Prodhimet vendore, të "dyshimta" për konsumatorin

Ilustrim

Produktet, të cilat prodhohen në Kosovë, vazhdojnë të sfidohen nga produktet e shteteve tjera.

Pavarësisht cilësisë së duhur dhe me standarde evropiane, produktet vendore ende nuk e kanë fituar në masë të madhe besimin e konsumatorëve, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve në Kosovë.

Importi në Kosovë kalon shifrën prej 2 miliardë eurosh në vit, derisa kontributi i eksporteve në volumin tregtar është shumë i ulët, rreth 200 milionë euro. Këto të dhëna zyrtare, tregojnë se konsumimi i produkteve kosovare vazhdon të jetë nën nivelin e dëshiruar.

Sektori i prodhimtarisë nga përfaqësues të bizneseve, vlerësohet njëri nga sektorët më të pazhvilluar në Kosovë. Bizneset që merren me zhvillimin e këtij sektori, thonë se konkurrenca e padrejtë i ka dëmtuar ata dhe ka pamundësuar që të marrin tregun.

Përfaqësuesit e Aleancës Kosovare të Biznesit, të cilët përfaqësojnë komunitetin e biznesit në vend, thonë se prodhuesit vendorë po përballen me vështirësi të shumta, gjë e cila po iu pamundëson atyre të zhvillohen.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se duhet të krijohen politika më të favorshme ekonomike për prodhuesit vendorë.

“Prodhimtaria e Kosovës sfidohet nga konkurrenca e ashpër nga jashtë dhe kjo e bën të pamundur të jetë konkurrent karshi produkteve të huaja që vijnë në Kosovë, e që shumë herë produktet e importuara janë të pakontrolluara. Pavarësisht të gjitha këtyre vështirësive, prodhuesi vendor po lufton për të promovuar dhe prodhuar produkte sa më cilësore dhe për t’i shërbyer konsumatorit”, thotë Shahini.

Kosova, sipas tij, mbetet importuesi më i madh i produkteve të gatshme, që është 90 për qind, derisa eksporti është vetëm 10 për qind.

Disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë besojnë në cilësinë e produkteve vendore. Ata thonë se preferojnë më shumë produktet vendore, sesa ato të importuara.

Suzana Shaqiri, 30 vjeçe, qytetare nga Prishtina, thotë se në familjen e tyre konsumojnë produkte vendore.

“Konsumojmë produkte vendore, kuptohet ato të cilat janë në treg, pasi që ka shumë produkte që nuk prodhohen në Kosovë dhe duhet t’i blej ato të huaja. Por, produktet e bulmetit të gjitha i preferoj ato që janë vendore”, tregon Suzana.

Derisa, Nexhmedin Sylejmani beson shumë në cilësinë e produkteve të Kosovës. Ai thotë se janë më të sigurta dhe më të lira sesa produktet e importuara.

“Më shumë iu besoj prodhimeve vendore, i blej dhe i preferoj, kanë filluar të jenë më cilësore”, shprehet Nexhmedini.

Kompania “Pestova”, në Vushtrri merret me prodhimin dhe përpunimin e patates. Bedri Kosumi, pronar i kësaj kompanie, tregon për Radion Evropa e Lirë se produktet e tyre kanë fituar një pjesë të madhe të konsumatorëve, dhe se këtë e kanë arritur falë cilësisë që kanë produktet që ata i prodhojnë.

“Është bërë një progres shumë i madh duke filluar nga kapacitetet prodhuese, teknologjia, por edhe kualiteti. Kualiteti dhe çmimi janë dy gjëra që e bëjnë një produkt të jetë i preferuar për konsumatorin. Besoj që ia kemi dalë me këtë dhe kemi rritje bukur të madhe të vetëdijesimit të konsumatorëve karshi produkteve vendore, por përfundimisht nuk është ai që duhet të jetë”, thekson Kosumi.

Për të pasur më shumë konsumim të produkteve vendore, sipas Kosumit, duhet të punohet nga të gjithë, duke filluar nga institucionet e Kosovës, tregtarët, bizneset dhe konsumatori.

Kosumi vlerëson se politikat fiskale të Kosovës vazhdojnë të jenë të pafavorshme, kostoja e prodhimit në Kosovë është më e lartë se sa në vendet e rajonit.

Ndryshe, Tatimet e larta mbi Vlerën e Shtuar, taksat doganore për lëndën e parë, financimi i vështirë i bizneseve, normat e larta të interesit, janë vetëm disa nga vështirësitë, të cilat ata i kishin theksuar vazhdimisht.