Kryesuesja e seancës së Kuvendit të Kosovës dhe anëtarja e kryesisë së PDK-së, Flora Brovina, thotë se të gjitha përgatitjet janë bërë për vazhdimin e seancës konstituive. Brovina në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë pritjet e saj për vazhdimin e seancës nuk janë të mira.
RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Brovina, fillimisht a janë bërë përgatitjet e nevojshme për vazhdimin e seancës konstituive që do të mbahet më 12 shtator?
FLORA BROVINA: Sa i përket çështjeve teknike, po, sepse u morëm vesh për datën që do të vazhdojë kjo seancë, që është 12 shtatori. Tani, thirrjet janë përgatitur, unë edhe pak minuta shkoj për të nënshkruar ftesën për seancë. Kjo është nga ana ime. Përgatitjet tjera i takojnë subjekteve politike që të merren vesh dhe të mos shkaktojnë një seancë problematike, siç ishte fillimi i kësaj seance, d.m.th ku nuk ishin bërë përgatitjet e duhura se si do të rridhte seanca. Gjegjësisht, ishte shkelur Kushtetuta dhe sidomos rregullorja e punës, duke bërë edhe pika tjera që nuk i takojnë as ish-kryesisë, as nuk më takojnë mua që t'i procedoj më tutje.
RADIO EVROPA E LIRË
Si e keni vlerësuar vendimin e Bllokut – LDK, AAK dhe Nisma i cili nuk mori pjesë në takimin konsultativ që e ftuat para seancës?
FLORA BROVINA: Nuk kam pritur që ata të reagojnë kësisoj, sepse Kuvendi është për të biseduar, dhe nëse unë do të veproja ndryshe, absolutisht vetë ta caktoja datën, sigurisht ata do të më kritikonin njësoj sikur tani, dhe më është dukur jo e denjë mospjesëmarrja e tyre në një bashkëbisedim për datën, dhe për të pirë një kafe, që ishte kafe relaksimi për vazhdimin e seancës.
RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Brovina si kryesuese e seancës, a prisni që skenarët e 17 korrikut, të përsëriten edhe në seancën e 12 shtatorit?
FLORA BROVINA: Fatkeqësisht, në bazë të kësaj që po e dëgjoj nëpër media, të cilat nuk e di sa janë të besueshme, por nëse ju besoj këtyre mediave, dhe fatkeqësisht edhe debateve nga ekspertët ose analistët e ndryshëm - të vetëquajtur dhe të quajtur nga të tjerët, sepse nuk kanë dhënë një analizë të mirëfilltë dhe kanë shkaktuar shumë dilema në opinion dhe një atmosferë jo të këndshme politike, fajin pra ua vë atyre. Dhe, nga vetë gjuha e liderëve, pa marrë parasysh cilit bllok i takojnë, nuk jam optimiste.
Nuk jam optimiste se seanca nuk do të marrë kahjen që e kishte në seancën e parë, dhe kjo më shkakton një brengë të madhe, si një deputete në mandatin e pestë, si një emër që kujtoj që e kam, dhe si humaniste e jo vetëm si politikane, nuk kam besuar asnjëherë se pas kaq vitesh ne do të vijmë në një situatë ku nuk do të flasim njëri me tjetrin.
Nuk është e rëndësishme gjuha, d.m.th ashpërsia e gjuhës, por ne duhet të takohemi për t'u marrë vesh. Sepse kështu jemi zgjedhur, jemi përfaqësuesit e popullit për t'u marrë vesh. Jo, nuk jam optimiste, e pres një seancë problematike.
RADIO EVROPA E LIRË
PDK-ja në këtë seancë do të propozojë kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit. Ju si deputete e kësaj partie, sa konsideroni se PDK do të fitojë mbështetjen e deputetëve për këtë post?
FLORA BROVINA: E drejta u vërtetua, se është e drejta e partisë që ka numrin më të madh të të deputetëve ose grupit parlamentar, sido që ta quani dhe kjo u vërtetua edhe në Gjykatën Kushtetuese, këtë e dija edhe unë si kryesuese e Kuvendit se asaj i takon fjala, sepse kështu shkruan në rregulloren e punës. Kështu parashihet të jetë dhe jo të behën ndërskamësa. Grupimet e tjera parlamentare formohen pasi të zgjidhet kryetari i parlamentit.
Prandaj nuk ka pasur nevojë gjithë kjo të ndodh. Kam vërejtje sa i takon Partisë Demokratike që gjatë dy mandateve të veta nuk bëri mjaft që të ketë edhe aleatë të tjerë shqipfolës, përveç partisë së Behxhet Pacollit dhe deri tani ajo (PDK) e kishte zgjedhur këtë punë. Dhe nuk është mirë nëse cilado parti, në këtë rast Partia Demokratike, të fitojë postin e parlamentit përmes votave të minoriteteve, aq më pak të serbëve.
Kjo nuk do të më pëlqente në asnjë mënyrë, si nuk më ka pëlqyer kur ndodhi në vazhdim të seancës nga ata që e shkelen rregulloren. Mirëpo, kujtoj që edhe grupimi që tani mund ta quaj mur, dikush e quan LAN, unë e quaj një obstruksion, nuk po tregohet mjaft i pjekur politikisht që ta kuptojë se nuk ka zgjidhje tjetër.
Prandaj, duhet të kapërcehet kjo. Kjo embargo që nuk është e lejueshme në asnjë vend demokratik kështu të veprohet. Gabimi ka ndodhur kur ky grup që quhet tani LAN ka ndarë paraprakisht postet dhe pastaj është barrikaduar, kjo është për mua jo e logjikshme.
RADIO EVROPA E LIRË
Duket pak sa hipotetike, por çka nëse dështon kandidati i PDK-së, do t’i jepni rastin edhe partisë së dytë që të propozojë kandidatin e saj për kryetar?
FLORA BROVINA: Nuk do të isha përgjigjur në ketë pyetje, sepse do të shohim rrjedhën e seancës. Kur them kështu, kam shumëçka parasysh.
RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë keni parasysh për shembull?
FLORA BROVINA: Për shembull, a do ta udhëheq unë.
RADIO EVROPA E LIRË
Përse?
FLORA BROVINA: U përgjigja.
RADIO EVROPA E LIRË
Dhe përfundimisht, zonja Brovina, besoni se Kosova mund ta tejkalojë këtë ngërç politik apo do të detyrohet sërish të shkojë në zgjedhje të reja?
FLORA BROVINA: Po nëse nuk e gjejmë gjuhën e përbashkët sigurisht që do të detyrohemi. Tanimë rruga është e hapur për zgjedhje të reja. Ka shumë mundësi për t'u thirrë edhe tani para se të fillojë vazhdimi i seancës, të thirret për zgjedhje të reja.
RADIO EVROPA E LIRË
Si po mendoni ?
FLORA BROVINA: Po mendoj se deputetët që dhanë betimin në pjesën e parë të seancës e shkelen betimin e tyre. Në momentin kur e dhanë betimin, ata e shkelën atë sepse vazhduan në mënyrë jo kushtetuese ta vazhdojnë seancën dhe të zgjedhin kryetarin jolegjitim që u vërtetua në Gjykatën Kushtetuese.