Ndërlidhjet

Vazhdon aksioni në Lazarat


Aksioni i Policisë së Shqipërisë në Lazarat
Aksioni i Policisë së Shqipërisë në Lazarat
“Atij grupi kriminelësh që kanë ngritur krye kundër shtetit, iu ka ardhur ora”, kështu është shprehur ministri i Rendit Saimir Tahiri menjëherë pas takimit që ka patur mesditën e sotme në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës me kryetarin e Komunës së Lazaratitit, Dashamir Aliko.

I pranishëm në takim ka qenë edhe drejtori i policisë së shtetit Artan Didi, si dhe prokurori I Gjirokastrës.

“Do të marrim nën kontroll cdo centimetër të Lazaratit. Ky aksion do të vazhdojë, policia do të kryejë detyrën” - tha për gazetarët ministri Tahiri menjëherë mbas takimit.

“I kujtoj kryetarit të Komunës, të marrë përsipër detyrimet që ka", tha ministri Tahiri dhe tha "mos të bëhet palë me ata që gjuajnë me armë.”

Më herët, ka qenë Drejtori i Policisë se Shtetit Artan Didi, në një komunikim me median ditën e sotëme, deklaron se: ”aksioni në Lazarat do të vazhdojë deri në asgjesimin e plotë të bimëve narkotike. Nuk di që grupi që bën rezistëncë të ketë lidhje me politikën, por ne do të përpiqemi që operacioni të mbyllet pa viktima.”

Ndërkohë operacioni policor në fshatin Lazart, ka hyrë ne ditën e tretë sot.

Tetëqind forca policore nga Tirana, Gjirokastra, Fieri dhe Shkodra, po ashtu forcat RENEA, Delta Forcë dhe forcat speciale po avancojnë shtëpi më shtëpi për marrë nën kontroll situatën, pasi gjatë mbrëmjes kanë vijuar të shtënat e armëve pa pushim.

Për pasojë, raportohet se një bari 19 vjecar është plagosur si pasoje e shkembimit të zjarrit. Me këtë, numri i të plagosurëve, ka shkuar në 2. Më herët është raportuar se një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ka mbetur i plagosur rreth orës 02:00 pas mesnate.

Policia kishte sqaruar se i plagosur ka mbetur efektivi S.M, punonjës i Komisariatit të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër.

Ai është plagosur në dorë dhe në këmbë, por aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Mësohet se në mëngjes 4 autoblinda të nisura nga fshati Derviçan, arritën të hyjnë në Lazarat, ku situata vazhdon të jetë e tensionuar prej mbrëmjes të së dielës.

Sipas burimeve policore, bëhet me dije se uniformat blu po bëhen gati për ndërhyrjen masive në Lazarat.

Ministria e Brendshme u bën thirrje banorëve të Lazaratit të mos dalin nga shtëpitë dhe të distancohen nga elementët kriminalë.

Gjithashtu policia edhe sot u ka bërë thirrje personave që bëjnë rezistencë të ulin armët.

Nga ndërhyrja e djeshme në Lazarat, policia arriti të hynte në depotë që ishin në pronësi të Gate Mahmutajt, personi me precedent penal i liruar në vitin 2006, dhe nga kapanonet e të cilit iu bë qëndresë me armë policisë.

Nga veprimet e kryera në këto objekte pronë e shtetasit Gate Mahmutaj, si dhe në tokën në administrim të tij u gjetën, u fiksuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të konsiderueshme të gëzhojave të kalibrave të ndryshme, që janë përdorur gjatë sulmit ndaj forcave të policisë.

Gjithashtu u gjetën dhe asgjësuan:
  • 7 parcela me 10 mijë bimë narkotike kanabis sativa, që varionin nga 50 cm-1 metër lartësi
  • 1000 fidanë kubikë të gatshëm për kultivim në depo.

Po ashtu u konstatuan, duke u djegur 6 fuçi me marihuanë, të cilave ua kishte vënë zjarrin vetë i dyshuari, me qëllim eliminimin e provës, si dhe sasi të tjera lëndë narkotike të konsiderueshme të pa paketuara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG