Të gjitha partitë ia mësyjnë qeverisë

Ilustrim

Të gjitha partitë politike që kaluan pragun zgjedhor synojnë të përfshihen në qeverinë e ardhshme.

Aktualisht, janë dy opsione për krijimin e qeverisë së re. Pretendime për të marrë nën drejtim institucionet e reja pas zgjedhjeve të 8 qershorit kanë si Partia Demokratike e Kosovës, në njërën anë, ashtu edhe blloku i partive LDK, AAK dhe Nisma me mbështetjen e Vetëvendosjes, në anën tjetër.

Kryetari i PDK-së, njëherësh kryeministri në largim Hashim Thaçi, ka përsëritur se vetëm partia e tij, si fituese e zgjedhjeve, ka të drejtë ligjore për të formuar qeverinë e re.

Këto komente, ai i ka bërë në Komunën e Suharekës ku po përcillte nga afër korrje-shirjet në atë pjesë të Kosovës.

Ndërkohë, pavarësisht se nuk i fituan zgjedhjet, duke u lidhur në një koalicion pas zgjedhor, pretendime për të formuar qeverinë kanë tash e një muaj edhe blloku i partive LDK, AAK dhe Nisma, që mbështeten edhe në përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka deklaruar se grupe të ekspertëve nga tri partitë e bllokut LDK-AAK-Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje, janë duke punuar për të përafruar pikat e përbashkëta programore.

Sipas tij, këto tri parti politike me mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, do të arrijnë të krijojnë qeverinë dhe ta marrin pozitën e kryetarit të Kuvendit.

“Ata që e krijojnë shumicën, duhet ta qeverisin vendit. Kërkesën e Vetëvendosjes që përgjigjja të kthehet deri të dielën, nuk e quajmë si një ultimatum. Por, ne jemi në bisedime dhe është e natyrshme që secili subjekt politik në qeveri të ketë pikat kryesore të programit të tyre”, ka thënë Limaj.

Blloku prej partive LDK, AAK dhe Nisma nuk mund të shpresojw të arrijë shumicën e nevojshme në Kuvend, pa mbështetjen e Vetëvendosjes.

Kjo e fundit, e ka kushtëzuar këtë mbështetje me ndryshimin e pozicionit të qeverisë së ardhshme karshi dialogut me Serbinë dhe ndryshimin e politikave të privatizimit.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se partia e tij është e gatshme të përfshihet edhe në qeveri me LDK-në, AAK-në dhe Nismën, por paraprakisht ka kërkuar marrëveshje, ku parashihet edhe pranimi i kërkesave të Vetëvendosjes, qw të jetë me shkrim dhe të finalizohet deri të dielën.

“Vota e Vetëvendosjes duhet të paraprihet prej një marrëveshje paraprake dhe kjo marrëveshje paraprake e ka afatin e 13 korrikut”, ka theksuar Kurti.

Të shtunën, kryetari dhe kryesia e përbërjes së kaluar të Kuvendit do të mblidhen në Prishtinë me liderët e partive politike që kanë siguruar vende në Kuvend.

Në atë takim, pritet të bëhet propozimi i rendit të ditës për seancën konstitutive të Kuvendit që është thirrur për datën 17 korrik.

Në atë seancë, pika kryesore pritet të jetë ajo e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.