Aleanca Grupi i Vishegradit, që përbëhet nga Çekia, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia, shtete anëtare të NATO-s, ka pikëpamje të ndryshme lidhur me agresionin e Rusisë në Ukrainë.
Rrjedhimisht, të gjitha ato i kanë linjat e veta të përgjigjes ndaj Moskës.
Por, ndarjet e tyre e pengojnë aftësinë e Evropës për të vepruar në mënyrë të vendosur.
Presidenti i Çekisë, Milos Zeman, ka nxitur polemikë të ashpër me ministrin e jashtëm të Suedisë, Carl Bildt, këtë javë në samitin e NATO-s në Uells, duke deklaruar se Praga nuk ka parë ende “prova të qarta” të ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë.
“Presidenti Zeman duhet ta pyes popullin e vet”, ia ktheu Bildt.
Kjo polemikë e thekson zhvillimin i cili i ka befasuar shumë në Perëndim: disa shtete në NATO, në krahun lindor, duken vendosmërisht të pashqetësuara për ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë dhe në përgjithësi për qëndrimin e saj agresiv.
Kriza në Ukrainë e ka thyer të ashtuquajturin Grup të Vishegradit, me përbërjen e Çekisë, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë”.
Nga Polonia alarmuesee deri te qëndrimi miqësor ndaj Kremlinit i Hungarisë, grupi i udhëheq disa pozicione të mundshme. Ky mos-unitet i tyre është njëri nga vështirësitë për Bashkimin Evropian dhe NATO-n, që të miratojnë përgjigje unike ndaj Rusisë.
Derisa tensionet ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit janë shtuar, është bërë e qartë se Grupi i Vgishegradit, ka perceptime të kundërta lidhur me kërcënimin që paraqet Rusia.
Nga ana tjetër, Budapesti, Praga dhe Bratisllava, udhëhqien nga konsideratat ekonomike në kalkulimet e tyre, derisa BE-ja përpiqet të arrijë konsensus për sanksione të ashpra ndaj Rusisë.
Bashkëpunimi i zgjeruar ekonomik me Rusinë në rajon prej viteve të 90-ta e ka “shkatërruar mendimin strategjik në këto vende”, thotë Marian Majer, nga Instituti i Evropës Qendrore për Politikë në Bratisllavë.
“Kriza në Ukrainë na ka treguar se mendimi strategjik dhe perceptimi i kërcënimit është i ndryshëm në këto vende dhe në disa prej tyre, argumentet ekonomike mbizotërojnë ndaj argumenteve strategjike dhe vizionin afatgjatë për të ardhmen”, thotë Marian Majer, për Radio Evropa e Lirë.
Gazetari i “The Economist” me seli në Londër, dhe njohës i Rusisë, Edward Lucas, në përgjithësi, pajtohet me këtë konstatim.
“Polonia e e merr një rol udhëheqës të jashtëzakonshëm si lider i padyshuar i botës ish-komuniste. Në vendet e tjera është një pamje tjetërfare. Sllovakia duket se e ka marrë një linjë pro-Putinit, së paku, kundër sanksioneve. Çekia, po ashtu, e veçanërisht Zemani, e kanë marrë një linjë të tillë, që mendoj se është për keqardhje".
"Pastaj, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, është më i keq se shumica, me përjashtimin e tij të qartë të parimeve të dekomracisë liberale, që pjesa tjetër e Evropës i sheh si kryesore. Mendoj se kjo paraqet barrë të rëndë në gjithë idenë, që Vishegradi të jetë aktor gjeopolitik ose diplomatik”, thotë Edward Lucas.
Dallimi në pikëpamje i ka befasuar shumë vetë duke i cilësuar ato si të çuditshme, pasi të katër këto vende në mënyrë direkte e kishin përjetuar agresionin sovjetik ndërmjet viteve 1939 dhe 1968. Ky mos-unitet është diametralisht në kundërshtim me zilet e alarmit që po rrahin në tri vende baltike.
Qeveritë në Çeki, Sllovaki dhe Hungari, po i shtyjnë qëndrimet e veta, derisa Bashkimi Evropian po diskuton për të ashtuquajturën valë të tretë të ashpër të sanksioneve sektoriale kundër Rusisë.
Qeveria e koalicionit në Republikën e Çekisë ishte më e hapur ndaj sanksioneve të ashpra. Por, i monitoron ato në mënyrë të kujdesshme, që ta minimizoj dëmin që mund t’i shkaktohej industrisë së këtij vendi. Por, Partia Social-demokrate e majtë, që është partneri kryesor në qeverinë çeke, i kundërshton sanksionet më të ashpra kundër Rusisë.
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka thënë se qeveria e tij “i refuzon sanksionet e caktuara, që do t’i dëmtonin interesat kombëtare”.
Kryeministri nacionalist hungarez, Viktor Orban, stili dhe taktikat e të cilit janë krahasuar me atë të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, thotë se është “vetë-iluzion” të besohet se sanksionet do ta ndryshojnë sjelljen e Rusisë.
Është e mjegulluar se nëse qeveritë dhe opinioni në këto vende, me përjashtimin e Polonisë, me të vërtetë nuk e shohin Rusinë si kërcënim ose bëjnë shmangie për shkak të paqartësisë për mbrojtjen e NATO-s, në rast të konfrontimit serioz. (f. bujupi)