Të rinj në kosovarë mund të kenë probleme të ndryshme, në shkolla apo edhe diku tjetër, por lidhur me tolerancën ndërfetare, ata konsiderojnë se janë të parët në këtë drejtim.
Të rinjtë që i ka intervistuar Radion Evropa e Lirë për rubrikën VOX konsiderojnë se Kosova si shoqëri në përgjithësi është e njohur për tolerancën ndërfetare.
Enxhi Jaha nga Shkolle e Mesme “Sami Frashëri” thotë se bashkë me shoqërinë e saj janë tolerantë dhe nuk kanë paragjykime për asnjë tjetër besim që predikohet në Kosovë.
“Jam tolerante në këtë drejtim dhe kam një shoqëri, gjithashtu, që janë tolerantë kur bëhet fjalë për fetë. Mua nuk më pengon fare nëse në rrethin tim ka të rinj që u takojnë besimeve të ndryshme. Kam dëshirë që në klasë të kem nxënës nga besime të tjera, se natyrisht që mësojmë edhe prej atyre diçka dhe më pëlqen të njihem me kultura dhe besime tjera, jo veç me timen”, thotë Enxhi.
Edhe Astrit Gjikolli mendon ngjashëm. Sipas tij, meqë nuk ka të rinj që mundohen të imponojnë fenë, është ky ambient tolerant te të rinjtë.
“Të rinjtë mendoj se janë tolerantë ndaj besimeve të ndryshme fetare, për arsye se mendoj se nuk janë imponues në atë që duhet ose nuk duhet të jesh fetar. Unë jam fetar dhe nuk me pengon dikush tjetër, madje as ai që nuk është kurrfarë fetari dhe ata mua më tolerojnë se kam fenë time”, shprehet Astriti.
Your browser doesn’t support HTML5
Nga ana tjetër, Vesa Turjaka, nxënëse e Shkollës së mesme “Sami Frashëri”, shprehet ndryshe:
“Unë nuk mendoj se janë mjaft tolerantë të rinjtë sa i takon fesë myslimane dhe mundohen të jenë më imponues. Mua për vete nuk më pengon askush, sepse është zgjedhje e tyre në çka besojnë ose nëse nuk besoj në asgjë, ateizmi është shumë normal. Kështu që kisha dashur të jenë më tolerantë, po mua nuk më pengojnë”.
Ngadhnjim Tërshnjaku nga Shkolla e Mesme Ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina”, shprehet i kënaqur sa i takon çështjes së tolerancës fetare. Ai tregon se në cilin rast nuk do të ishte tolerant në këtë rrafsh:
“Nuk do të isha tolerant nëse dikush do të ma kishte ofenduar fenë time, e nëse nuk ka ofendime dhe pengesa të tjera, edhe unë e respektoj fenë e tjetrit”.
Mrika Mulliqi, e cila është në vitin e katër të Shkollës së mesme “Sami Frashëri”, thotë se në përgjithësi është tolerante, e edhe për fenë njësoj.
“Unë mendoj se janë tolerantë deri në një masë. Unë flas për vete, jam shumë tolerante se të gjithë jemi njerëz dhe mund të gjykojmë në mënyra të ndryshme se si e shohim jetën”, pohon Mulliqi.
Fjolla Kaçaniku, e cila studion në Universitetin Amerikan në Prishtinë, ka një mendim krejt ndryshe. Ajo konsideron se në Kosovës janë dy lloje të grupeve të të rinjve, të cilët veprojnë sipas disa ideologjive që kanë krijuar.
“Po mendoj se të rinjtë janë ndarë në dy sfera; sfera e parë që është krijuar një farë ideje se duhet të eliminohen fetë e tjera në Kosovë dhe grupi tjetër që është tolerant edhe unë besoj që ky grup tjetër ndoshta që ka njohuri më shumë ndaj feve tjera, ka dalë jashtë dhe ka parë që nuk është kurrgjë të jesh i besimeve tjera. Pra, e kanë krijuar një bindje se mund të krijojnë shoqëri edhe me fetë e tjera dhe të jetojnë në harmoni. Kurse, grupi tjetër, për shkak të disa ideologjive të ndryshme po rri konstant me një grup, është izoluar dhe nuk po mund ta shohë botën me sy tjetër”, konsideron Fjolla.
Shumica e popullatës së Kosovës i përket besimit islam, por Kosova është shtet me popullatë të përzier dhe të besimeve tjera, përveç asaj të besimit islam.
Kjo ka bërë që të ketë tolerancë fetare, politike gjithashtu, edhe tolerancë kulturore, kanë thënë njohës të religjionit.
Ata, po ashtu, kanë deklaruar se disa debate lidhur me tolerancën brenda fetare dhe ndërfetare në Kosovë, të cilat iniciohen në media ose edhe në mjediset joformale, jo rrallë marrin hov për shkak të diskursit të debatuesve dhe krijojnë përshtypjen që toleranca ndërfetare, për të cilën shqiptarët krenohen, është buzë rrezikut.