Ndërlidhjet

Nuk frikësohemi nga vrasësit barbarë!


Presidenti i SHBA-së, Barack Obama(djathtas), dhe kryeministri britanik, David Cameron.
Presidenti i SHBA-së, Barack Obama(djathtas), dhe kryeministri britanik, David Cameron.

Kur NATO ishte mbledhur për herë të fundit në Britani, më 1990, Lufta e Ftohtë kishte përfunduar. Derisa Margaret Thatcher dhe George Bush zotoheshin se do të vazhdojnë të qëndrojnë së bashku, shumë mund të kenë menduar se epoka e re e paqes dhe prosperitetit do ta bëjë këtë aleancë të madhe të sigurisë më pak të rëndësishme. Por, NATO sot është jetik për të ardhmen tonë si kurrë më parë, shkruajnë në një shkrim të përbashkët për gazetën Times presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe kryeministri britanik, David Cameron.

Dy liderët thonë se NATO tani mblidhet në kohën kur bota përballet me sfida të rrezikshme. Në lindje, Rusia ka grabitur dhe ka aneksuar Krimenë, si dhe ka dërguar trupa në tokën e Ukrainës duke kërcënuar sovranitetin e këtij shteti. Në jug, ka një hark të jostabilitetit nga Afrika veriore dhe Saheli deri në Lindjen e Mesme.

Forcimi i teknologjisë dhe globalizmit, me gjithë përfitimet dhe mundësitë që ofron, u ka dhënë fuqi individëve, duke rritur kapacitetin e terroristëve për të bërë dëm, shkruajnë Obama dhe Cameron. Sipas tyre, vrasjet e neveritshme të dy gazetarëve amerikanë nga militantët e Shtetit Islamik, janë dëshmia e fundit e një ekstremizmi brutal dhe helmues.

Obama dhe Cameron thonë se NATO-ja nuk është vetëm një aleancë e miqve që i vijnë në ndihmë njëri-tjetrit në kohë nevoje. Është një aleancë që bazohet në vetë interesin kombëtar, thonë ata.

Nëse agresioni rajonal kalon pa u kontrolluar dhe nëse luftëtarët e huaj kthehen nga Iraku dhe Siria në vendet tona, këto probleme do të kërcënojnë popullin britanik dhe amerikan, si dhe botën gjerë, paralajmërojnë Obama dhe Cameron.

Dy liderët thonë se kanë interes të madh për të siguruar një botë ku vajzat që shkojnë në shkollë, nuk rrëmbehen, gratë nuk përdhunohen në konflikte dhe familjet nuk masakrohen për shkak të besimit fetar apo politik. Kjo thonë se është edhe arsyeja përse kanë asgjësuar bazën e Al Kaidës dhe kanë mbështetur popullin në Afganistan dhe përse nuk do të tërhiqen nga lufta kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Nëse terroristët mendojnë se ne do të jemi të dobët përballë kërcënimeve të tyre, ata do të jenë shumë gabim; vendet si Britania dhe Amerika nuk do të frikësohen nga vrasësit barbarë; do të jemi më të hapur në mbrojtjen e vlerave tona, zotohen Obama dhe Cameron.

Ata, po ashtu, thonë se duhet të mbështesin të drejtën e Ukrainës për të përcaktuar të ardhmen e saj demokratike. Ne duhet të përdorim ushtrinë tonë për të siguruar një prani të vazhdueshme në lindje të Evropës dhe për t’ia bërë të qartë Rusisë se do të mbështesim gjithmonë Nenin 5 për vetëmbrojtje koletive, shkruajnë Obama dhe Cameron.

Sipas tyre, kjo ide duhet të mbështetet me trupa shumëkombëshe, të përbëra nga forca tokësore, ajrore dhe detare. E gjithë kjo po ashtu do të kërkojë investime nga vendet e NATO-s.

Duke punuar së bashku, ne jemi më të fortë, qoftë për t’iu kundërvënë Rusisë apo për t’u përballur me militantët e Shtetit Islamik; me më shumë se 60 vende të përfaqësuara në samitin e NATO-s (në Uells), ne mund ta bëjmë këtë aleancë një rrjet më të efektshëm të sigurisë që nxit stabilitet në gjithë botën, shkruajnë Obama dhe Cameron në gazetën Times.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG