USAID-i për 15 vjet, 800 milionë dollarë investime në Kosovë

15-vjetori i veprimtarisë së USAID-it në Kosovë

Agjencia e Shteteve të Bashkuar të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ka shënuar në Kosovë 15-vjetorin e veprimtarisë.

USAID, për këto vjet, u tha se ka investuar rreth 800 milionë dollarë në Kosovë, duke përkrahur programe dhe projekte të ndryshme si ato për qeverisjen lokale, sektorin privat, bujqësinë, arsimin, sundimin e ligjit e të tjera.

Maureen Shauket, drejtoreshë e kësaj agjencie, tha se misioni i USAID-it në Kosovë, gjatë viteve të fundit, ka vërejtur se Kosova është duke ecur përpara dhe duke ndryshuar pozitivisht.

“Para 15 vjetëve USAID erdhi këtu në Kosovë që t’iu ndihmojë juve që ta ndërtoni vendin tuaj. Ne investuam në infrastrukturë, ndërtuam shkolla, klinika, gjithashtu kemi instaluar edhe sistemin e qeverisjes këtu. Tani kemi ligje e institucione të duhura. Gjatë 15 vjetëve të fundit programi ynë ka ndryshuar dhe evoluar ashtu si edhe Kosova që ka pasur ndryshime të mëdha. Tani kemi programe në sundimin e ligjit në zhvillimin ekonomik dhe ajo që është më rëndësishme, në arsim”, tha Shauket.

Shauket, duke iu drejtuar të pranishmëve në qendër të Prishtinës, ku ishin organizuar edhe disa aktivitete kulturore dhe informuese, theksoi se USAID-i do të ndihmojë edhe të rinjtë e Kosovës, në mënyrë që, siç u shpreh ajo, Kosova të bëhet një vend me prosperitet për të gjithë qytetarët.

“Ne jemi duke investuar në liderët e ardhshëm të vendit tuaj, si në sektorin privat, ashtu edhe në qeveri, sepse USAID-i u ka ndihmuar dhe ju keni bërë një rrugë të gjatë, gjatë 15 vjetëve të fundit. Në 15 vjetët e ardhshëm do të jenë njerëzit e rinj që do ta shtyjnë Kosovën përpara, që të bëhet një vend me prosperitet”, tha Shauket dhe shtoi se USAID-i ka bërë shumë punë në Kosovës, por mbeten edhe shumë të tjera për t’u bërë.

“Të gjithë të rinjtë që janë këtu, unë ju inkurajoj që të ëndërroni që të punoni shumë dhe nëse e bëni këtë, mund t’ju them se USAID-i, do të jetë këtu që t’u ndihmojë për t’i realizuar ëndrrat që keni për vendin tuaj”,
theksoi Shauket.

Ajo ka treguar, po ashtu, se USAID-i ka ndarë 50 bursa për të rinjtë, të cilët do të shkojnë jashtë vendit për të studiuar.

Nga ana tjetër, Betim Bresila, i cili ka një kompani për kultivimin e dredhëzave, thotë se biznesin e tij e ka zhvilluar me përkrahjen e USAID-it.

“Mbështetja nga USAID-i ka qenë shumë e mirëseardhur. Pos që na ka mbështetur me para të gatshme, ka sjell edhe fidanët dhe sistemin e ujitjes. Po ashtu, na kanë mbështetur edhe me këshilla gjatë gjithë kohës në prodhimtari, prandaj ndihma e tyre ka qenë e mirëseardhur”, tregoi Bresila.

Ndryshe, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe drejtoresha e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, Maureen A. Shauket, në prill të këtij viti kanë nënshkruan amendamentimin e marrëveshjes për grantin e objektivave zhvillimore.

Ajo marrëveshja dhe fondet e saj janë duke u përdorur për aktivitete në fushat e sundimit të ligjit dhe qeverisjes, aktivitete për rritjen e investimeve dhe punësimin në sektorin privat, si dhe programe për përmirësimin e kapitalit njerëzor në Kosovë.