështimet e tyre, sepse, sipas tij, nuk nevojitet një periudhë njëvjeçare për të aplikuar në Bankën e Këshillit të Evropës.
Sipas Rexhepit, Kosova ka nevojë shumë të madhe për projektet të tilla, por Qeveria në largim më tepër është fokusuar në çështje të tjera.
“Problemi qëndron diku tjetër... Duket se Qeveria tash në ikje, më shumë ka pasur si objektiv anëtarësimin në institucionet të ndryshme financiare dhe jo aq shumë gjetjes së mundësisë së tërheqjes së kapitalit të tyre, përkatësisht shfrytëzimit të mundësive që ato ofrojnë”.
“Kjo më krijon përshtypjen se kjo qeveri kaherë ka humbur vizionin dhe orientimin për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe krahas kësaj rritjes së punësimit”, thekson Rexhepi.
Ndërkaq, profesori në Fakultetin Ekonomike në Universitetin e Prishtinës, Naim Gashi, thotë se deri tani autoritetet kompetente nuk kanë treguar se kanë përfituar ndonjë projekt nga kjo Bankë Zhvillimore.
Ai thotë se përfitimi i Kosovës në këtë institucion financiar është bërë vetëm në aspektin politik dhe jo në atë ekonomik.
“Kur dihet se ekziston mundësi e madhe që të financohen projekte në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në fushën e minoriteteve, strehimin e refugjatëve, zhvillimin demokratik të vendit, do të thotë në korniza, suaza në të cilat funksionon edhe Këshilli i Evropës. Dhe, marrë në retrospektivë njëvjeçare të anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion, përfitimi ka qenë vetëm në aspektin politik, kurse jo në atë ekonomik dhe zhvillimor”, vlerëson Gashi.
Në Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, janë të anëtarësuara 40 shtete, përfshirë edhe shtetet fqinje. Shqipëria, ndërkaq, në këtë institucion financiar është anëtarësuar në qershor të vitit 1999.
Ndryshe, pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është anëtarësuar në disa institucione financiare ndërkombëtare, duke përfshirë këtu Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.