Kosova, pjesë e angazhimeve globale kundër Ebolës

Ilustrim

Pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencë ndërkombëtare kundër virusit Ebola, qysh në muajin gusht të këtij viti, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka ngritur shkallën e gatishmërisë në rast të shfaqjes së rasteve të kësaj sëmundjeje me fatalitet të lartë.

Me virusin e Ebolës deri tani janë shënuar 3967 raste me të prekur, derisa 2105 persona kanë vdekur nga ky virus.

OBSH-ja ka njoftuar të hënën se virusi Ebola është duke u shpërndarë në Liberi, në Afrikën Perëndimore, ku pritet që të shënohen me mijëra raste të reja.

Andaj, si rrjedhojë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është përzgjedhur si konsulent për parandalimin dhe kontrollin e Ebolës në nivelin nacional në Liberi, profesor Lul Raka, mikrobiolog nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, në mënyrë që Kosova t’u bashkohet angazhimeve globale kundër virusit Ebola.

Skënder Syla udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se OBSH-ja ka mobilizuar ekspertizën e duhur kundër Ebolës në gjithë botën, ku mbi 400 ekspertë janë zhvendosur në zonat e infektuara, derisa ka shtuar se në këtë mes është edhe profesor Lul Raka nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës.

“Në kuadër të angazhimeve të OBSH-së për të ofruar mbështetjen e duhur shteteve që janë duke kaluar epideminë e Ebolës, Kosova i bashkohet solidaritetit ndërkombëtar për t’i ndihmuar vendet në nevojë që janë duke kaluar në epideminë më të rëndë deri më tani”.

Përvoja e profesor Rakës do t’ju ndihmojë institucioneve vendore të Liberisë dhe kontakti i tij me ekspertë të ndryshëm ndërkombëtarë, do të jetë një përvojë e mirë në të ardhmen për të përforcuar kapacitetet, po qe se do të ketë epidemi të ngjashme”, ka thënë Syla.

Ndërkaq, Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik ka thënë se Kosova në aspektin diagnostik është e gatshme të diagnostikojë virusin e Ebolës, por siç është shprehur ai, duhet ngritur kapacitetet e bio- sigurisë.

“Një ekspert i mikrobiologjisë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, profesor Lul Raka, i mbështetur nga OBSH-ja, është dërguar në Liberi, në mbështetje të aktiviteteve mbarëbotërore në luftë kundër Ebolës”.

Pra, kjo është një ngritje që i është dhënë IKSHP-së me ekspertin e tyre dërguar në vendin e ngjarjes, që të japë kontributin e vet në luftë kundër Ebolës, dhe njëherësh të ndihmojë në parandalimin eventual në mospërhapjen e Ebolës jo vetëm në Liberi, në shtetet afrikane, por edhe në vendet e tjera të botës, përfshirë Ballkanin dhe Kosovën”, është shprehur Ramadani.

Pavarësisht se Kosova ka kaluar në epidemi të ndryshme, përfshirë ethet hemorragjike krime kongo, dhe përvoja e stafit shëndetësor nuk mungon, sipas Skënder Sylës, në rastin e virusit Ebola avancimi i mëtutjeshëm është i mirëseardhur.

“Kosova për vite të tëra po ballafaqohet me raste të etheve hemorragjike. Stafi shëndetësor kanë një përvojë dhe ekspertizë të duhur në drejtim të parandalimit dhe kontrollit të infeksioneve, por megjithatë avancimi i mëtutjeshëm i këtyre metodave të kontrollit të infeksioneve, kërkon një angazhim të gjithëmbarshëm dhe koordinim të të gjitha strukturave”, ka theksuar Syla.

Virusi vdekjeprurës Ebola, shkakton një temperaturë të lartë, të vjella dhe gjakderdhje.