Rritet trendi i blerjeve nëpërmjet internetit

Ilustrim

Trendi i blerjeve on-line nga qytetarë të Kosovës gjatë këtij viti është rritur 150 për qind krahasuar me vitin e kaluar, bëjnë të ditur autoritetet kompetente.

Dyqanet virtuale nga shtete të ndryshme të botës tashmë njihen edhe nga shumë kosovarë. Femrat janë ato që më së shumti e përdorin këtë shërbim. E pasionuar me on-line është Blerta nga Prishtina.

Ajo thotë se blerja nëpërmjet internetit dhe arritja e dërgesës përmes shërbimit postar në adresë të shtëpisë, kursen kohën dhe paranë, pasi mund të blesh artikuj më lirë se sa në tregun vendor.

Në të shumtën e rasteve, Blerta thotë se porosit veshmbathje në Angli dhe pajisje elektronike në Amerikë dhe Kinë.

“Jam kliente e tregut për blerje on- line, zakonisht tekstil, por kohëve të fundit edhe elektronikë, sepse janë shumë më lirë dhe dërgesa vjen në kohën kur edhe konfirmon kompania përkatëse. Pastaj, kursen edhe kohë dhe unë e përdori shumë këtë mënyrë të blerjes”, tregon Blerta.

Rritja e qarkullimit të produkteve të blera nëpërmjet internetit dhe arritjes me shërbimin postar, ka shtyrë Doganën dhe Postën e Kosovës të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi lidhur me lehtësimin e procedurave për zhdoganimin e dërgesave me rastin e pranimit të mallrave.

Deri me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, të gjithë qytetarët që kanë pranuar mallra përmes dërgesave postare, kanë qenë të detyruar të shkojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ose në Qendrën Transit të Postës në Fushë Kosovë, për të pranuar dërgesën dhe për të paguar taksën doganore.

Por, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ka eliminuar këto procedura, thotë për Radion Evropa e Lirë, Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës.

“Qytetarëve u ka kushtuar shumë shtrenjtë për të ardhur dhe marrë dërgesat. Nëse qytetarët kanë qenë nga vende të Kosovës, po e marrim nëse ka qenë nga Peja, është dashur të shpenzojë edhe për transport. Ndërkaq, nënshkrimi i memorandumit nënkupton që pakoja që vjen, t’i shkojë deri në adresë të shtëpisë, përmes shfrytëzimit të rrjetit të postës”.

“Normalisht, fillimisht i shkojnë faturat dhe pagesa e taksave, nëse ka taksë apo jo ai produkt. Dhe, pas pagesës së tyre, atëherë personi dërgesën mund ta tërheqë në njërën nga filialet e postës që është më së afërmi”,
thotë Stavileci.

Edhe udhëheqës të Postës së Kosovës me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, kanë premtuar se dërgesat do të pranohen më shpejt, pasi prioritet kanë shërbimin sa më cilësor për qytetarët.

Posta e Kosovës ka një rrejt prej 157 zyrave postare të vendosura në tërë vendin.

Për mallrat e blera nga interneti, apo të dërguara nga ndonjë person jashtë Republikës së Kosovës nëpërmes postës, nëse tejkalon vlerën e caktuar në bazë të ligjeve në fuqi, atëherë blerësi duhet të paguajë taksë doganore. Adriatik Stavilevci, shpjegon më shumë:

“Nëse dikush importon mallra përmes blerjeve on-line deri në 100 euro vlerë, atëherë pagesa e taksave për atë produkt është 27.6 euro. Përqindja është 10 për qind taksë doganore dhe 16 për qind TVSH dhe kur këto dyja grumbullohen del 27.6 për qind”.

Ndryshe, me gjithë rritjen e qarkullimit të blerjeve on-line, ky shërbim në vendin tonë është në fazën fillestare të përdorimit. Përderisa në botë dyqanet virtuale kanë një tendencë në rritje, në Kosovë kompani të pakta aplikojnë këtë shërbim.

Megjithatë, jo të gjithë qytetarët kanë informacione apo besim te blerjet nga interneti