Tribunali për Kosovën, jo para 2015-s(?)

Ilustrim

Një tribunal do të shuhet në Hagë, deri në fund të këtij viti. Ndërsa, një tjetër pritet të funksionojë si selia e jashtme e një Gjykate Speciale të Kosovës për hetimin e krimeve të supozuara të luftës.

Ky tranzicion ishte paraparë që nga fillimi i shtjellimit të temës së Gjykatës Speciale, e cila në praktikë do të llogaritet si Gjykatës e Kosovës, dhe jo e Kombeve të Bashkuara, siç është aktualisht i mandatar Tribunali i Hagës, thotë një diplomat perëndimor.

Holandës i është kërkuar nga Bashkimi Evropian, që Haga të jetë vendi ku do të zhvillohet një pjesë e ndjeshme gjatë proceseve gjyqësore që pritet të iniciohen nga hetimet e bëra nga kryeprokurori i Task Forcës Speciale të Hetimeve, që udhëheq Clint Williamson.

Ambasador i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo kërkesë është bërë nga Brukseli, qysh para se të merrej vendimi që Prishtina të jetë kryeqendra e Gjykatës Speciale.

“Holandës i është kërkuar nga Bashkimi Evropian që të ketë gjykatë aty. Ndërkohë, e dini se çështja ka evoluar, dhe tani do të ketë gjykatë këtu [në Prishtinë] dhe një aneks diku tjetër, ku dëshmitarët do të rrëfeheshin, dhe ku materiali sensitiv do të ruhej. Për këtë gjë, Bashkimi Evropian ka kërkuar Hagën që të jetë nikoqire e kësaj [gjykate]”, ka thënë Bosch.

Të premten, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka dërguar një letër njoftimi kryediplomates evropiane Catherine Ashton, të cilën e informon për nevojën e themelimit të Gjykatës Speciale, me selitë brenda dhe jashtë vendit, për të adresuar akuzat e ngritura në raportin e Dick Martyt.

Sipas ambasadorit holandez në Prishtinë, Holanda ende nuk ka marrë vendim të prerë për ta bërë Hagën si seli të dytë të Gjykatës Speciale për Kosovën.

“Holanda është përgjigjur se marrë parasysh që ne e konsiderojmë Hagën, të jetë kryeqyteti juridik i Evropës, atëherë ne jemi të vullnetit që të marrim në konsideratë këtë kërkesë, sepse ne mendojmë që pretendimet e bëra në raportin e Dick Martyt janë shumë serioze. Ato duhet të hetohen. Nëse s’janë të vërteta [pretendimet], njerëzit munden përmes këtij procesi të shfajësohen dhe të thuhet se ata më nuk janë të fajshëm”, është shprehur ambasadori Bosch.

Diplomati holandez ka bërë të ditur se Amsterdami zyrtar nuk është i gatshëm që këtë çështje ta zgjidh sido.

Duam të kemi një bazë shumë të mirë juridike. Kjo gjë duhet të bëhet nga profesionistët. Dua të them se ka shumë kushte. E gjithë kjo është në një fazë të hershme. Jemi duke negociuar me Bashkimin Evropian. Gjykata sigurisht se nuk do të jetë funksionale para fillimit të vitit të ardhshëm”, ka thënë ai.

Një prej gjërave më të rëndësishme, për të ardhmen e këtyre planeve, sipas diplomatit holandez, është të pritet të shihet se çka do të prodhojë Task Forca Speciale Hetuese, e Clint Williamsonit.

Ky diplomat amerikan është duke hetuar tash e tri vjet pretendimet e përshkruara në raportin "Trajtimi jonjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë", ndërsa gjetjet e tij, siç ka paralajmëruar ambasadorja amerikane, Tracey Ann Jacobson, Williamson pritet t’i paraqesë në gjysmë-vjetorin e parë të këtij viti.

“Ta shohim se a do të dalë gjë prej tij [Clint Williamson] apo jo. S’i dihet. Ndoshta ai do të thotë se s’ka asgjë për të hetuar. Kështu që nëse nuk ka aktakuzë, atëherë nuk do të ketë Gjykatë Speciale”, ka thënë ambasadori Robert Bosch.

“Këtu është e tërë çështja. Nëse nuk ka padi, atëherë nuk ka asnjë arsye për të bërë Gjykatë [Speciale]. Mirëpo, prapë se prapë, nuk e dimë. Marrë parasysh se ende po flasim për këtë gjë, atëherë po supozoj se mund të ketë diçka. Por, nuk e di. Andaj po themi se gjithçka është në fazën fillestare. Jemi të gatshëm ta mendojmë këtë gjë [Haga si Tribunal i dytë]! Por, nën kushte të posaçme. Në veçanti duam të shohim se cilësia është e garantuar”, ka shtuar ai.

Faktori ndërkombëtar ka intensifikuar përgatitjet për Tribunalin Special për Kosovën, ndërsa ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të miratojë themelimin e tij.

Sipas diplomatit holandez, Gjykata Speciale për Kosovën, do të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës, por hisedar do të jetë edhe Bashkimi Evropian.

“Gjykata është me ligje të Kosovës, por nën ombrellën e EULEX-it. Edhe pse z. [Clint] Williamson ishte në Bruksel, por ai de jure është nën EULEX. Ai punon për EULEX-in. Dhe kështu do të mbetet. Por, gjykata është sipas ligjeve të Kosovës”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Robert Bosch.