Jo vendvotime, por pika të grumbullimit

Në Kosovë nuk do të ketë qendra të votimit për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, por vetëm pika të grumbullimit, të cilat do të grumbullojnë materialin zgjedhor dhe votat e qytetarëve të Kosovës, të cilët si shtetësi të dytë e kanë atë të Serbisë.

Kështu kanë ritheksuar zyratrët e Qeverisë së Kosovës, pozicionin dhe qëndrimin e saj lidhur me zgjedhjet serbe.

Bekim Çollaku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Serbia nuk mund të organizojë zgjedhje në Kosovë dhe rrjedhimisht nuk do të ketë qendra votimi në Kosovë.

“Jo qendra votimi, por pika grumbulluese, ashtu siç edhe e kam thënë. Modalitetet teknike i vendosim këtu, në Kosovë, dhe e vendosim të kërkojmë ndihmën e OSBE-së. Kurse, Serbia as që ka për të provuar që të hap qendra votime dhe asgjë tjetër”, ka theksuar Çollaku.

Në anën tjetër, ajo për të cilën insistojnë zyrtarët e Serbisë, është që zgjedhjet të mund të mbahen në mënyrën që janë mbajtur zgjedhjet paraprake, në vitin 2012.

Këtë e ka theksuar për Radion Evropa e Lirë edhe Milovan Dreçun, kryetar i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë.

“Pres që zgjedhjet do të kryhen ashtu sikurse janë realizuar edhe herën e fundit, ku OSBE do ta luaj rolin vendimtar për organizim dhe monitorim. Natyrisht se do të ishte mjaft produktive që Prishtina të mos bëj çfarëdo problemesh në realizimin e zgjedhjeve. Për ne është me interes që zgjedhjet të organizohen në të gjitha 57 vendvotimet, ashtu siç edhe ka qenë herën e kaluar”, ka thënë Dreçun.

Por, ndryshe nga ajo që ka thënë Dreçun, Çollaku ka këmbëngulur se kjo nuk do të ndodhë.

“Ambienti politik ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore që nga arritja e marrëveshjes (së Brukselit), kështu që, nuk mund të bëni krahasime të 2014 me 2012”, ka thënë Çollaku.

Por, Dushan Janjiq, nga Forumi për marrëdhënie etnike thekson se serbët në Kosovë do të mund të votojnë përmes rrugëve elektronike, postës, si dhe në ato vendvotime të cilat do t’i hapin pjesët e mbetura të administratës e cila ka funksionuar në kuadër të sistemit të Serbisë.

Sa i përket shtetësisë së dyfishtë, të cilën sipas Janjiqit, e përmend Prishtina në kontekstin e krijimit të mundësisë që serbët e Kosovës të votojnë për Parlamentin e Serbisë, ai thotë se çështja e shtetësisë nuk është biseduar në Bruksel dhe se kategoria e dyshtetësisë tashmë ekziston “de fakto”, por nuk ekziston “de jure”.

“Nuk mund të jetë bazë për shkurtimin ose zgjerimin e të drejtës për zgjedhje. E dyta, po ashtu është fakt se janë bërë zgjedhjet lokale dhe se administrata e cila ka qenë nën sistemin e Serbisë, tashmë ka mbetur pa para, pa xhirollogari. Në mënyrën formale juridike ajo është dashur t’i braktisë edhe ambientet, por formalisht këtë nuk e ka bërë".

"Kështu që, Serbia, eventualisht, mund të mbështetet në një pjesë të asaj administrate, e cila ende nuk ia ka liruar vendin administratës së sapozgjedhur që bazohet në marrëveshjen e Brukselit. Megjithatë, përsëri kjo është një çështje e shkeljes juridike , por faktikisht ekzistojnë ato elemente të institucioneve paralele dhe është e qartë se ato do të jenë bazë për organizimin e zgjedhjeve dhe se ato do t’i shfrytëzojnë listat zgjedhore, të cilat i kanë shfrytëzuar në vitin 2012”, ka theksuar Janjiq.

Ndryshe, çështja e mënyrës së pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në votimet për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, pati ngjallur reagimet e njohësve të rrethanave zgjedhore në Kosovë dhe e ekspertëve juridik-kushtetues.

Një pjesë e tyre kanë vlerësuar se pikat e grumbullimit janë mundësi, përmes të cilave serbët e Kosovës, të cilët kanë shtetësinë edhe të Serbisë, realizojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Por, ekspertë juridik - kushtetues kanë vlerësuar se mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë, qoftë përmes organizimit të vendvotimeve, qoftë përmes pikave grumbulluese, e shkelin ligjshmërinë dhe Kushtetutën e Kosovës.