KQZ-ja e gatshme t’i organizojë zgjedhjet

Ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zotohet se pavarësisht sfidave që mund t’i ketë, është i gatshme të organizojë zgjedhje të parlamentare.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kurdo që udhëheqësit e vendin vendosin për datën e zgjedhjeve, KQZ-ja në aftin kohor do t’i organizoj ato.

“Meqenëse KQZ-ja, ka obligim kushtetues që t’i organizojë zgjedhjet, kurdo që ato të shpallen, edhe pse këto zgjedhje do të jenë zgjedhje të parakohshme, pra do të jenë zgjedhje me afate të shkurtuara ligjore, ne jemi të gatshëm që t’i organizojmë. Megjithatë, sfidë do të ishte nëse ato organizohen me ligjin e ri. Nga ajo që tash po shihet, nuk ka gjasa që ligji i vjetër të ndryshohet, kështu që unë shpresoj që do të mbahen me ligjin e vjetër”
, thotë Daka.

Daka thekson se duke pasur parasysh përvojën që ka KQZ-ja në organizimin e shumë proceseve zgjedhore, por edhe me mbështetjen e faktorëve të tjerë, si nga gjykatat, prokuroritë, polica dhe vetë spektri politik, zgjedhjet do të organizohen mirë dhe konform rregullave ligjore.

“Sfidë është gjithmonë mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, për shkak të afateve të shkurtra, mirëpo meqë ne kemi krijuar një përvojë edhe shpresoj që me ndihmën e institucioneve të tjera që janë përgjegjëse me ndihmën e tyre dhe me përgatitjen tonë besoj që do t’i organizojmë ashtu siç është e paraparë me ligj”, thekson Daka.

Njohësit e proceseve zgjedhore vlerësojnë se situata aktuale ofron mjaft argumente që tregojnë se mbajtja e zgjedhjeve nuk duhet të shtyhet më larg se në muajin qershor. Ata thonë se tashmë ekziston një klimë për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë kohë, qoftë në opinion, qoftë edhe të vetë klasa politike.

Leon Malazogu, njohës i proceseve zgjedhore, shpreh besimin se KQZ-ja, mund të organizojë zgjedhjet, por, sipas tij, ky institucion duhet të rrisë cilësinë në organizimin e tyre.

“Kuptohet, zgjedhjet e parakohshme kanë një sfidë shtesë, sepse ndodhin në afat më të shkurtër kohor, por pas gjithë këtyre viteve, nuk do të ishte problematike për KQZ-në që ta bëjë ketë. Nëse nuk ndryshohen rregullat e organizimit të zgjedhjeve, KQZ-ja nuk ka justifikim për një cilësi të dobët të zgjedhjeve”, konsideron Malazogu.

Në Komisioni Qendror të Zgjedhjeve deklarojnë se nuk do të mund t’i përgatisin zgjedhjet dhe të hartojnë rregullore për zbatimin e ligjit të ri, nëse zgjedhjet mbahen nga fundi i majit apo fillimi i qershorit.

Ndryshe, lidhur me çështjen e zgjedhjeve, liderët e partive kryesore politike në Kosovës, pas një takimi që kanë pasur ditë më parë me ambasadoren amerikane Tracey Ann Jacobson, nuk kanë arritur pajtim lidhur me kohën se kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme.

Siç është bërë e ditur, për këtë çështje dhe të tjera diskutimet dhe takimet do të vazhdojnë.