Mbyllja e “Kosovës A” lë pa punë mbi 1500 punëtorë

Termocentrali "Kosova A"

Termocentrali “Kosova A” duhet të mbyllet deri në fund të vitit 2017, është zotuar Republika e Kosovës më marrëveshjen e Komunitetit të Energjisë së Evropës Juglindore.

Por, a ka mundësi zbatimi i kësaj marrëveshjeje apo në mungesë eventuale të energjisë elektrike, ky termocentral duhet të vazhdojë punën?

Udhëheqës të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe përfaqësues të shoqërisë civile, japin vlerësime të ndryshme rreth mbylljes së termocentralit.

Termocentrali “ Kosova A” mbulon 1/3 e tërë konsumit vendor.

Edmond Nulleshi, drejtor ekzekutiv për Shërbimet në Korporatën Energjetike të Kosovës, tregon se nëse ky termocentral mbyllet në periudhën e caktuar, atëherë Kosova do të përballet më mungesë të energjisë elektrike.

“Termocentrali ‘Kosova B’, për t’i përmbushur kërkesat mjedisore, pra të komunitetit, është obligative në vitin 2017 dhe 2018 duhet të shkojë në një rehabilitim madhor, që si konsekuencë do të ketë përgjysmim të prodhimit edhe nga ‘Kosova B’ “.

“Pra, duke marrë parasysh këtë faktor dhe faktorin tjetër se sa prodhon termocentrali ‘Kosova A’ tani, në rast të mbylljes së termocentralit ‘Kosova A’ në vitin 2016 do të kemi 2.5 milionë megavat orë në vit mungesë”,
thotë Nulleshi për Radion Evropa e Lirë.

Përveç mungesës eventuale të energjisë elektrike, në rast të mbylljes së këtij termocentrali, shqetësues mbetet numri i punëtorëve që do të mbesin pa punë, e që llogaritet të jenë mbi 1500, thotë Nulleshi, për Radion Evropa e Lirë.

“Për më tepër, në Termocentralin ‘Kosova A’ dhe njësitë e ndërlidhura, që bëjnë prodhimin dhe procesimin e qymyrit vetëm për këtë termocentral, KEK-u ka të punësuar mbi 1500 punëtorë, që do të mbesin pa punë, në rast të mbylljes së këtij Termocentrali”, thekson Nulleshi.

Ndryshe, përfaqësues të shoqërisë civile vazhdimisht kanë kërkuar mbylljen e Termocentralit “Kosova A” ashtu siç, Republika e Kosovës është zotuar.

Visar Azemi, koordinator në konsorciumin e shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm, KOSID, konsorcium ky që vazhdimisht është marrë me çështjet energjetike, konsideron se ky termocentral duhet të mbyllet sa më shpejt.

Sidomos pas aksidentit të fundit që ka ndodhur javën e kaluar, ku pas një shpërthimi dy persona kanë humbur jetën dhe 14 të tjerë janë lënduar, sipas Azemit, kjo tregon qartë vjetërsinë e pajisjeve në këtë objekt.

Azemi thekson se Kosova mund t’i shmanget deficitit energjetik në periudhën e caktuar, kurse punëtorët e Termocentralit “Kosova A” që të mos mbesin pa punë, duhet të trajnohen për segmente tjera.

“Si KOSID kemi kërkuar që të shkohet sa më shpejt në programet e efiçiencës së energjisë, t’iu jepet mundësia investitorëve që të investojnë në burime të ripërtërishme të energjisë për të mbuluar këtë vakum energjetik”.

“Ndërsa, kemi kërkuar që ata punëtorë që mund të mbesin pa punë nga mbyllja e TC ‘Kosova A’, të trajnohen dhe t’iu jepet mundësia që të punojnë në segmente tjera siç është efiçienca dhe burimet e ripërtërishme”
, konsideron Azemi.

Sidoqoftë, investimet e fundit që janë bërë në këtë termocentral dhe me lëshimin në punë të sistemit hidraulik të bartjes së hirit, ndotja e ambientit është eliminuar pothuajse në tërësi.

Se a do të mbyllet apo jo Termocentrali “Kosova A” varet nga vendimi i Qeverisë së Kosovës. Por, ajo çka dihet është se vitin e kaluar ky termocentral ka prodhuar rreth 35 për qind të tërë energjisë së prodhuar në Kosovë.

Kapacitetet prodhuese të të gjitha njësive të Termocentralit “ Kosova A” arrijnë në 450 megavat orë energji.