Ndërlidhjet

Progres dhe regres kompanitë vendore


Fabrika e patates "Pestova"', Vushtrri
Fabrika e patates "Pestova"', Vushtrri
Disa nga kompanitë private në Kosovë gjatë vitit të kaluar kanë shënuar progres, ndërsa disa të tjera regres, thonë pronarë të biznesve private. Ata thonë se gjatë vitit 2013, autoritetet kompetente nuk kanë treguar ndonjë përkushtim në përmirësimin e kushteve të sektorit privat.

Se sektori më i rëndësishëm për zhvillimin e vendit po përballet me situatë gjithnjë e më të vështirë, tregon edhe një anketë e zhvilluar me 600 biznese nga Instituti “RIINVEST”.

Nga ky numër, më shumë se 50 për qind prej tyre pohojnë se kanë pasur rënie të fuqisë se tyre, ndërsa 21 për qind kanë shënuar rritje, kurse 25 për qind nuk kanë pasur ndonjë ndryshim.

Por, sipas raportit, kjo rritje ka ndodhur për shkak të lidhjeve të mira që kanë pasur me Qeverinë.

Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit pohojnë se jo të gjitha kompanitë gjatë këtij viti kanë treguar performancë të mirë ekonomike. Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, tregon disa nga barrierat, me të cilat janë përballur kompanitë private.

“Duke filluar nga politikat për të bërë biznes, do të thotë politikat fiskale, politikat e qeverisjes lokale , njëkohësisht i ka përcjellë joformaliteti, interesi bankar shumë i lartë, por edhe burokracia dhe korrupsioni kanë qenë ndër shkaktarët që bizneset vështirë e kanë tejkaluar këtë vit. Dëshiroj që të jetë viti i fundit, por me gjasë edhe më tutje do t’i kenë këto sfida rreth vetes”, shprehet Shahini.

Megjithatë, disa pronarë të kompanive tregojnë se kanë pasur ndryshime pozitive, por kjo është realizuar në bazë të politikave të tyre zhvillimore, sepse sipas tyre, ekzekutivi i vendit nuk ka arritur që as gjatë vitit që lamë pas, të përmirësojë ambientin e të bërit biznes.


Kompania “Frutex” nga Suhareka është një ndër kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike. Pronari i kësaj kompanie, Shaqir Palushi, tregon se gjatë vitit të kaluar kompania ka treguar suksese në zgjerimin e aktivitetit, por kjo, sipas tij, ka ndodhur falë angazhimit vetanak.

Ai përmend plasimin e produkteve të reja në treg, rritjen e të ardhurave financiare, si dhe rritjen e konsumit të produkteve “Frutex”.

Pije nga prodhuesi "Frutex", Suharekë
Pije nga prodhuesi "Frutex", Suharekë
Ndërkaq, gjatë 2013, kjo kompani ka arritur që prodhimet t’i eksportojë në Serbi, konkretisht në Luginën e Preshevës, në Libi dhe Afrikë.

“Nuk mund të themi se nuk ka ndonjë lëvizje. Mirëpo, ajo që është më e rëndësishme, ka shumë vjet që është premtuar se do të aprovohet një pako e re fiskale, për lirimin nga dogana për lëndën e parë. Natyrisht, se na kushton, duke ditur se konkurrenca në këtë sektor është e madhe, sidomos nga vendet rajonale, vende këto ku politikat fiskale janë më të favorshme”, tregon Palushi.

Ndryshe, zyrtarë në Ministrinë e Financave kanë thënë se viti 2014, do të jetë vit i fillimit të zbatimit të reformave fiskale të ndërmarra gjatë vitit 2013.

Një pjesë e konsiderueshme e lëndëve të para do të lirohen nga taksa doganore për 10 për qind, kërkesë kjo e vazhdueshme e komunitetit të biznesit.

Kompania tjetër prodhuese “Pestova” në Vushtrri, merret me prodhimin dhe përpunimin e patates. Kjo kompani ka mbi 100 punëtorë, ndërkaq numri i tyre rritet gjatë kohës së kultivimit dhe grumbullimit të patates.

Edhe kompania “Pestova”, gjatë viti 2013, ka rritur kapacitetet prodhuese .
Por, Bedri Kosumi, pronar i kësaj kompanie, thotë se produktet kosovare po rrezikohen nga konkurrenca e padrejtë.

“Importi është shumë agresiv. Ne dëshirojmë të jemi konkurrent, mirëpo jemi në një konkurrencë të pabarabartë, për shkak se kostoja e prodhimit në Kosovë, është më e lartë se sa në vendet tjera. Por, gjithsesi ne po punojmë dhe po mundohemi të punojmë”, thekson Kosumi.

E, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore “Të bërit biznes”, Kosova ka shënuar rezultate pozitive.

Në këtë raport Kosova është radhitur e 86-ta, duke shënuar përparim për 10 pozita krahasuar me vitin 2012.

Raporti vjetor i Bankës Botërore “Të bërit biznes” gjykon 189 vendet në 11 kritere, dhe përpilon indeksin e lehtësimit të të bërit biznes, duke notuar secilin shtet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG