Ukraina në sytë e Evropës Juglindore

Homazhe për Ukrainën në Prishtinë

Kosova e quan pushtim, Shqipëria ndërhyrje, Kroacia mendon si Bashkimi Evropian, Serbia pro-ruse, Mali i Zi dëshiron paqe, Bosnja e Hercegovina thirr për dialog kurse Maqedonia brengoset.

Disponim i tillë është në qeveritë e shtatë shteteve të Evropës Juglindore, rreth zhvillimeve në Evropën Lindore fqinje, e cila po vlon nga frika e një skenari të shpartallimit të Ukrainës, pas ndërhyrjes së ushtrisë ruse në Krimean ukrainase.

Në Prishtinë të hënën mbrëma u zhvillua edhe një “homazh për Ukrainën”, të cilën e organizuan Kisha Protestante Ungjillore dhe Instituti i Paqes.

Të mbledhur para Teatrit Kombëtar të Kosovës, kësaj nisme iu përgjigjën dhjetëra veta, të cilët kishin ndezur qirinj në shenjë respekti për viktimat e dhunës në Ukrainë.

“Ne sonte jemi mbledhur këtu, një numër i qytetarëve, për t’u solidarizuar me shtetin e Ukrainës, për viktimat që kanë ndodhur atje. Për 100 e më shume viktima nga protestat e janarit dhe shkurtit, si dhe po ashtu për ta mbajtur në lutje këtë vend, nga rreziku nëpër të cilën po kalon, dhe po i kanoset në këtë kohë”, tha të hënën mbrëma Fehmi Canolli, organizator i homazhit për Ukrainën, nga Kisha Protestante Ungjillore.

Kosova

Qeveria e Kosovës “mund të mburret” se ka dhënë komentin më të ashpër në raport me zhvillimet në Ukrainë, pasi të dielën në një komunikim me medie e quajti Moskën zyrtare zaptuese të territorit ukrainas.

“Republika e Kosovës dënon pushtimin e territorit të Ukrainës nga Federata Ruse, dhe shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës në kundërshtim të plotë të detyrimeve të Federatës Ruse sipas Kartës së OKB-së, Aktit Final të Helsinkit dhe Memorandumit të Budapestit të vitit 1994”, thuhet në komunikatën që qeveria ua dërgoi medieve të dielën.

Me tone më të matura ndërkaq janë përgjigjur të gjitha vendet fqinje të Kosovës.

Shqipëria

Shqipëria për shembull të hënën mbrëma ka dënuar “ndërhyrjen” me forca ushtarake ruse në Ukrainë, që vlerëson se është “në kundërshtim të hapur me normat e së drejtës ndërkombëtare dhe në shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit”.

Por kjo gjë, nuk i mjaftoi deputetit socialist Ben Blushi, i cili të martën, gjatë një mbledhjeje të komisionit parlamentar për Politikë të Jashtme, kërkoi që “shteti shqiptar të ketë një qëndrim më serioz” në lidhje me situatën e krijuar në Ukrainë, pasi sipas tij, edhe pse “BE-ja ka qëndrim më të zbutur” dhe se marr parasysh që Shqipëria është “pjesë NATO-së, mund të themi fjalët tona!”.

Maqedonia

Maqedonia ndërkaq ka shprehur brengosje lidhur me situatën në Ukrainë, dhe ka bërë thirrje për dialog.

“Republika e Maqedonisë bën thirrje për ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për qetësimin urgjent të tensioneve, si dhe nevojën për vendosjen e dialogut politik për të gjitha problemet me të cilat përballet qytetarët e Ukrainës, për zgjidhjen e të cilave është e domosdoshme përfshirja e të gjitha palëve të prekura”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë.

Diplomacia maqedonase vlerëson se përshkallëzimi i dhunës javëve të fundit paraqet “burim për brengosje të madhe”.

Kroacia

Diplomacia kroate thotë të jetë në sinkron me politikën e jashtme evropiane, rreth krizës në Ukrainë.

Në Zagreb, ndërkaq vlerësojnë se Bashkimi Evropian, nuk është i aftë në vete të zgjidhë krizën në Ukrainë, të cilën bart edhe faj përse është përshkallëzuar deri në masën sa që Rusia të dërgojë trupat e veta në rajonet e banuara me shumicë ruse, posaçërisht në Krime.

Bosnja dhe Hercegovina

Distancë të dukshme në raport me zhvillimet në këtë shtet, po ka edhe qeveria e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Ministri i Punëve të Jashtme Zllatko Llagumxhija, përmes një deklarate neutrale ka ftuar palët “urgjentisht të dialogojnë, për të penguar përshkallëzimin e mëtejmë të situatës” së mundshme në Ukrainë.

Presidenca e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, ende nuk është deklaruar për zhvillimet në Ukrainë.

Mali i Zi

Mali i Zi thotë se zgjidhjen e krizës në Ukrainë, duhet “kërkuar përmes rrugëve paqësore”, dhe që kjo krizë ka marr “përmasa globale” të cilat duhet tejkaluar me mjete demokratike.

Serbia

Në Serbi ndërkaq, të hënën mbrëma kanë protestuar disa organizata djathtiste, para ambasadës së Rusisë në Beograd.

Qindra persona që mbanin flamuj të Rusisë, i ofruan përkrahje veprimeve ruse në Ukrainë.

Ndërsa zëvendëskryeministri i parë i qeverisë serbe, Alleksandar Vuçiq thotë se pavarësisht zhvillimeve në Ukrainë, Serbia vazhdon të jetë partner i Rusisë.

Dhe jo vetëm kaq.

“Ne pavarësisht ngjarjeve që po ndodhin në botë, nuk do t’i ndërpresim marrëdhëniet me Federatën e Rusisë. Do t’i avancojmë atë bashkëpunim dhe duam të eksportojmë sa më shumë produkte atje”, ka thënë zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së Serbisë në largim.

Oksana Sydova, kishte dalë për të parë kosovarët e mbledhur të hënën mbrëma në Sheshin Nënë Tereza në Prishtinë.

Ukrainasja që punon në një mision ndërkombëtar në Kosovë, tha se është mirënjohëse për këtë homazh për Ukrainën, ndërsa dha këtë porosi:

“Para disa jave kam ardhur në Kosovë, në kohën kur sapo kishte nisur kriza në Ukrainë. Një pjesë e imja nuk e kupton se përse keni dal ju këtu dhe po luteni për ne. Ju nuk na njihni! Por, jam shumë mirënjohëse”, tha ajo.

“Fatkeqësisht në Ukrainë, është dashur ta mësojmë se liria, nuk vjen vetiu, por me një çmim goxha të lartë. Kjo është diçka që ju sigurisht e ndërlidhni, sepse e keni përjetuar para nesh”, shtoi Sydova.

Në këtë frymë foli edhe Ramadan Ilazi, nga shoqëria civile.

Ilazi i cili drejton Institutin e Paqes, tha se ky homazh është për të ndarë dhimbjen me familjarët që humbën të dashurin e tyre, gjatë protestave të fundit kundër tiranisë në Kiev.

“Jemi sot këtu për të shprehur solidaritetin tonë me popullin e Ukrainës, kauzën e tyre të drejtë për liri dhe demokraci, me të ardhme në familjen evropiane”, tha ai.

“Ne e kuptojmë popullin e Ukrainës çfarë do të thotë të luftosh për liri krahas një kundërshtari me përmasa të mëdha”, shtoi ai, duke shfaqur shpresën se faktori ndërkombëtar do të ndërhyj për të zgjidhur krizën në Ukrainë.

“Ashtu sikurse shoqëria ndërkombëtare e mbrojti popullin e Kosovës, dhe ndërhyri për t’i dhënë përkrahje vendimtare në realizimin e lirisë, ne shpresojmë se shoqëria ndërkombëtare do të tregoj të njëjtin kujdes edhe ndaj popullit të Ukrainës”, tha Ilazi.