Kosova, pa potencial për vende të reja pune

Ilustrim

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare në 15 vjetët e fundit. Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i punëkërkuesve, të cilët janë të regjistruar në zyrat e punësimit, është rreth 35 mijë, ndërsa të punësuar llogariten të jenë mbi 400 mijë qytetarë.

Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, është 39 - 41 për qind.

Ekspertët e ekonomisë në Prishtinë konsiderojnë se trendët e zhvillimit ekonomik në Kosovë nuk premtojnë punësim të madh.

Ibrahim Rexhepi, udhëheqës i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës ende nuk ka një strategji apo dokument me detaje konkrete se si mund të krijohen vende të reja të punës.

“Dokumentet, të cilat Qeveria i ka dhe i ka prezantuar, e me të cilat është i njohur edhe opinioni, nuk japin shpresë se do të mund të absorbohet së paku gjysma e kontingjentit të të rinjve që hyjnë në tregun e punës brenda një viti”, vlerëson Rexhepi.

Punësimi i qytetarëve po vazhdon të jetë një ndër premtimet më të mëdha të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, pak kohë para zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të mbahen në vend.

Kryeministri Thaçi, gjatë kohës së fundit ka premtuar rreth 60 mijë vende të punës. Ai ka theksuar se në 4 vjetët e ardhshme do të investojë rreth 500 milionë euro në bujqësi gjë, e cila do të mundësonte krijimin e mbi 50 mijë vendeve të reja të punës, ndërsa me fillimin e projektit të ri të Brezovicës, ai ka theksuar se do të hapen 4 mijë vende të reja të punës.

Vlen të theksohet se sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, për çdo vit në tregun e punës hyjnë rreth 30 mijë persona, ndërsa ky treg i punës deri më tani ka absorbuar jo më shumë se 6 mijë persona.

Sipas ekspertëve, buxheti i Kosovës nuk ka potencial për të gjitha këto punësime dhe investime të premtuara.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi jep më shumë detaje:

“Këto mund të jenë vizione afatgjatë, mund të jenë vizione që mund të realizohen në një periudhë 5-10 vjeçare, por, së paku, ato duhet të jenë të studiuara, të elaboruara dhe duhet të qartësohen deri në detaje se si do të arrihet kjo, në çfarë intervali kohor dhe me cilat para. E them me cilat para, duke pasur parasysh se potenciali i buxhetit të Kosovës nuk mund t’i përballojë të gjitha këto shpenzime, për të cilat flet kryeministri”.

Në anën tjetër, Korniza afatmesme e shpenzimeve 2013- 2015 e miratuar kohë më parë nga Qeveria e Kosovës, nuk parasheh punësim të ri deri në fund të vitit 2015.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, konsideron se rritja ekonomike, e cila ka qenë në Kosovë këtyre viteve të fundit, nuk garanton punësim as për gjysmën e të rinjve që në vit hyjnë në tregun e punës.

“Mendoj se premtimet e mëdha nuk kanë vend për optimizëm publik për arsye se ne kemi një gjendje ekonomike jo shumë të mirë, e cila për fat të mirë ka rritje pozitive. Dhe, me një rritje prej 3,5 për qind në nivel vjetor, këto vende të reja të punës vështirë është që të përmbushen. Po nëse do të ketë këtu një revolucion të reformave të politikave investuese dhe do të shtohet kureshtja e investitorëve të huaj, për të ardhur dhe për të investuar në Kosovë, kjo do të mund të ndodhë”, konsideron Shahini.

Bazuar në shkallën e papunësisë, Kosova ka nivelin më të lartë në rajon, me rreth 40 për qind, Maqedonia me rreth 33 për qind, Bosnja e Hercegovina me 24 për qind, Serbia me 17,4 për qind, si dhe Mali i Zi me 11 për qind.