Shahini: KEDS-i, investitor i përkëdhelur

Agim Shahini

KEDS-in e kemi shndërruar në një investitor të përkëdhelur të institucioneve shtetërore, që vazhdimisht kërkon subvencione nga shteti, por njëkohësisht edhe ngarkesa për qytetarët, thotë për Radion Evropa e Lirë, Agim Shahini, kryetar në Aleancën Kosovare të Biznesit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shahini, sa po ndikon në sektorin ekonomik moskonstituimi i institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e qershorit? Ka pasur disa projekte që kanë qenë në proces, e të cilat nuk po vazhdohen. Cili mund të jetë ndikimi i tyre në të ardhmen?

AGIM SHAHINI

Çdo investitor, ngado që vjen në Kosovë krijon dhe kërkon që të ketë siguri në investimet e veta. Prandaj, në Kosovë kjo siguri ekziston, por për investitorët e huaj kjo është e dyshimtë, për shkak se institucionet e Kosovës tash e disa muaj nuk janë me legjitimitet të plotë. Kjo do të thotë se sa më shpejt që të krijohen institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit, do të hapet hapësira edhe për thithjen e investimeve të huaja, por edhe për realizimin e shumë projekteve, të cilat tashmë janë ndalur ose kanë ngecur pikërisht për shkak të moskonstituimit të institucioneve të reja.

Ta marrim shembull, ne kemi ngecje në privatizimin e Postës, kemi ngecje në investime në termocentralin e ri, gjithashtu edhe për privatizimin e Brezovicës, çështjen e Trepçës për të cilën është folur se do të ndërrojë komplet statuti i saj dhe do të shkojë në drejtim që të tërheqë investitorë të huaj e njëkohësisht të rrisë edhe numrin e të punësuarve aty.

E, njëkohësisht edhe rrugë të tjera siç është rruga “Arbër Xhaferi”, që është një rrugë tepër e rëndësishme dhe ka shumë hezitime rreth fillimit dhe përfundimit të kësaj rruge. Përderisa institucionet shtetërore janë në funksion të qytetarit, ato duhet me të vërtetë që çdo vendim i saj të jetë legjitim dhe investitorët e huaj mos të brengosen për këtë. Por, paralajmërimet që vijnë nga partitë politike që pretendojnë të marrin udhëheqjen e shtetit se do të rishikohen vendimet një nga një vendimet që i ka marrë qeveria pas zgjedhjeve, kjo u dërgon një mesazh të keq investitorëve të huaj dhe atyre vendorë.

Prandaj, politikanët nuk duhet të nguten të japin deklarata, të cilat e frikësojnë investitorin, përderisa në Kosovë nuk kemi institucione stabile, nuk kemi politika të qëndrueshme ekonomike dhe më joshëse fiskale. Investitorët e huaj dhe ata vendorë do të kenë shumë vështirë të jenë më konkurrentë në treg dhe të krijojnë hapësirë për zhvillim më të përshpejtuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë kësaj periudhe keni pasur kontakte me investitorë potencial dhe sa janë të gatshëm të investojnë në këtë periudhë në Kosovë?

AGIM SHAHINI

Ne kemi pasur kontakte vazhdimisht nga vendet e huaja, dhe kohëve të fundit kemi pasur disa investitorë nga Bullgaria, Rumania, Turqia, Zvicra. Kemi paralajmërime se do të ketë investitorë edhe nga Italia, për të parë dhe shikuar potencialet, të cilat ne vazhdimisht para zgjedhjeve dhe viteve të kaluara kemi proklamuar se Kosova është vend i artë për investime. Marketingu, i cili ka pasur jehonë të madhe në tërë rajonin dhe Ballkanin Perëndimor dhe tashmë ata po hezitojnë të vijnë përderisa të funksionalizohen institucionet e reja.

Pavarësisht se Kosova është shtet i ri dhe demokracia është e re, por kjo demokraci nuk e ka një trashëgimi të mirë, e cila pavarësisht politikës, administrata dhe institucionet shtetërore do të duhej të funksionojnë pa problem.

Derisa në vendet me një demokraci më të avancuar qeveritë bien dhe vijnë brenda gjashtë muajsh, po atje vazhdimisht funksion shteti, administrata dhe këto nuk i vëren investitori dhe qytetari.

Është ndoshta mentaliteti ballanik, që është i lidhur tepër më institucionet dhe kjo krijon ngërç ekonomik.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, bizneset kosovare prapë kanë shfaqur pakënaqësitë për situatën e të bërit biznes në vend. Cilat janë veprimet e nevojshme në këtë fushë?

AGIM SHAHINI

Pavarësisht se shumë raporte ndërkombëtare dhe vendore e rangojnë Kosovën se është më mirë për të bërë biznes, por kjo më tepër i referohet administratës siç është regjistrimi i biznesit, taksa në paga, por vetëm kur biznesi regjistrohet, shihet sa vështirë është të bësh biznes në Kosovë. Atëherë fillojnë ngarkesat administrative, të cilat janë tepër të larta, duke filluar nga taksa komunale, e cila fillon në momentin kur regjistrohet biznesi, duke filluar nga infrastruktura fizike, e cila është energjia elektrike, që është shumë e shtrenjtë , qiratë nuk janë aq të lira në Kosovë dhe hapësira për biznes është tepër e kufizuar.

Kur them tepër e kufizuar, them se politikat fiskale e kufizojnë fuqinë për të bërë biznes dhe kjo e kufizon edhe eksportin, punësimin dhe investimet. Muaj më parë se bashku më institucionet shtetërore të Kosovës kemi proklamuar që do të ketë lehtësira, por ato lehtësira ende nuk kanë ndodhur.

Ende nuk ka ligj për të mbrojtur prodhimin vendor, biznesin vendor, për derisa disa shtete tjera këtë e bëjnë. Në si AKB kemi propozuar te legjislacioni i kaluar, një ligj që bashkë me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për të mbrojtur prodhimin vendor, është miratuar nga Qeveria, ka shkuar në Kuvend, por e ka kthyer prapa.

Sikur të ishte ky ligj, ne nuk do të kishim protesta të bizneseve që kohëve të fundit kanë dal në rrugë, dhe protestojnë për shkak se nuk kanë mbrojtje shtetërore për prodhimin e vet.

RADIO EVROPA E LIRË
Vazhdimisht është përmendur se sektori bankar, konkretisht normat e larta të interesit për kredi, po ndikojnë në zhvillimin e afarizmit të ndërmarrjeve. Ka ndonjë përmirësim në këtë kuadër?

AGIM SHAHINI

Ky sistem bankar në Kosovë nuk po tregon një partneritet të mirëfilltë më bizneset jo bankare. Dhe, kjo shpesh po i vë në pozicion të paëlakmuar bizneset. Këto biznese me këtë interes aq të lartë, me greis - periudhë të shkurtë, po i vë në vështirësi - nuk po mund të zhvillohen si kompani, por njëkohësisht nuk po arrijnë as t’i kthejnë kreditë. Dhe kjo për fat të keq ka ndikuar në rritjen e shkallës se kredive të këqija, që është një mesazh i keq. Por bankat komerciale vazhdimisht akuzojnë Bankën Qendrore, gjë qe ne si AKB, e vlerësojmë se nuk është e drejtë kjo akuzë, sepse të gjitha bizneset bankare në Kosovë janë individuale dhe mund të krijojnë më shumë hapësirë për biznese, të japin kredi më të volitshme.

Në një hulumtim që vite më parë ka bërë aleanca, te bizneset e falimentuara, ka rezultuar se 25 për qind prej tyre kanë falimentuar në pamundësi të pafuqisë së kthimit të kredisë për shkak normave të larta të kredive dhe vështirësive të tjera. Prandaj, ky është një mesazh që duhet t’u drejtohet bankave, të cilat për fat të keq shumica janë jo vendore. Sikur të ishin vendore do të krijonin politika më të mira për biznes vendor, por fuqia për të pasur një bankë vendore është ndoshta më e kufizuar. Edhe krijimi i monopoleve për licencim të bankave ekziston, ekziston në mënyrë jo të shkruar, dhe kjo bën që të kufizohemi në këto banka që i kemi dhe në shërbimet e tyre shumë të shtrenjta.

RADIO EVROPA
Tashmë së fundmi kemi edhe paralajmërimet për shtrenjtim të energjisë elektrike. Shtrenjtimi eventual si do të ndikojë te ndërmarrjet dhe sektori privat, në përgjithësi?

AGIM SHAHINI

Ne, si Aleancë e Biznesit, kemi dhënë opinionet tona publike, që shtrenjtimi i energjisë elektrike është një moment tepër i vështirë për bizneset. Një shtrenjtim të tillë e kemi pasur ditë më parë rreth 4.7 për qind dhe tashmë kërkohet 5 për qind . Kjo është një ngarkesë, kur dihet se energjia elektrike në çdo subjekt afarist është faktor numër një.

Për këtë KEDS- është arsyetuar se pas avarisë që ka ndodhur në Termocentralin “Kosova A” duhet të investohet dhe duhet përgatitur për sezonin e dimrit. Ne këto probleme i kemi pasur edhe gjatë operimit të KEK-ut, që ka qenë kompani publike. Dhe në pamundësi për të plotësuar kërkesat është ardhur deri te një vendim për privatizim të KEK-ut, në mënyrë që të kemi shërbime më të mira, më cilësore dhe më të lira.

Përkundrazi, tashmë KEDS-in e kemi shndërruar në një investitor të përdhelur të institucioneve shtetërore, që vazhdimisht kërkon subvencione nga shteti, por njëkohësisht edhe ngarkesa për qytetarët. Dhe, këto ngarkesa janë të shtrenjta, edhe për qytetarë, edhe për biznese, sepse e shtrenjton dhe e kufizon fuqinë prodhuese dhe në mënyrë direkte dhe indirekte ndikon edhe në eksport, investime dhe punësim. Energjia elektrike në Kosovë po thuajse është më e shtrenjta në rajon, për veç kësaj kjo energji asnjëherë nuk është e sigurt.