Ndërlidhjet

Kushti i dialogut me Serbinë për koalicionin LDK, AAK dhe Nisma


Udhëheqësit e partive të koalicionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma, janë pritur të martën në një takim në selinë e Vetëvendosjes, nga lideri i saj, Albin Kurti.

Temë diskutimesh u tha se ka qenë seanca konstitutive e Kuvendit më 17 korrik si dhe koordinimi i hapave politik me synimin që qeveria dhe organet drejtuese të Kosovës të ndërtohen nga ky bllok, pa Partinë Demokratike të Kosovës.

Një nga kushtet kryesore që Kurti dhe Vetëvendosje u ka vënë liderëve të partive të koalicionit, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj për të mbështetur qeverinë e re të krijuar nga ky bllok, është ndryshimi i pozicionit dhe vendosja e parimeve në lidhje me dialogun më Serbinë.

Pas një takimi që ka zgjatur më shumë se një orë, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka theksuar se nuk është kundër bisedimeve, por ato sipas tij, duhet të kenë disa parime të vendosura nga qeveria e ardhshme e Kosovës.

”Ne nuk jemi kundër dialogut në parim, por në gjithsesi që jemi kundër dialogut pa parime. Le të mos harrojmë që çdo dialog ka kushte dhe dialogu që e ka zhvilluar kryeministri në ikje, dhe zëvendëskryeministrja në ikje, ka qenë dialog me kushte, por dialog me kushte të Serbisë”, ka thënë Kurti.

Nisur nga ky pozicion i Vetëvendosjes, Kurti ka thënë po ashtu se po bisedohet me liderët e LDK-së, AAK-së dhe partisë Nisma për një dialog me parime që do të dallonte nga ai që ka zhvilluar qeveria e Thaçit.

“Ka përafrime, por tash ka ardhur koha t’i diskutojmë edhe hollësitë dhe mendojmë se ka ardhur koha që në bisedime t’i përfshijmë edhe profesionistë dhe ekspertë të ndryshëm, të cilët do të marrin pjesë në takimet e ardhshme”, është shprehur Kurti.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës kryesisht ka zgjedhur formën e heshtjes mediale. Zyrtarët e saj, po i shfrytëzojnë rrjetet sociale për prezantimin e pikëpamjeve të tyre.

Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, zyrtari i PDK-së, Arsim Bajrami, ekspert i çështjeve kushtetuese, ka shkruar në lidhje me procedurat që ndiqen gjatë thirrjes së seancës konstitutive të Kuvendit dhe zgjedhjes së kryetarit të këtij organi.

Ai i ka dhënë përparësi dhe të drejtë kushtetuese PDK-së, si parti që ka fituar në zgjedhje që të njihet si grupi më i madh parlamentar, me çka do të fitonte me automatizëm të drejtën e kandidimit për kryetar të Kuvendit.

Deri në seancën konstitutive të Kuvendit më 17 korrik, liderët partive politike pritet të zhvillojnë një takim edhe me kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit nga përbërja e kaluar për të propozuar rendin e ditës së seancës e cila do të shërbejë si tranzicion në mes dy legjislaturave.

E në rast se të dy blloqet politike nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje në pikën që ka të bëj me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, atëherë mund të pritet që të kërkohet sërish interpretimi i Gjykatës Kushtetuese.

Në të kundërtën, dështimi në këtë pikë do ta çonte Kosovën në zgjedhje të parakohshme, pasi që pa zgjedhjen e organeve drejtuese të Kuvendit nuk mund të procedohet tutje në zgjedhjen e qeverisë së re.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG