Kosova, e pafat me liberalizimin e vizave

Ilustrim

Kosova duket të ketë qenë mjaft e pafat në pretendimet që të përfshihet sa më parë në zonën evropiane të lëvizjes së lirë pa viza.

Në kohën kur Kosova e konsideronte veten të gatshme për këtë proces, Bashkimi Evropian vendosi t’i bënte më rigoroze kriteret.

Një masë të tillë Brukseli e kishte parë si të domosdoshme pas problemeve që i lindën me azilkërkuesit në rritje nga Serbia e Maqedonia pas vendimit për liberalizimin e vizave për këto dy vende.

Nisur nga masat e shtrënguara për vendet e Ballkanit, edhe Parlamenti Evropian kishte nxjerrë më pas një rekomandim, sipas të cilit Komisioni Evropian mund të kthente regjimin e vizave për këto vende, në rast se nuk i përfillin kriteret e marrëveshjeve.

Kjo atmosferë në Bruksel, kishte shtyrë eurodeputetet Tanja Fajon dhe Ulrike Lunacek që t’i paralajmërojnë edhe institucionet e Kosovës se nuk dihet data, e, madje, as viti i saktë se kur Kosova mund të përfshihet në zonën e liberalizuar nga vizat.

Njohësit e proceseve integruese evropiane në Prishtinë, i shohin këto deklarata si pasqyrim real. Kurse, kritikojnë qeverinë dhe institucionet tjera përgjegjëse se nuk kanë arritur t’i përmbushin kriteret shtesë për këtë proces të vendosura nga Brukseli.

Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se zyrtarët në Prishtinë shpesh liberalizimin e vizave e kanë interpretuar sipas dëshirave të tyre.

“Ndodhemi para një fakti dhe një dëshire. Fakti qëndron me atë çfarë zyrtarët nga Brukseli po u thonë qytetarëve të Kosovës për mosgatishmërinë e institucioneve për t’i plotësuar në tërësi kushtet që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Kurse, dëshira ka të bëjë me atë çfarë qeveria dhe zyrtarët e saj përgjegjës dëshirojnë t’i bëjnë qytetarët të mendojnë se Kosova që sot është e gatshme të jetë pjesë e zonës Shengen”, thotë Doli.

Ndërkohë, profesori i së Drejtës Evropiane, Avni Mazreku, mendon se zyrtarët e Qeverisë së Kosovës procesin e anëtarësimit në BE, si edhe atë të liberalizimit të vizave, po e përdorin edhe për manipulim politik.

Kjo, sipas tij, po ndodh edhe për faktin se në Kosovë ka një dëshirë të madhe për liberalizim, ngaqë një numër i madh i shtetasve kanë të afërmit e tyre nëpër vendet e BE-së dhe e duan sa më shpejt liberalizimin.

“Deklaratat e zyrtarëve tanë kanë shkuar në funksion të asaj se cilat janë dëshirat e qytetarëve të vendit. E dëshira e qytetarëve është liberalizimi i vizave. Por, në anën tjetër, kanë dështuar në përmbushjen e çështjeve kritike”, konsideron Mazreku.

Përveç anës teknike, që parasheh kritere dhe kushte, në BE ka rezerva në rritje sa i përket pranimit të shtetasve tjerë nga rajoni i Ballkanit në zonën Shengen.

Dren Doli rikujton se Bashkimin Evropian i ka shtuar kushtet në lidhje me liberalizimin e vizave për rastin e Kosovës, pas përvojave jo të mira me Serbinë dhe Maqedoninë.

“Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, nuk ka reflektuar në këtë dimension dhe në kuptimin e përgjegjësisë së saj shtesë, duke pasur parasysh që BE-ja kishte shtuar rigorozitetin, andaj edhe qeveria do të duhej të ishte më e kujdesshme që t’i adresonte kriteret shtesë dhe t’i linte anash deklaratat dhe dëshirat dhe të reflektonte me punë”, vlerëson Doli.

Po ashtu, edhe Avni Mazreku vlerëson se rezervat janë evidente edhe nga ana e Bashkimi Evropian, marrë parasysh edhe gjendjen socio-ekonomike dhe nivelin e lartë të papunësisë në Kosovë.

Një shkallë e tillë e papunësisë kishte shtyrë mijëra migrantë ilegalë të mësyjnë rrugën e azilit për të kërkuar një jetë më të mirë në ndonjërin prej vendeve anëtare të BE-së.

“Kishim rastet kur qytetarët përfunduan edhe në duart e trafikantëve e krimit, duke shitur pasuritë e tyre në kërkim të një të ardhme më të mirë. Këto skena ndodhin pasi që vendi i tyre, Kosova, nuk u ka ofruar atyre mundësi dhe se mungesa e prospektit për zhvillim ekonomik është atribut negativ për Kosovën në procesin e anëtarësimit në BE, por edhe në atë të liberalizimit të vizave”, thekson Mazreku.

Nga institucionet e BE-së, Kosovës sivjet i janë dhënë mesazhe të qarta se mund të ketë zvarritje, qoftë për shkak të mospërmbushjes së kritereve nga ana e institucioneve, apo edhe për shkak të kritereve dhe rezervave në rritje të Brukselit që të pranojnë më tutje shtrirjen e liberalizimit për vendet ballkanike.

Njëherësh, ky vit, në institucionet e Bashkimit Evropian, është një vit zgjedhor dhe ky zhvillim vlerësohet se do të ndikojë, po ashtu, në zvarritjet shtesë në lidhej me vendet që mëtojnë zonën Shengen në një afat sa më të shpejtë.