Pak perspektivë për të rinjtë e Kosovës

Ilustrim

Në Kosovë pjesa më e madhe e popullatës janë të rinj. Por, edhe Dita e Kombeve të Bashkuara për të Rinjtë, Kosovën e gjen me shumë të rinj të papunë, pa liri të lëvizjes dhe pa perspektivë, thonë të rinjtë e anketuar për Radion Evropa e Lirë.

Ramadan Lecaj, 19-vjeçar, student në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, thotë se në Ditën Ndërkombëtare për të Rinjtë, Kosova atij i ofron shumë pak mundësi.

“Po mendoj që duhet të ketë më shumë aktivitete, edhe pse nuk është që nuk ka. Mendoj se çdo vit e më shumë të rinjtë po inkuadrohen, por mendoj se nuk është e mjaftueshme, pasi që papunësia dhe varfëria është e shprehur. Pjesa e të pasurve po shkon duke u pasuruar, e pjesa e mesme po zhduket”, thotë Ramadani, duke përmendur edhe çështjen e vizave:

Sa i përket vizave, për shembull, ne jemi duke jetuar me një shtet nën grila. Për viza është shumë e vështirë, pasi që edhe viza për shkollë, për udhëtime nuk japin”.

Ndryshe, raporti i radhës i Këshilli të Evropës lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili pritet të publikohet në ditët në vijim, do të jetë vetëm edhe një hap i rëndësishëm para në këtë proces, por jo edhe përmbyllje e procesit, vlerësojnë njohësit e proceseve të integrimeve evropiane në vend.

Njohës të proceseve integruese, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë disa herë se Kosova ka ende shumë për të bërë për ta merituar liberalizimin e vizave.

Sipas tyre, infrastruktura ligjore e miratuar nga institucionet e Kosovës, për të qenë në përputhje me infrastrukturën ligjore të Bashkimit Evropian, duhet edhe të zbatohet.

Edhe Diana Morina, 20 vjeçe, studente në Fakultetin e Muzikës pohon se Kosova ofron pak mundësi, ndërkohë që kufizimi i lëvizjes- mosliberalizimi i vizave, sipas saj, është një barrierë më shumë që duhet hequr.

“Mendoj se Kosova iu ofron shumë pak mundësi të rinjve. Mendoj se duhet rregulluar raportet me shtetet përreth. Gjithashtu, duhet të bëhet edhe liberalizimi i vizave”, shprehet Diana.

Ndërkaq, edhe Argjira Ramosaj, ekonomiste me profesion, konsideron se ka një rritje të mundësive për të rinjtë e Kosovës.

“Mundësitë kanë filluar të rriten dhe të zhvillohen. Por, nëse krahasohet me vendet tjera, mendoj se Kosova ofron më së paku mundësi që të zhvillohemi si shoqëri. Janë edhe disa faktorë tjerë, si emancipimi, edukimi, arsimimi, që mendoj se janë faktorë shumë të rëndësishëm, e që duhet punohet në këtë drejtim”, konsideron ajo.

Por, as Argjira Ramosaj nuk e lë pa e përmendur liberalizimin e vizave si një mundësi nga e cila është e privuar shoqëria jonë:

“Normalisht, rëndësia e lëvizjes së lirë është shumë e madhe. Ne, si shoqëri, jemi të privuar nga lëvizja e lirë. Ne kemi të drejtë si të gjitha vendet e rajonit të jemi të lirë. Por, mendoj se edhe këtij problemi do t’i hyhet shpejt. Kjo nuk duhet të jetë mundësia e fundit për shoqëri, pasi që duhet të shihet mundësia në ambientin brenda Kosovës”.

Albani, 22-vjeçar, student në Fakultetin Ekonomik, thotë:

“Shumë pak mundësi kanë të rinjtë në Kosovë. Sidomos kur bëhet fjalë që të rinjtë të shëtisin në Evropë, për shkak të liberalizimit të vizave. Mendoj se shkak është edhe papunësia e madhe në Kosovë. Andaj mendoj se mundësitë që i ofron Kosova për të rinjtë, janë tejet të vogla në shumë aspekte”.

Drita Cana, 23 vjeçare, studente e Fakultetit të Pedagogjisë, si prioritet për ofrimin e shumë mundësive e sheh liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të të rinjve.

“Mundësitë janë shumë të pakta. Pos shkaqeve ekonomike, mendoj se vizat janë primare. Ndoshta sa i përket të hollave, ndonjëherë do të mund t’i mblidhnim në mënyrë që të dalim në Evropë dhe të shohim diçka, por që të marrim vizë, është shumë e vështirë. Kam aplikuar për vizë disa herë, por jam refuzuar”, tregon Drita.

Dita Ndërkombëtare e Rinisë më 12 gusht është caktuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1999, me miratimin e rezolutës 54/120. Ajo është menduar si një mundësi për qeveritë dhe të tjerët për të tërhequr vëmendjen për çështjet rinore në mbarë botën.