Mangësi në respektimin e të drejtave të fëmijëve

Ilustrim

Kosova nuk ka ligj për mbrojtjen e fëmijëve. Gjatë vitit 2013, ka filluar të hartohet Ligji për mbrojtjen e fëmijëve, i cili vazhdon të jetë në proces.

Autoritetet e rendit kanë deklaruar se numri i rasteve me fëmijë të abuzuar, të cilët raportohen gjatë një viti, është rreth 200 .

Drejtoresha e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, UNICEF, Laila Omar Gad, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ka një numër të nismave që janë krijuar nga kjo organizatë, për të forcuar kornizën ligjore rreth zhvillimit të hershëm të fëmijërisë. Por, sipas saj, ka ende shumë boshllëqe rreth çështjes së zbatimit dhe përfshirjes, veçanërisht të fëmijëve të margjinalizuar në arsimin e hershëm.

“ ‘Save the Children’ dhe UNICEF do të sjellin perspektivë dhe eksperienca të mira dhe pozitive nga perspektiva globale, si dhe ajo regjionale në kontekstin e Kosovës, se si do të përfshihen fëmijët në moshën e hershme në edukim. Ne kemi identifikuar disa fusha prioritare ku do të punojmë, si në edukimin e hershëm të fëmijëve, edukimin si dhe mbrojtjen kundër dhunës ndaj fëmijëve”, ka thënë ajo.

Por, sa i përket çështjes së arsimimit te fëmijët, Habit Hajredini, nga Zyra për Qeverisje të Mirë, në kuadër të Qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se tashmë është duke u zbatuar strategjia e integrimit për komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, dhe komponenti i edukimit që i referohet këtij dokumenti, sipas tij, ka arritur progres kohët e fundit.

Por Ahmet Kryeziu, drejtor i ‘’Save the Children’’ për Kosovën, ka deklaruar, se sot në Kosovë fëmijët ballafaqohen me shumë vështirësi në fusha të ndryshme.

“Kemi ngecje në realizimin e të drejtave të fëmijëve, sidomos grupet e margjinalizuara si fëmijët me aftësi të kufizuara, komunitetet RAE , si dhe komuniteteve të tjera mendojmë që janë në disavantazh në krahasim me fëmijët tjerë dhe duhet investohet më shumë në avancimin e kushteve që të jenë pjesë e barabartë me fëmijët të tjerë”.

“Ne bashkëpunojmë me institucionet e vendit kemi bashkëpunim, edhe pse ne kemi bashkëpunuar më shumë në nivelin lokal, por mendoj se në të ardhmen do të kemi bashkëpunim më të mirë”, ka shpjeguar Kryeziu.

Ndryshe, Policia e Kosovës, Departamenti për hetime për trafikim me njerëz në vitin 2013, ka pasur operacione në shtatë qytete të Kosovës dhe ka intervistuar 66 fëmijë lypsarë dhe gjatë gjithë vitit, vetëm pesë kanë rezultuar të jenë të trafikuar. Sipas tyre, të drejtat e fëmijëve shkelen edhe për shkak të kushteve të rënda socio-ekonomike.

E, zyrtarë të organizatave që merren me të drejtat e fëmijëve, thonë se duhet të punohet në mënyrë të vazhdueshme dhe të trajtohen rrënjët se nga vjen problemi me shkeljen e të drejtave të fëmijëve.

Ndryshe, Kryeziu ka shtuar se sa i përket të drejtave të fëmijëve, sot është bërë një progres, mirëpo ka edhe shumë për t’u bërë në të ardhmen. Ai përmend marrëveshjen e bashkëpunimit me UNICEF-in , ku thotë se do të bëhet edhe më shumë në këtë fushë.

“Një bashkërendim i punës sonë me UNICEF-in do të kontribuojë në avancimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, ku të gjithë fëmijët e shoqëria civile dhe gjithë aktorët do të përfitojnë”, ka shtuar Kryeziu.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka pohuar se ligjet, të cilat aktualisht Kosova po pretendon t’i adaptojë lidhur me këtë çështje, nuk përputhen me standardet e Kosovës.

“Në Kosovë, shumë ë fëmijë i kalojnë në rrugë 10 orë, apo 18 orë, dhe frekuentojnë kafene të ndryshme duke shitur e që patjetër bie në kundërshtim me ligjin. Ne kemi përvoja, monitorojmë edhe qendrat korrektuese dhe mendoj se shumë nga ta kanë filluar duke punuar dhe kanë përfunduar në qendra korrektuese. Ata edhe në qoftë se e kryejnë një program që u ofrohet në qendra përkatëse, e kanë të vështirë të integrohen në shoqëri më pastaj”, ka deklaruar Shala.

Sidoqoftë zyrtarë nga UNICEF-i, organizatë kjo që ka një sërë aktivitetesh edhe për përmirësimin e gjendjes shëndetësore, e që kanë të bëjnë me program të të ushqyerit, së fundmi kanë marrë hapa konkretë për ta pasuruar miellin me acidi folik dhe hekur.

Mungesa e këtyre përbërësve shkakton shumë anomali, e ndër to edhe lindje të parakohshme dhe lindje të fëmijëve të vdekur.