Pritje për institucione funksionale dhe luftim të korrupsionit

Ilustrim

Institucione funksionale, luftë kundër korrupsionit, përmirësim i gjendjes ekonomike dhe ulje e shkallës së papunësisë, janë ato që qytetarët e Kosovës presin pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit.

Disa qytetarët të Prishtinës, të cilët thonë se do të dalin në zgjedhje, shprehen optimistë lidhur me ndryshimet pozitive pas zgjedhjeve, por ka edhe të tillë që janë skeptikë në këtë drejtim.

Samir Mustafa, thotë se fillimisht pret që zgjedhjet të jenë fer dhe më pas, kushdo që fiton, të angazhohet për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Do të dal në zgjedhje dhe pres që të kemi zgjedhje të rregullta, do të thotë, pa asnjë problem ose ekses dhe le të fitojë më i miri. Pres një jetë, në përgjithësi, më të mirë për qytetarët e vendit, ndryshime në sistemin ekonomik. Do të thotë, të jetë një zhvillim më i madh ekonomik, ngritjen e bizneseve të vogla dhe të mesme dhe jo ngufatjen e tyre me tatime. Papunësia, me zhvillimin ekonomik, hiqet”, shprehet Samiri.

Shemsie Hajrizi pas zgjedhjeve pret qeverisje shumë më të mirë se sa ato që kanë qenë deri më tani:

“Kushdo qoftë që vjen në qeveri, mendoj se së pari duhet të luftohet korrupsioni. Pastaj të vijë në pah punësimi, të riaktivizohen fabrikat, të cilat kanë qenë para luftës në Kosovë. Në qoftë se nuk do të punojnë fabrikat, nuk do të ketë as punë. Nuk mundet ashtu, sikurse deri më tani që kanë premtuar, punësim dhe paga marramendëse. Ato nuk mund t’i realizosh në qoftë se nuk punon”.

Gazmend Fetahaj thekson se shpresa ekziston se gjërat mund të marrin drejtim më të mirë për qytetarët pas zgjedhjeve të 8 qershorit.

“Dalim në zgjedhje dhe unë kisha shpresuar që në çdo lëmi të jetë më mirë. Së pari për punësim, sepse ka shumë rini dhe janë shumë të papunë. Kur njeriu punësohet, atëherë nuk e mendon të keqen. Por, brengosem që, në të ardhmen, nëse nuk punësohen këta të rinj, atëherë do të ketë shumë telashe”, pohon Gazmendi.

Mimoza Bajraktari thotë se do të dalë në zgjedhje, por ajo nuk pret se situata mund të ndryshojë për të mirë pas zgjedhjeve.

“Patjetër që dal në zgjedhje. Por, nuk pres shumë, sepse asnjëherë nuk janë bërë ndryshime aq të mëdha”
, thekson Mimoza.

Hekuran Neziri pret që pas zgjedhjeve të 8 qershorit, Kosova ta ketë, siç thotë ai, një qeveri funksionale:

“Patjetër që do të dal në zgjedhje. Pritjet e mia kryesore janë... mendoj se duhet të ketë një ndryshim, për shumë arsye, por kryesorja është që të kemi një qeveri funksionale, një parlament funksional, që e zbatojnë ligjin dhe që interesohen pak për qytetarët vet, e sidomos për zhvillimin ekonomik dhe për gjëra të tilla”.

Valdete Krasniqi thotë se do të dalë në zgjedhjet e 8 qershorit dhe pret që në krye të vendit të vijë një forcë që lufton korrupsionin.

“Ajo që pres pas zgjedhjeve është që të vij një forcë politike në Kosovë që do ta luftoj korrupsionin, do të jetë e gjithanshme për gjithë qytetarët dhe të punoj sa më shumë për ekonominë e Kosovës. Natyrisht, jam shumë optimiste”, thotë Valdetja.

Në anën tjetër, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës pritet të mbahen edhe në veriun e vendit. Qytetarët serbë të Mitrovicës së veriut kanë mendime të ndryshme edhe për zgjedhjet, por edhe për pritjet pas zgjedhjeve.

Ivan Jokanoviq, student, thotë se kushdo që fiton zgjedhjet, duhet të fokusohet në përmirësimin e jetës për të rinjtë:

“Duhet të fokusohen te të rinjtë, sepse ata nuk kanë kurrfarë perspektive këtu, për çkado qoftë. Ata i janë lënë vetvetes dhe duhet t’ju kushtohet më shumë vëmendje atyre, në mënyrë që ata të kenë interesime të ndryshme”.

Millan Popoviq thotë se do të dalë në zgjedhje dhe pret që pas tyre të sigurohet rendi dhe ligji në hapësirën ku jeton:

“Duhet të dalim në zgjedhje dhe do të dalim. Është gjendje e mjerueshme, në kuptimin se këtu nuk ka pushtet. Kur nuk ka pushtet, nuk ka as ligj”.

Por, Nikola Kovaçeviq thotë se nuk ka ndonjë interesim për të dalë në zgjedhje.

“Nuk jam i interesuar për këto zgjedhje, në asnjë rast. Jo pse kam mosbesim, por të gjithë ne e dimë se ku çojnë ato zgjedhje. Ato çojnë në drejtim të gabuar dhe unë nuk kam interesim për to”, thekson Nikola.