Rahovec: Vritet Elvis Pista, kandidat për deputet

Elvis Pista

Është vrarë në Rahovec për motive ende të panjohura kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Elvis Pista.

Siç kanë bërë të ditur autoritetet e rendit, vrasja ka ndodhur rreth orës 00:45, në oborrin e restorantit "Jaha Petrol”.

"Elvis Pista kishte qenë në restorant me disa të njohur dhe posa kishte dalë nga objekti, së bashku me bashkëshorten dhe të njohur të tjerë, me të cilët ishte në restorant, është qëlluar me armë zjarri nga prapa nga një largësi prej 5 metrash", thuhet në komunikatën e policisë.

Rastin e vrasjes në Rahovec është duke e hetuar Drejtoria për hetimin e krimeve të rënda në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Riza Shillova, drejtor i departamentit të Hetimit të Krimeve, tha për Radion Evropa e Lirë se ky rast i vrasjes është shumë kompleks dhe se, sipas tij, lidhur me vrasjen janë angazhuar të gjitha njësitet policore dhe po bëhen shumë analiza në vendin e ngjarjes.

”Rasti është shumë kompleks edhe jemi duke hetuar në të gjitha drejtimet. Janë angazhuar të gjitha njësitet policore dhe jemi duke i hulumtuar të gjitha provat e mundshme ose dëshmitë që çojnë te indikacionet për motivet, mënyrën dhe formën e këtij krimi. Ne akoma nuk kemi të dyshuar konkret për arrestime, ne jemi duke intervistuar dëshmitarët dhe duke i mbledhur provat fizike”, deklaroi Shillova.

Ndaj vrasjes kanë reaguar edhe përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës, si dhe kryetarët e partive politike.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka dënuar vrasjen e kandidatit për deputet të PDK-së në zgjedhjet e përgjithshme, Elvis Pista.

Presidentja Jahjaga, në emër të institucioneve, të qytetarëve dhe në emrin e saj personal, i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Pista për humbjen e njeriut më të dashur.

Jahjaga thekson se aktet e këtilla cenojnë rendin dhe sundimin e ligjit.

Ajo kërkon nga organet e ndjekjes kapjen e autorëve të vrasjes dhe sjelljen e tyre para drejtësisë.

Edhe kryetari në largim i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, shpreh dhimbjen dhe pikëllimin e thellë për vrasjen e Elvis Pistës, kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës.

“Jam thellësisht i tronditur nga lajmi për vrasjen e Elvisit. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Pista, duke u solidarizuar dhe ndarë dhembjen me të, në këto momente të rënda!”, thuhet në deklaratën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ku kërkohet po ashtu nga organet e rendit për zbardhjen sa më shpejt të këtij akti makabër.

Kryeministri i Kosovës në largim, Hashim Thaçi, e ka ngushëlluar familjen Pista, me rastin e vrasjes së kandidatit për deputet në Kuvendin e Kosovës, nga Partia Demokratike e Kosovës, Elvis Pista.

“Më lejoni që në emrin tim dhe të Qeverisë së Kosovës, t’ju shpreh juve, të afërmve dhe miqve të tij, ngushëllimet më të sinqerta, si dhe solidaritetin dhe mbështetjen tonë të madhe”, thuhet pos tjerash në telegramin e Hashim Thaçit, i cili është edhe lider i Partisë Demokratike të Kosovës.

Më tutje, Thaçi thekson se “në këto momente të vështira, dëshiroj të ndaj me ju dhembjen për humbjen e pazëvendësueshme të Elvisit, i cili do të mbetet në kujtesën tonë si një njeri i dashur, energjik dhe korrekt”.

Thaçi ka siguruar se “shteti është duke i marrë të gjitha masat e duhura dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme, që ta zbardhë sa më shpejt ngjarjen dhe t’i vendosë autorët e këtij akti barbar sa më shpejt para përgjegjësisë ligjore, që ta marrin dënimin e merituar”.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi (PDK), tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tash nuk ka asnjë informacion rreth motiveve të vrasjes së Elvis Pistës.

Ai theksoi se janë duke pritur nga autoritetet policore që të gjejnë sa më parë autorët e kësaj vrasjeje.

“Motivet e vrasjes nuk dihen, po presim prej organeve të sigurisë. Unë nuk e di që zoti Pista të ketë pasur problem me dikë dhe nuk mund të flas për motivet e vrasjes”, tha Vehapi.

Ngushëllime familjes Pista i kanë arritur edhe nga kryetarë partish politike, duke dënuar aktin dhe duke kërkuar gjetjen e autorëve të vrasjes.