Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Klinikën infektive, përpos pesë rasteve të diagnostikuara me ethe hemorragjike krime kongo, janë paraqitur edhe pesë raste të reja me ethe hemorragjike renale apo ethe të minjve, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë infektologia Lindita Ajazaj - Berisha.
Sipas saj, ethet hemorragjike renale barten përmes minjve dhe simptomat janë kryesisht ethet, temperatura, kokëdhimbja si dhe probleme me urinimin.
“Këtë vit në krahasim me vitet paraprake, përveç pesë rasteve me ethe hemorragjike krime kongo, kemi pasur edhe pesë raste me ethe hemorragjike renale apo ethe të minjve”.
“Ne, në Kosovë i kemi dy lloje të etheve hemorragjike – krime kongo dhe këtë me sindromë renale, apo ethet e minjve. Edhe kjo trajtohet në Klinikën Infektive dhe kemi terapi. Situata është nën kontroll. Në dy -tri vitet e fundit nuk kemi pasur asnjë rast, derisa këtë verë janë paraqitur pesë raste”, ka thënë ajo.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se këtë vit rastet e prekura me ethe hemorragjike renale, janë paraqitur në komunën e Ferizajt, Gjilanit Istogut dhe Deçanit.
Por, sipas Ramadanit, situata epidemiologjike është nën kontroll.
“Duke e pasur parasysh se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik përcjell situatën epidemiologjike me ethe hemorragjike me sindromën renale, apo ethet e minjve, për çdo vit paraqiten raste sporadike, të cilat tek-tuk në Kosovë janë të përhapura, duke e pasur parasysh edhe zhvillimin e minjve”.
“Këtë vit rastet janë paraqitur në komunën e Ferizajt, Gjilanit, Istogut dhe Deçanit. Këto raste me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre”, ka shpjeguar Ramadani.
Ai gjithashtu ka dhënë detaje edhe për trajtimin dhe shërimin e të prekurve nga këto ethe:
“Trajtimi është i mundshëm në Klinikën Infektive në aspektin klinik dhe në qoftë se paraqiten komplikime, e që janë të mundshme, pasi që zakonisht bllokohen veshkat, Klinika interne, gjegjësisht repartet e dializës janë të gatshme që të hemodializojnë përkohësisht pacientët. Ndërsa, Instituti Kombëtar me laboratorët e vet, e diagnostikon sëmundjen brenda ditës”.
Derisa për ethet hemorragjike krime kongo si epidemi, është sensibilizuar opinioni, për shkak të pickimit të madh që kanë pësuar njerëzit nga rriqrat në vitet e fundit, mjekja Lindita Ajazaj-Berisha ka thënë se për ethet hemorragjike renale si sëmundje më e rrallë, nuk ka pasur ndonjë sensibilizim për qytetarët.
“Kohëve të fundit nuk kemi pasur ethe hemorragjike renale. Megjithatë, ndryshimet klimatike e kanë ndryshuar situatën epidemiologjike. Do të shohim se çka do të ndodhë, e më pastaj do ta sensibilizojmë popullatën. Kjo sëmundje bartet përmes minjve që janë në fusha, ara, apo edhe në shtëpi ku mund ta prekin ushqimin dhe ta kontaminojnë”, është shprehur Lindita Ajazaj -Berisha.