Pasuria mbi mjerimin social

Prishtinë...

Shtëpi të shtrenjta, pasuri të paluajtshme, vetura luksoze, para të gatshme është vlera mbi njëmilionëshe e disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës që pasurinë e tyre e kanë deklaruar në Agjencinë kundër Korrupsionit.

A është reale, rritur apo zvogëluar kjo vlerë, ekspertë për çështje ekonomike japin vlerësime të ndryshme. Megjithatë, sipas tyre, kjo shtresë e shoqërisë po pasurohet mbi mjerimin në Kosovë.

Pagat për ta, sillen rreth 17 mijë euro në vit.

Madje, pasuri milionëshe kanë deklaruar edhe disa deputetë, që për herë të parë janë zgjedhur nga votuesit në zgjedhjet e tetë qershorit.

Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Strategjike dhe Sociale “STRAS”, për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se problemi qëndron se nuk dihet prejardhja e pasurisë se tyre.

“Pikërisht kur gjendja ekonomike është e vështirë, me varfëri, me papunësi, atëherë gjithmonë ekziston një shtresë e cila mbi këtë mjerim pasurohet. Në Kosovë, rasti është pikërisht te njerëzit të cilët janë shumë afër pushtetit, afër financave publike. Çështja tjetër, nuk ka asgjë të keqe pse njerëzit janë të pasur, pse kanë para dhe paluajtshmëri, mirëpo problemi qëndron në faktin se si i kanë fituar ato, nga i gjithë ai kapital”, thekson Rexhepi.

Në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile kërkojnë që të verifikohet prejardhja e pasurisë së tyre, pasi sipas tyre pagat nuk mundësojnë të bëhen milionerë.

Drejtori ekzekutiv në Lëvizjen Fol, Petrit Zogaj, organizatë kjo që nga viti 2010 ka bërë monitorimin e pasurisë se personave zyrtarë, shprehet se pasuria nuk ka qenë asnjëherë reale.

“Ajo çka mbetet gjithmonë dyshuese për zyrtarët të cilët në fillim të mandatit të deputetit deklarojnë një shumë të caktuar që është jashtëzakonisht e ulët. Kurse në përfundim të mandatit ne kemi parë që pasuria është katërfishuar. Këtu është problemi më i madh, pasi një rrogë e deputetit, sigurisht që është deri në gjashtë herë mbi mesataren e rrogës se qytetarit të Kosovë, nuk mund të prodhojë një pasuri milionëshe as për 4 apo 40 vite, sepse ai shpenzon para gjatë kësaj periudhe”, thotë ai.

Petrit Zogaj, thotë se autoritet kompetente duhet të hetojnë rastet e dyshimta sa i përket deklarimit të pasurisë se personave zyrtarë.

“Një nga problemet kryesore të deklarimit të pasurisë është hetimi i deklarimit të asaj pasurie. Ne kemi një kuadër ligjor, i cili nuk është më i mirë, megjithatë është një bazë e mirë që të fillohet të hetohet ajo pasuri, e cila konsiderohet si e paarsyeshme për të ardhurat e një deputeti, një ministri, kryetari të komunës apo zyrtari publik çfarëdo qoftë ai”.

“Ne kemi kuadrin ligjor, por nuk kemi zbatueshmërinë e duhur, sepse ne kemi pasur raste deputet, ministrat dhe udhëheqësit të tjerë, kanë deklaruar një pasuri të shpërputhshme me të ardhurat e tyre mujore apo vjetore”, thekson Zogaj për Radion Evropa e Lirë

Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, obligon të gjithë zyrtarët që të deklarojnë pasurinë e tundshme, atë të patundshme, paratë e gatshme nëpër banka, aksionet në shoqëri komerciale, letra me vlerë, para të gatshme në institucionet kreditore, borxhet, të hyrat vjetore, si dhe prejardhjen e tyre.

Ky ligj, po ashtu, rregullon kontrollin publik të pasurisë, të hyrat dhe përfitimet e tjera materiale.