SHBA kërkon prova nga Rusia lidhur me Ukrainën

Krime...

Departamenti amerikan i shtetit thotë se Uashingtoni kërkon t’i shohë provat se Rusia është e gatshme për angazhim serioz për zgjidhje diplomatike të krizës në Ukrainë.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Jen Psaki, tha se gjatë një bisede telefonike, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ia ka shtruar disa ide kolegut të tij rus, Sergei Lavrov.

Psaki ka thënë se Kerry është i gatshëm të marrë pjesë në bisedime të mëtejshme, vetëm nëse Rusia është e gatshme të angazhohet në këto prozime.

“Kur sekretari Kerry bisedoi me ministrin e jashtëm Lavrov, ai e bëri të qartë se do t’i mirëpriste diskutimet e fokusuara se si të ulet përshkallëzimi i krizës në Ukrainë. Nëse dhe kur ne do të shohim dëshmi konkrete se Rusia është e përgatitur për angazhim në këto propozime”, tha Jen Psaki, duke folur në Uashington.

Departamenti i shtetit thotë se John Kerry i ka thënë Sergei Lavrovit se Uashingtoni dëshironte që Moska t’i ndalë avancimet e ushtrisë së saj në Ukrainë, ta ndalë lëvizjen e saj për aneksimin e Krimesë dhe t’i ndalë “hapat provokativë”.

Më herët, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se John Kerry ka kërkuar shtyrjen e vizitës në Moskë, megjithëqë fillimisht e kishte pranuar ftesën.

Në takimin me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Soçi, Sergei Lavrov, tha, po ashtu, se propozimet e bëra nga Kerry “realisht nuk na përshtaten neve”.

“Ai më thirri dhe më tha se dëshiron ta shtyjë vizitën për shkak të dokumentit të ri shtesë që është përgatitur në Uashington. Ai ma dërgoi atë mua. Ne e analizuam dhe sinqerisht i kemi ngritur shumë pyetje lidhur me këtë”, tha Sergei Lavrov gjatë bisedës me Vladimir Putinin.

Lavrov, më tutje, ka theksuar se Rusia i ka përgatitur propozimet e veta për zgjidhjen e krizës “duke marrë parasysh interesat e të gjithë ukrainasve”.

Forcat e Rusisë e kanë marrë kontrollin e Krimesë në Ukrainë, ndërsa Moska thotë se ka të drejtë t’i mbrojë interesat e saj dhe interesat e rusëve etnikë, që janë popullatë shumicë në Krime.

Më parë, ministria e jashtme e Rusisë ka shprehur shqetësim për atë që e ka cilësuar si “mungesë të ligjit”, dhe kjo gjë i ka prekur rusët dhe rusisht folësit në pjesën lindore të Ukrainës.

Ministria e Jashtme i ka fajësuar ekstremistët, për të cilët tha se kanë vepruar me “lejimin e heshtur” të autoriteteve të reja në Kijev.

Qeveria e Ukrainës dhe liderët perëndimorë e akuzojnë Moskën për shtrembërim të fakteve për ta arsyetuar vendosjen e forcave të saj në Krime.

Në mbështetje për qeverinë e re të Ukrainës, presidenti amerikan, të mërkurën në Uashington, do të takohet me kryeministrin e Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk.

Zoti Yatsenyuk do të flasë edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për krizën në Ukrainë.

Stephane Dujarric, zëdhënës i sekretarit ë përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka shfaqur shqetësim për reperkusione, nëse lejohet që situata të përkeqësohet më tutje.

“Ngjarjet aktuale në Krime veçanërisht i kanë shërbyer vetëm thellimit të krizës. Derisa tensionet dhe mosbesimi po rritet, kërkoj nga të gjitha palët të përmbahen nga aksionet e përshpejtuara dhe retorika provokuese. Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i ndihmoj aktorët kryesorë për qetësimin e situatës dhe të punoj kah zgjidhja e qëndrueshme dhe korrekte politike. Përkeqësimi i mëtejshëm i situatës do të ketë reperkusione për popullin e Ukrainës, për rajonin dhe komunitetin global”, tha Dujarric. (f. bujupi)