Ndërlidhjet

“Kosova A” s’mbyllet deri më 2017


Termocentrali "Kosova A"
Termocentrali "Kosova A"
A do të mbyllet apo jo deri në vitin 2017 Termocentrali “Kosova A”, ashtu siç është zotuar Republika e Kosovës me marrëveshjen e Komunitetit të Energjisë së Evropës Juglindore?

Si pjesëmarrëse e Traktatit për Komunitetin e Energjisë, Kosova e ka pranuar obligimin juridik për zbatimin e standardeve të Bashkimit Evropian në emetimin e gazrave.

Kosova, si të gjitha palët e tjera të Komitetit për Energji, është përkushtuar për zbatimin e Direktivës së BE-së për Impiantet e Mëdha me Djegie, nga fundi i vitit 2017.

Përfaqësues të ekzekutivit dhe Korporatës Energjetike të Kosovës, vlerësojnë se mbyllja e këtij termocentrali varet nga ndërtimi i njësive të reja gjeneruese.

Në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, zyrtarë të zyrës për informim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, kanë thënë se dekomisionimi i termocentralit “ Kosova A” do të bëhet konform draft- strategjisë së energjisë, e cila pritet të miratohet në Qeveri dhe Kuvend. Ky proces është i planifikuar të ndërlidhet me futjen e njësive të reja gjeneruese të “Kosovës së Re” në funksion. Siguria e furnizimit është top-prioritet në agjendat e Strategjisë së Energjisë, andaj ky koncept do të ndiqet edhe në këtë rast, thuhet në përgjigje.

Ndërkaq, zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës, nuk tregojnë qartë se a do të mbyllet apo jo ky termocentral në fund të vitit 2017, por thonë se aktualisht termocentrali “Kosova A” mbulon 1/3 e tërë konsumit vendor.

Edmond Nulleshi, drejtor i Shërbimeve të Korporatës në Korporatën Energjetike të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, tregon se Termocentrali “Kosova B” gjatë viteve 2017 dhe 2018 duhet të shkojë në rehabilitim madhor.

Si rrjedhojë, duke marrë parasysh faktin se Termocentrali “ Kosova e Re” nuk do të jetë e gatshme deri në atë periudhë, parashikohet që Kosovë gjatë vitit 2017 të ketë mungesë të energjisë dhe nevojat e importit do të jenë prej 500 mijë megavat në orë në krahasim me vitin 2016.

“Duhet theksuar se ky parashikim është ndërtuar mbi këtë mungesë shtesë, me kusht që ‘Kosova A’ të jete në operim, që do të thotë se në rast se ky termocentral do të mbyllej në këtë periudhë, mungesat e energjisë do të jenë dukshëm më të mëdha”, thotë Nulleshi.

Përfaqësues të konsorciumit të shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm, KOSID, që vazhdimisht janë marrë me çështjet energjetike, konsiderojnë se ky termocentral duhet të mbyllet sa më shpejt.

Visar Azemi, koordinator në këtë konsorcium, për Radion Evropa e Lirë thotë se Qeveria dhe Korporata Energjetike të Kosovës, nuk janë duke punuar në këtë drejtim për të treguar gatishmërinë dhe seriozitetin e tyre për mbylljen e këtij termocentrali, që, sipas tij, është ndotësi më i madh në Kosovë.

“KOSID gati qe tre vjet vazhdimisht ka bërë thirrje që Kosova duhet të punojë në atë drejtim dhe të rregullojë kushtet paraprake për të mundësuar mbylljen e ‘Kosovës A’ në vitin 2017. Me këtë ne kemi nënkuptuar që Kosova duhet të marrë masa rigoroze në efiçiencën e energjisë, Kosova duhet të lejojë investitorët të ndryshëm për disernifikim të energjisë në vend. Ku nënkupton lejimin e investitorëve në fushën e energjisë së ripërtërishme”, shpjegon Azemi.

Ndryshe, Edmond Nulleshi, thotë se me investimet e fundit në Termocentralin “ Kosova A” dhe me lëshimin në punë të sistemit hidraulik të bartjes së hirit, ndotja e ambientit është eliminuar pothuajse në tërësi.

Se a do të mbyllet apo jo Termocentrali “Kosova A” varet nga vendimi i Qeverisë së Kosovës. Por, ajo çka dihet është se vitin e kaluar ky termocentral ka prodhuar rreth 35 për qind të tërë energjisë së prodhuar në Kosovë.

Kapacitetet prodhuese të të gjitha njësive të termocentralit “ Kosova A” arrijnë në 450 megavat orë energji.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG