Ndërlidhjet

Shporta e qytetarit kosovar, vazhdon të jetë e varfër


Ilustrim
Ilustrim
Nga ekspertë të çështjeve ekonomike, vlerësohet se në Kosovë fuqia blerëse gjatë viteve të fundit të ketë shënuar rënie. Kjo rënie mund të ketë ndodhur për shkak se nuk ka pasur hapje të vendeve të reja të punës dhe të ardhurat për familjet kanë qenë të njëjta.

Nisur nga kjo, shporta e konsumatorit kosovar është varfëruar.

Sipas të anketës së buxhetit të ekonomive familjare, anketë kjo e bërë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës të cilat falsin për vitin 2012, 45 për qind e buxhetit të ekonomive familjare është shpenzuar në ushqim dhe 30 për qind për banim.

Konsumi për ekonomi familjare gjatë vitit 2012 në Kosovë ka qenë 7.657 euro.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë jep shpjegime rreth shportës së konsumatorit në Kosovë.

“Unë mendoj se pa 350 euro një familje katër anëtarësh nuk mund të sigurojë minimumin e ekzistencës, do të thotë minimumi ekzistencial duke përfshirë ushqimin, veshmbathjen, transportin, shpenzimet komunale".

"Por, çfarë mund të ndodh me familjet që nuk e kanë këtë shumë, ato familje e kanë vështirë të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm sipas standardeve të Bankës Botërore ku është minimumi i kalorive që duhet t’i konsumojë një njëri, mandej kanë vështirësi në sigurimin e veshmbathjes transportet e të tjera”
, tregon Gashi.

Sipas anketës së buxhetit të ekonomive familjare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës thuhet e rreth 50 për qind e ekonomive familjare dy herë ose më shumë gjatë vitit nuk kanë qenë në gjendje të paguajnë në kohë pagesat e tyre, po ashtu 50 për qind të ekonomive një shpenzim të papritur në vlerë të 500 euro përmes burimeve vetanake e kanë përballuar me vështirësi të mëdha.

Shporta e konsumatorit, thekson profesori i ekonomisë Naim Gashi, duhet të ndërtohet nga fuqia blerëse që ka një familje. Në Kosovë për dallim nga vendet tjera të botës shton ai, qytetarët provojnë që të gjithë njerëzit të jetojnë njësoj, por që kjo nuk mund të ndodh, pasi që të ardhurat nuk mund të jenë të njëjtat për çdo familje.

Fuqia blerëse, sipas Gashit, që nga publikimi i fundit i Agjencisë së Statistikave të Kosovës të vitit 2012 ka pasur një rënie.

“Ne duhet të kemi parasysh që të hyrat e qytetarëve të Kosovës duhet të krahasohen me numrin e banorëve në Kosovë. Përafërsisht në Kosovë në vit lindin 27 mijë fëmijë dhe kjo e rrit koston e konsumatorit. Në proporcion me rritjen e numrit të banorëve, nëse ne dëshirojmë ta mbajmë trendin e njëjtë të shportës së konsumatorit për aq banorë sa rriten duhet të rriten edhe të hyrat për familjet kosovare, qoftë për familjet e reja, qoftë familjet ekzistuese”, thekson Gashi.

Sidoqoftë, siç vlerëson ai, faktori kryesor që e mbulon hendekun ndërmjet të hyrave të familjes dhe kostos së shportës së jetesës së tyre e mbulojën të hyrat që vinë nga diaspora.

Në anën tjetër, qytetarët janë ata të cilët shprehin shqetësim për shportën e tyre të konsumit.

Ata thonë se kanë vërejtur se çdo muaj apo çdo vit, fuqia blerëse ka rënë dhe shporta tyre është më e varfër.

Skender Bilalli, rreth 50 vjeç, me profesion mësues, tregon se më të njëjtën shumë të parave gjërat ushqimore të cilat ka mundur t’i blejë para një viti, këtë nuk mund ta bëjë tani.

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore ka ulur standardin jetësor në familjen e tij. Fuqia blerëse ka rënë shumë. Vazhdimisht ka ngritje të çmimeve, nuk ka lirime. Shporta e konsumatorit nuk i ka të gjitha produktet që duhet t’i ketë një familje”, shton Bilalli.

Ngjashëm shprehet edhe Liridon Zeneli.

“Nëse e bëjmë një krahasim me vitin 2012 atëherë mund të themi se në përqindje shumë të lartë kemi ngritje të çmimeve. Në këtë mund të ketë ndikuar shumë çka por edhe mos zhvillimi ekonomik i vendit”, shton ai.

Qytetarët e Kosovës qëndrojnë shumë më keq sa i përket pushimeve vjetore Raporti i Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka vë në pah se më shumë se dy të tretat e ekonomive familjare nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një pushim vjetor njëjavor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG