Korrupsioni prek edhe Gjyqësorin

Enver Peci

"Korrupsioni, edhe në sistemin gjyqësor, por edhe në institucionet e tjera është i pranishëm dhe ne nuk mund ta mohojmë. Mirëpo, në Gjyqësor ndoshta më tepër është edhe një lloj perceptimi për shkak të natyrës edhe funksionit që kryen”, thotë në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci.



RADIO EVROPA E LIRË
Sistemi i drejtësisë në Kosovë, vazhdon të përballet me probleme të ndryshme, siç janë ato me mungesë të numrit të gjyqtarëve dhe lëndëve të pazgjidhura, por edhe probleme të tjera. Cila është gjendja faktike sipas jush?

ENVER PECI
Në fakt, ne jemi duke u përballur me numrin e madh të lëndëve të papërfunduara edhe me numrin e gjyqtarëve që nuk korrespondon me numrin e lëndëve në kuptimin e përballjes me rastet.

Në fakt, në vitin 2013 ka filluar një reformë, do të thotë reforma e re në gjyqësor, riorganizimi i ri i gjykatave dhe në ketë drejtim, jemi duke i bërë analizat edhe të ngarkesave të gjykatave me lëndë.

Gjendja është më alarmante në Prishtinë, ndërsa sa u takon gjykatave të tjera, sipas analizës që ne e kemi përpiluar, ka mundësi që të përballohet që në tri vitet e ardhshme të arrihet një efikasitet shumë më i madh. Do të thotë, në përgjithësi, Gjyqësori në Kosovë përballet me lëndët e përmbarimit, të cilat nuk janë lëndë të karakterit profesional në zgjidhje, e sidomos ato me dokumente autentike që qytetarët kanë borxhe ndaj kompanive të ndryshme.

Ndërsa, me qëllim të zbutjes së kësaj situate ne tashmë i kemi shpallur vendet e punës, pozitat e reja për gjyqtar, rreth 47 pozita për nivel të Gjykatave themelore. Kemi kërkuar gjyqtarë shtesë në Gjykatën e Apelit,
do të thotë, sipas asaj analize që ne e kemi konstatuar se ku është ngarkesa më e madhe. Po shpresojmë që me këtë numër do të përballemi me rastet.

Numri më i madh do të sistemohet në Prishtinë, afër 20 edhe ndoshta edhe kjo do të ndihmojë në efikasitetin më të madh, sidomos në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur flasim për reformat, deri ku kanë arritur ato dhe çka ka mbetur pa u bërë?

ENVER PECI
Ne, sipas Ligjit për gjykatat, kemi startuar me riorganizimin e ri të gjykatave. Janë caktuar gjyqtarët nëpër departamente, siç kërkohet me ligj, mirëpo, prapë po them, për shkak të kritereve që kërkohen me ligj për disa departamente, kemi pasur sfida të mëdha, sidomos ato në departamentin e krimeve të rënda. Ndërsa, ka filluat të funksionojë departamenti për çështje ekonomike dhe administrative, që është për tërë territorin e Kosovës dhe që është në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, besoj se aty ka të arritura të mira.

Mirëpo, prapë po them ngarkesat më të mëdha janë në gjykatat themelore, në kuptimin e dokumenteve të përmbarimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Peci, çka është duke ndodhur me gjykatat në veri të Mitrovicës? Ju keni qenë pjesë e delegacioni të Kosovës në Bruksel, ku është biseduar për gjykatat atje...

ENVER PECI
Unë desha ta përmend edhe më herët se këto janë sfidat në kuptimin esencial sa i takon me lëndë. Problemi tjetër është funksionalizimi i gjykatave në veri. Ju e dini që janë duke u zhvilluar bisedat, ne kemi qenë staf teknik. Ndoshta nuk mund të prononcohem në detaje se ku kanë arritur në nivelin politik, këto (bisedime) apo përafrim i qëndrimeve, për shkak se ne, si grup teknik, vetëm i japim kornizat ligjore të Republikës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, ju i dini kërkesa e palës serbe. Cilat janë ato?

ENVER PECI
Në përgjithësi ne jemi marrë vesh që të ekzistojë një Gjykatë Themelore, mirëpo, siç kam deklaruar edhe më herët, disa probleme kanë mbetur rreth strukturës, vendosjes së degëve të gjykatave dhe sistemimit të gjyqtarëve në një gjykatë të nacionalitetit shqiptar dhe serb.

Ndoshta, kërkesat e palës serbe janë që të ketë numër më të madh të gjyqtarëve dhe stafit mbështetës në kuadër të Gjykatës Themelore në veri, ku edhe është ndërtesa e gjykatës.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se do të arrihet shpejt një pajtim?

ENVER PECI
Prapë po them se është nivel politik, që disa çështje përmbajtësore dhe parimore duhet të aprovohen atje. Ne kemi qenë ndoshta afër arritjes së marrëveshjes, po prapë po them situatat ndryshojnë në kuptimin edhe politik, që ndoshta nuk kam njohuri sa u takon atyre rrjedhave si po shkojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur raporte të shumta ku flasin se në sistemin e drejtësisë vazhdon të jetë i pranishëm fenomeni i korrupsionit. Pse po ndodh kjo, sipas jush?

ENVER PECI
Korrupsioni edhe në sistemin gjyqësor, por edhe në institucionet e tjera është i pranishëm dhe ne nuk mund ta mohojmë. Mirëpo, në Gjyqësor ndoshta më tepër është edhe një lloj perceptimi për shkak të natyrës edhe funksionit që kryen. Në gjykata zakonisht i kemi dy palë edhe sondazhi që është bërë sa i takon kësaj çështjeje, ka dalë që palët e pakënaqura kanë thënë se sistemi gjyqësor është i korruptuar.

Ne, në vazhdimësi jemi duke punuar në këtë drejtim. Jemi duke i adresuar çështjet të organet kompetente, për individët që ndoshta janë të “njollosur”. Në anën tjetër, edhe Komisioni disiplinor edhe Zyra e prokurorit për disiplinë adresojnë çështjet e sjelljes së pahijshme të gjyqtarëve që ndoshta nuk hyjnë në rangun e korrupsionit, mirëpo edhe ato ndikojnë në imazhin e Gjyqësorit.

Në përgjithësi ne konsiderojmë se ka përmirësime. Konsideroj se nganjëherë një perceptim për Gjyqësorin mund të jetë jo i saktë.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni deklaruar se prania e misionit të EULEX-it, është e nevojshme edhe për një kohë në Kosovë, sidomos për rastet, siç thuhet, të krimeve të luftës. Deri kur mendoni se është i nevojshëm ky mision për sistemin e drejtësisë?

ENVER PECI
Ndoshta kam thënë në kuptimin e asaj që EULEX-i ka filluar disa procedura dhe ashtu është ndoshta marrëveshja që do ta përfundojnë. Mirëpo, në të njëjtën kohë, unë konsideroj që është momenti më i duhur që gjyqtarët vendorë të përballen dhe sfidohen edhe ata me rastet më sensitive, më të rënda.

Duhet, më në fund, t’i marrim përgjegjësitë dhe në këtë drejtim po më duket që është duke shkuar rrjedha, ndoshta duhet një riformatizim i EULEX-it në kuptimin e prezencës së tij, mirëpo jo edhe siç ka qenë në kuptimin e kaluar.

Është me rëndësi, që ndoshta gjyqtarët ndërkombëtarë të jenë në sistemin tonë, por të jenë në kompetencat dhe përgjegjësitë që janë të rregulluara edhe për gjyqtarët vendorë edhe të punojnë bashkërisht në çështjet që i kanë para vetes.

Ne, si Gjyqësor vendor, shpresoj dhe besoj shumë shpejt që do të jemi në gjendje të përballemi me raste edhe më të rënda