Pamundësia për t'u ankuar

Ilustrim

Pacientët, por edhe stafi shëndetësor, nuk kanë ku të ankohen në raste të caktuara. Edhe pse së fundmi është krijuar Oda e Profesionistëve Shëndetësorë, adresë kjo që do duhej të merrej me të drejtat e pacientëve dhe mjekëve, kjo odë, sipas kryetarit të Sindikatës së Shëndetësisë, nuk po funksionon.

Besim Kodra, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve thotë për Radion Evropa e Lirë, në një hulumtim të bërë për atë, se sa pacientët i dinë të drejtat e tyre, ka rezultuar se 55 për qind e tyre nuk kanë njohuri se ku duhet të ankohen.

"Mund të them se pacientët në Kosovë nuk i dinë të drejtat e tyre. Në hulumtimin e bërë në vitin 2013 kemi kuptuar se diku 55 për qind e pacientëve nuk kanë njohuri për të drejtat e pacientit dhe kjo e pamundëson qasjen e qytetarëve në të drejtat e tyre, dhe si ata mund të dinë se një drejtë e tyre po shkelet".

"Kjo na bëjnë të besojmë se ata nuk i paraqesin rastet për gabimet mjekësore në gjykata apo diku tjetër. Dhe një fakt tjetër është se kemi mbi 1 mijë vdekje për një vit në QKUK dhe nuk u është bërë autopsia dhe nuk e dimë a kanë vdekur prej gabimeve mjekësore apo prej diçka tjetër", shprehet Kodra.

Hysni Bajrami, kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor për Odën e Profesionistëve Shëndetësorë, ka deklaruar se edhe përkundër formimit të odave qysh vitin e kaluar, deri më tani asnjë denoncim, qoftë nga ana e pacientëve apo e mjekëve nuk kanë pranuar.

"Ende nuk ka pasur asnjë denoncim. Para disa ditësh kemi nxjerr organet, këshillin etiko-profesional, gjyqin e nderit dhe prokurorinë e odës. Presim që qytetarët të denoncojnë sepse adresa është e qartë për ta. Ne kemi bërë fushatë për informim publik, dhe mendoj se qytetarët e dinë adresën", bën të ditur Bajrami.

Por Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë në QKUK, pohon se ligji për Odën e Profesionistëve Shëndetësorë ka mbetur vetëm në letër, pasi që siç thotë ai, kjo odë nuk po funksionon.

''Mirë është bërë që është krijuar ligji për odën, por ai ligj ka mbetur vetëm në letër sepse veprimtaria nuk është funksionalizuar. Me ligj është punuar që Oda e mjekëve 3 vjet të jenë nën varësinë e Ministrisë së Shëndetesisë. Duhet të punohet edhe statute dhe të ndahen përgjegjësit. Shpresojmë në funksionalizimin e odave".

"Realisht as pacientët e as ne si shërbyes nuk kemi kujt t'i ankohemi. Neve na ka mbetur ta ngrehim zërin në kuadër të sindikatës . ne po mundohemi ta bëjmë me përkushtim atë punë, por edhe vërejtjet tona po hasin në vesh të shurdhër", thekson Selmani.

Vetë mjekët të cilët përballen në punën e tyre të përditshme me pacientë thonë se pacientët nuk i dinë të drejtat e tyre.

Sipas tyre, edhe pse tashmë është formuar Oda e Profesionistëve Shëndetësorë, për këtë gjë qytetarët nuk kanë shumë njohuri.

"Ekziston vendi ku pacientët ankohen, për shkeljen e të drejtave të tyre, por për gabime ekzistojnë edhe komisionet e ndryshme në kuadër të klinikave. Tash me krijimin e odës së mjekëve, dhe do të merren me ankesat e pacientëve, por mendoj se pacientët nuk janë mirë të informuar për mundësitë dhe nevojën e denoncimeve dhe për këtë duhet një fushatë më informuese", thotë Haxhi Avdyli, neurokirurg.

Ai pohon se si në çdo punë, edhe në punën e mjekëve, mund të ndodhin gabime të ndryshme, por sipas tij, e keqja është se në mjekësi mund të kenë pasoja në shëndetin e pacientëve.

Me zhvillim teknologjik këto gabime janë zvogëluar në minimum, por që siç thotë ai, ato ende ekzistojnë.

"Ne në spitale mundohemi ta sqarojmë që rreziqet mund të ndodhin, edhe pse nuk do të thotë që do të ndodhin. Rreziqet gjithmonë mund të ndodhin dhe mendoj se pacientët duhet të pajtohen me këtë dhe detyrohen të nënshkruajnë".

"Gjatë punës mund të ndodhë edhe ndonjë gabim që ne si profesionistë shëndetësorë mundohemi shumë që punën tonë ta kryejmë me profesionalizëm të plotë. Këto gabime nuk ndodhin vetëm te ne por gjithkund në botë ku shëndetësia është shumë më e avancuar. Kosova nuk qëndron prapa në këtë drejtim", është shprehur zoti Avdyli.