Rama mbështet aksionin e policisë në Lazarat

Lazarat

Policia po vazhdon aksionin e saj në Lazarat në ditën e katërt.

Uniformat blu nuk kanë hyrë në të gjithë fshatin, por ata po vazhdojnë avancimin e tyre nga shtëpia në shtëpi.

Sipas policisë, janë shkatërruar rreth 70 mijë rrënjë kanabis dhe janë kapur 11 tonë drogë e tipit marihuanë, si dhe janë zbuluar dy laboratorë për përpunimin e drogës, që besohet se janë në pronësi të vëllezërve Mahmutaj.

Gjatë mbrëmjes së të martës e mëngjesit të së mërkurës ka pasur të shtëna dhe shkëmbime zjarri nga një grup, kryetari i të cilit është identifikuar nga policia si Altin Shurdhi.

Ndërkohë, i vetë-dorëzuari Gate Mahmutaj, është shoqëruar të mërkurën nën masa të larta sigurie nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në Tiranë. Ai do të paraqitet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të enjten.

Gjatë dëshmisë paraprake në Gjirokastër, ai nuk ka pranuar asnjë akuzë duke deklaruar se nuk ka marrë pjesë në rezistencën ndaj policisë.

Pas ndërhyrjes së Policisë së Shtetit në Lazarat, kryeministri Edi Rama shprehet se ajo po i ngre kokën lart Shqipërisë në Evropë, duke e fshirë Lazaratin nga harta evropiane e drogës.

“Policia e Shtetit po i ngre kokën lart Shqipërisë në Evropë me operacionin për fshirjen e Lazaratit nga harta evropiane e drogës!#Mirënjohje”, shkruan Rama në Twitter.

Ai më tej ka kërkuar që qytetarët të solidarizohen me Policinë e Shtetit.

Kryetari I Komunës së Lazaratit Dashamir Aliko tha se banorët e Lazaratit kanë vendosur të distancohen nga njerëzit që qëllojnë ndaj policisë, dhe se lazaratasit mbështesin shtetin.

Ndërkohë ditën e martë u dorëzua një prej personave që akuzohen nga policia se kanë bërë rezistencë të armatosur ndaj policisë.

Razip Rustem Mahmutaj, i njohur dhe si Gate Mahmutaj, ishte shpallur prej dy ditësh në kërkim. Në shtëpinë e tij policia ka gjetur gjatë kontrollit bimë narkotike.

Gjatë hyrjes në Lazarat, policia ka zbuluar një banesë e cila shërbente si laborator për përpunimin e drogës. Mendohet se kjo banesë është në pronësi të Gate Mahmutajt.

Ditën e hënë në disa kapanone qe janë në pronësi të Gate Mahmutajt, si dhe në tokën në administrim të tij u gjetën, u fiksuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të konsiderueshme të gëzhojave të kalibrave të ndryshme, që janë përdorur gjatë sulmit ndaj forcave të policisë.

Policia nisi hyrjen nga rrethinat e fshatit, dhe nisi djegien e parcelave me kanabis. Duke parë ecurinë e forcave të policisë, djegia e parcelave ka nisur edhe nga vetë banorët.

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të plagosur dy civilë si dhe një efektiv I policisë. Të tre janë jashtë rrezikut për jetën.

800 forca policore nga Tirana, Gjirokastra, Fieri dhe Shkodra, po ashtu forcat RENEA, Delta Forcë dhe forcat speciale po avancojnë shtëpi më shtëpi në Lazarat.

Ndërkohë gjatë mesditës së të martës, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka zhvilluar një takim në drejtorinë e policisë së Qarkut të Gjirokastrës.