Maqedoni: Presion edhe mbi mediat

Protestat në Shkup

Raportimi i mediave gjatë protestave të ditëve të fundit në Shkup dhe qytete tjera të Maqedonisë, ka nxitur polemika në opinion, nëse informimi i tyre është nxitës apo objektiv.

Në një komunikatë të VMRO-DPMNE-së, të kryeministrit Nikolla Gruevski, të publikuar ditë më parë, mediat në gjuhën shqipe janë apostrofuar si nxitëse të mosdurimit ndëretnik duke akuzuar partinë në pushtet se qëndron pas gjykimit me burgim të përjetshëm të personave të akuzuar për rastin “Montra“.

“Tani më është bërë praktikë që një pjesë e redaktorëve dhe gazetarëve të mediave në gjuhën shqipe si dhe disa analistë dhe politikanë, në situatë krize gishtin t'ia drejtojnë në mënyrë direkte apo indirekte VMRO DPMNE-së dhe udhëheqësisë së saj duke i akuzuar për gjithçka që lidhet me nxitjen e ndjenjave negative te shqiptarët e Maqedonisë“, thuhet mes tjerash ne reagimin e VMRO DPMNE-së, duke mohuar çfarëdo ndikimi mbi pushtetin gjyqësor apo punën e mediave.

Por, një vlerësim i këtillë i partisë së Gruevskit, është kundërshtuar nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.

Kryetar i saj, Naser Selmani, thotë për Radion Evropa e Lirë, se gazetarët janë të hapur për pranuar çdo vërejtje që mund të vijë, por, pretendimet e partisë në pushtet, sipas tij, janë krejtësisht të pa baza dhe tendencioze.

“Është e patolerueshme që kryeministri i vendit ditëve të fundit të marr rolin e kryeredaktorit të mediave në gjuhën shqipe duke u mbajtur leksion se si duhet të raportojnë. Unë, kam ndjekur raportimin e mediave në gjuhën shqipe dhe aj ka qenë një raportim profesional duke informuar si për dhunën e protestuesve, ashtu edhe për dhunën e policisë të ushtruar ndaj protestuesve".

"Shfaqja e skenave të dhunës të policisë në opinion ka qenë ajo që ka shqetësuar partinë në pushtet. Çështja tjetër që ka shqetësuar pushtetin ka qenë se mediat shqipe kanë kritikuar mënyrën se si është zhvilluar hetimi për rastin 'Monstra', dhe nëse pushteti bën presion që të pengoj median në kryerjen e këtij misioni, kjo nuk do të thotë asgjë tjetër, përveç se pengim i punës së mediave dhe shkelje e fjalës së lirë të garantuar me Kushtetutë“, thotë Selmani.

Por, nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë mohuar rastin duke thënë se personi në fjalë është ndaluar si pjesëmarrës në protestë dhe jo si gazetar.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka bashkëpunim korrekt dhe transparent me mediat dhe gazetarët. Kemi pasur protesta të shumta, por mund të them se MPB-na nuk ka pasur asnjë problem me gazetarët, përkundrazi këta të fundit kanë pasur më shumë probleme me pjesëmarrit në protesta që kanë sulmuar gazetarët. Sa i përket rasteve të fundit dhe pretendimeve për ndalimin e gazetarëve mund të them se kjo nuk qëndron".

"Arrestim i gazetarit nuk është bërë për shkak të profesionit të tij, por për shkak të informacioneve se i njëjti ka marr pjesë në protestë. Ai gjatë ndalimit nga policia nuk ka pasur me vete asnjë dokument për të dëshmuar se është gazetar apo ndonjë dëshmi tjetër se është duke raportuar për protestat“, ka deklaruar zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.

Por, pretendimet e tilla i hedh poshtë, kryetar i SHGM-së, Naser Selmani.

“Është detyrë e policisë që të ofrojë siguri për gazetarët gjatë përcjelljes së protestave. Në vend se këtë ta bëj, policia përpiqet që të implikojë gazetarët sikur kanë qenë pjesë e turmës. Kjo është një sjellje e cila ka për qëllim të diskreditoj rolin e medias dhe ta paraqes gazetarët dhe punën e tyre si të pabesueshme".

"Mendoj se nuk është policia e cila ajo që duhet të tregoj se kush është e kush nuk është gazetar. Nëse media thotë se dikush tek ta punon si gazetar, atëherë nuk ka askush të drejtë të ndërhyjë në këtë punë“, thotë Selmani.

Ai shton se gazetarët në të shumtën e rasteve nuk mbajnë shenja identifikuese pasi ata jo rrallë herë kanë qenë edhe në shënjestër të protestuesve, ndërkohë që policia nuk ka ndërhyrë asnjëherë për mbrojtjen e tyre.

Selmani, megjithatë i bën thirrje gazetarëve që të jenë të kujdesshëm gjatë raportimit dhe të paktën të bartin me vete legjitimacionet që të mos jenë cak i sulmeve të ndryshme.