Ndërtimi i sheshit “Mbreti Lazar” i cili prek cepin verior të urës qendrore mbi lumin Ibër, që ka nisur ditën e mërkurë, me vendimin e organeve komunale të Mitrovicës së veriut, ka nxitur si kundërpërgjigje, vendosjen e një cilindri të betonit me diametër 1.5 metra, në udhëkryqin kryesor në Lagjen e Boshnjakëve nga banorët shqiptarë, duke e emërtuar atë Sheshi “Adem Jashari”.
Njohësit e zhvillimeve politike në vend, vlerësojnë se veprimet e fundit në Mitrovicën e veriut, tregojnë aksionin dhe reaksionin që po ndodh atje, duke krijuar, siç e quajnë ata “lojën me sheshe”.
Politologu Belul Beqaj duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se zhvillimet e fundit në Mitrovicë, janë pasqyrim i mosbesimit të qytetarëve në atë pjesë të vendit ndaj premtimeve që kanë dhënë zyrtarët që kanë përpiluar marrëveshjen e Brukselit, përfshirë këtu të tria palët, Prishtinën, Beogradin dhe Brukselin.
“Në fakt, po vërtetohet argumenti se çështja e mosbesimit është thelluar karshi besimit, të cilin e kanë premtuar zyrtarët, që ishin përpilues të marrëveshjes së Brukselit. Prandaj, duke zgjidhur problemet e vogla, përmes krijimit të problemeve të mëdha, nuk mund të shpresojmë se situata do të shkojë drejt stabilizimit”.
“Përkundrazi, do të jetë një proces i ngritjes së tensioneve, të cilat nuk do ta kenë epilogun e qartë, por është e qartë se situata nuk po shkon në frymën e pritjeve të premtimeve, të cilat i kanë dhënë zyrtarët deri më sot”, thotë Beqaj.
Halil Matoshi, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se ato që po ndodhin në Mitrovicën e veriut me ndërtimin e shesheve nga organet komunale në njërën anë, dhe në anën tjetër edhe nga banorët shqiptarë, është një lojë jo vetëm politike, por edhe emocionale.
“Tashmë ka marrë karakteristikat e disa performancave cinike, sepse duket që serbët kosovarë, serbët e veriut, tashmë nuk kanë probleme vetëm me Prishtinën, por kanë probleme edhe me Beogradin zyrtar. Në këtë ‘garë sheshesh’, ta quaj kushtimisht, po vjen në shprehje një etno-nacionalizëm primitiv dhe po ndiqet, për fat të keq, edhe nga pala shqiptare. Kjo objektivisht po dëshmon se nacionalizmat janë të ngjashëm ose janë thuajse të njëjtë”, konsideron Matoshi.
Por, çfarë pasojash mund të prodhojë situata e tanishme në Mitrovicën e veriut?
Njohësit e zhvillimeve politike kanë vlerësime të ndryshme.
Politologu Beqaj, thotë se serbët e veriut, por edhe Beogradi zyrtar, janë duke e shfrytëzuar situatën paszgjedhore në Kosovë, e cila ende është pa Kuvend dhe pa qeveri të re.
“Derisa pushtetarët potencialë merren me konsolidimin apo prodhimin e forcave të veta për ndërtimin e pushtetit, kjo situatë do të shfrytëzohet nga serbët për ta konsoliduar fuqinë në pjesën veriore. Aktualisht, pushteti i Kosovës, veçmas pushteti qendror, të shprehem me gjuhën sportive, është në “off-side” (jashtë loje)".
"Derisa të jetë pushteti qendror në off-side, pritet që pala serbe të bëjë veprime, të cilat janë në kuadër të konceptit të tyre për faktorizimin e mëtutjeshëm në veri dhe pastaj edhe për krijimin e mundësisë, pas formimit të Bashkësisë së komunave serbe, që të bëhet një lloj i autonomisë së veçantë në atë pjesë”, vlerëson Beqaj.
Por, analisti Matoshi vlerëson që nuk do të ketë tensione të intensitetit të lartë në veri të Kosovës, megjithëse kjo hapësirë mbetet vatër potenciale e krizës.
Megjithatë, sipas tij, me akte sikurse është edhe “loja e shesheve”, po mbahet gjallë konflikti dhe kjo po shfrytëzohet, sidomos nga serbët e veriut, për shkak të pushimit të përkohshëm të bisedimeve që janë pasojë e ndryshimit të strukturave politike në Serbi dhe në Kosovë.
“Nacionalistët e tërbuar po e përdorin këtë ‘pauzë’ që thjesht, të mbjellin sherr. Por, unë them se bisedimet do të vazhdojnë dhe agjenda e Brukselit do të ecë përpara, pa marrë parasysh se kush do t’i ndërtojë institucionet e vendit në Kosovë dhe se këto performanca, prapë po e them se nuk besoj se mund të shpijnë në ndonjë konflikt më të hapur apo të intensitetit më të lartë”, thekson Matoshi.
Ndryshe, autoritetet komunale të Mitrovicës së veriut kanë theksuar se ndërtimi i sheshit “Mbreti Lazar” dhe shndërrimi i disa rrugëve në zona për këmbësorë është në përputhje me statutin e kësaj komune.
Në anën tjetër, autoritetet e komunës së Mitrovicës së jugut, ndërtimin e sheshit në cepin verior të urës qendrore mbi lumin Ibër e kanë quajtur si veprim joligjor të drejtuesve të Komunës në veri të Mitrovicës.