Migrimi, ende dëshirë

Ilustrim

Në Kosovë nuk po zbehet interesimi i qytetarëve për të migruar. Përveç situatës ekonomike, sistemit të shkollimit, krimit dhe korrupsionit, edhe pamundësia e qytetarëve kosovarë për të lëvizur lirshëm, pa viza, në zonën evropiane, janë faktorët kryesorë që kosovarët dëshirojnë të lëshojnë Kosovën, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Dren Doli, nga Instituti për Studime Juridike dhe Politike, thotë se personat e prirë të migrojnë janë, kryesisht të rinjtë nga 25 deri 35 vjeç që kanë përfunduar studimet dhe nuk arrijnë të punësohen në profesionet e tyre.

Kategori tjetër që dëshiron të migrojë, sipas tij, janë edhe personat që nuk kanë njohuri të duhur për politikat e migrimet të Bashkimit Evropian.

“Ekzistojnë edhe disa arsye tjera kryesisht kanë të bëjnë me njohuritë e qytetarëve, sidomos të kësaj moshe, me atë se çka ofron Bashkimi Evropian, apo çfarë sot ofron Evropa për qytetarët e Kosovës. Dhe, shumica e qytetarëve mendojnë se ende kosovarët mund të kenë, apo të fitojnë azil ekonomik apo politik në vendet e Bashkimit Evropian “, thotë Doli për Radion Evropa e Lirë.

Deri në 25 për qind e qytetarëve janë të interesuar të migrojnë apo kanë plane të tilla, thuhet edhe në anketën e fundit të Agjencisë se Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (UNDP).

Bujari, një i ri nga Prishtina, që punon herë pas here në sektorin privat, thotë se në kërkim të një të ardhme më të mirë, me dëshirë do të braktiste Kosovën.

“Normalisht se e kisha lëshuar, sepse kushtet janë shumë të këqija për një jetë normale në Kosovë”, shprehet Bujari.

Por, përveç tentimit të largimit jo të rregullt, kohëve të fundit është rritur trendi i aplikuesve për shpërngulje në Kanada dhe Australi, përmes programit të Migrimit, thotë Elbasan Morina, udhëheqës i Institutit për Menaxhim dhe Zhvillim, organizatë kjo që ka përgatitur disa projekte për diasporën.

Në një përgjigjeje nëpërmjet postës elektronike, Morina tregon se vendet më të preferuara janë, kryesisht Gjermania, Zvicra, Austria, ku kryesisht ka edhe shumë kosovarë, Francë - për shkak të sistemit social dhe siç thotë ai, fjalëve që qarkullojnë se në mënyrë të lehtë fitohet azili.

Në anën tjetër, zyrtarë të Policisë së Kosovës tregojnë statistikat sa i përket kontrabandës me emigrantë dhe trafikimit me njerëz. Baki Kelani, për Radion Evropa e Lirë, thotë se sa i përket aspektit të kontrabandës me emigrantë, autoritetet e rendit i kushtojnë rëndësi të veçantë luftimit kësaj dukurie.

“Për këtë mund të themi se në periudhën gjashtë mujore të këtij viti, si raste të evidentuara në bazë të Kodit Penal – kontrabandim me emigrantë, neni 270 Policia e Kosovës i ka të hapura 14 raste”.

“Ndërsa, sa i përket rastit të trafikimit me njerëz në bazë të Kodit Penal, në bazë të nenit 171, Policia e Kosovës i ka të hapura 17 raste, duke mos përfshirë trafikimin në prostitucion dhe gjëra të tjera”, bën të ditur Kelani.

Migrimi jo i rregullt është njeri prej proceseve që po i shkakton dëme procesit të liberalizimit të vizave, thotë Dren Doli.

“Kjo është çështja kryesore, migrimi në Bashkimin Evropian është çështja kryesore kundrejt të cilit çdo vend, sidomos Gjermania dhe vendet ku ka numër më të madh të kosovarëve, vlerësojnë para se të japin dritën e gjelbër nëse kosovarëve duhet t’u mundësohet migrimi”, thekson Doli.

Ndryshe, autoritetet kompetente tashmë sa herë kanë deklaruar se koha e migrimit ilegal ka përfunduar dhe Kosova është në proces të liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian, për lëvizje të lirë në shtetet anëtare të BE-së.
Sipas tyre, migrimi jashtë vendit duhet bërë në forma ligjore, duke përfshirë këtu migrimin për qëllime studimi, punësim sezonal, shkëmbime eksperience, si dhe trajnime të ndryshme.