Fëmijët lypsarë, të trafikuar apo të varfër?

Ilustrim

Organizata të ndryshme që merren me të drejtat e fëmijëve në Kosovë, thonë se numri i fëmijëve lypsarë është i madh dhe se kjo çështje po bëhet shqetësuese çdo ditë e më shumë.

Në një debat të organizuar nga organizatat Forumi për Iniciativë Qytetare dhe AKTIV, është folur për atë se sa u shkelen të drejtat fëmijëve lypsarë.

Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve “KOMF”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se fakti që Kosova sot ka shumë fëmijë lypsarë, mbetet shqetësues, pasi që atyre fëmijëve u rrezikohet shëndeti dhe jeta në përgjithësi.

“Është shqetësues, sepse janë fëmijë. Në kuadër të takimit do të flasim për kërkim-lëmoshën në aspektin e shkeljes së të drejtave të fëmijëve dhe nga këndvështrimi i mbrojtjes së fëmijëve. Është shqetësues për faktin se fëmijëve iu rrezikohet shëndeti, pra atyre që kërkojnë lëmoshë”.

“Një pjesë e tyre shfrytëzohen nga vetë prindërit e tyre. Ka dyshime që një pjesë e tyre janë të shfrytëzuar edhe nga persona të tjerë. Por, fëmijët që kërkojnë lëmoshë, braktisin edhe mësimin. Ata një pjesë të ditës e kalojnë në rrugë, andaj janë të rrezikuar qoftë në udhëkryqe, semaforë, duke kërkuar lëmoshë
”, ka thënë Kelmendi.

Ndërkaq, edhe qytetarët e shohin si shqetësues faktin se fëmijët janë të ekspozuar ndaj kësaj dukurie negative, duke shtuar se të njëjtit mund të bien edhe pre e trafikimeve të ndryshme.

“Një fakt që më shqetëson shumë, është se vajzat që janë lypsare që nga paslufta, prej kur kanë qenë fëmijë, tash janë në moshën që janë të rrezikuara, sepse ato lypin, apo të tjera që shesin çamçakëzë apo ndonjë çokollata në klubet e natës. Mendoj se ato janë të ekspozuara ndaj çdo lloj keqpërdorimi, që nga prostitucioni e deri te trafikimi i tyre. Ne, si shoqëri, duhet të merremi me ta, por edhe institucionet. Mandej, fëmijët që lypin në udhëkryqe janë të rrezikuar se mund t’i godasë ndonjë makinë për shembul”, ka shprehur shqetësimin e saj qytetarja Mejreme Kastrati.

Ndryshe, zyrtarja e lartë e Sekretariatit kundër trafikimit me qenie njerëzore në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Trëndelina Duraku, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se Policia e Kosovës gjatë vitit 2013 ka pasur operacione të shumta, ku janë identifikuar 66 fëmijë lypsarë. Ajo ka shpjeguar se pesë prej tyre kanë qenë të trafikuar dhe të detyruar të kërkojnë lëmoshë.

“Fëmijë lypsarë ka shumë në Kosovë, sidomos në qytetet e mëdha. Nuk do të thotë që fëmijët që janë në rrugë, doemos janë të trafikuar. Ata mund të jenë të detyruar edhe nga vetë prindërit e tyre. Në qoftë se prindërit janë ata që i detyrojnë fëmijët e tyre, nuk i takon fushës së trafikimit, por që me Kodin e ri penal të Kosovës, me nenin 250, sanksionohen prindërit që i keqpërdorin fëmijët e tyre”.

“Policia e Kosovës, departamenti për hetime për trafikim me qenie njerëzore në vitin 2013 ka pasur operacion në 7 qytete të Kosovës dhe ka intervistuar 66 fëmijë lypsarë dhe gjatë gjithë vitit, vetëm 5 kanë rezultuar të jenë të trafikuar. Një ka qenë i moshës madhore, derisa 4 të tjerë të mitur”
, ka bërë të ditur Duraku.

Ndërkohë, Donjeta Kelmendi ka thënë se duhet gjetur alternative nga ana e institucioneve të Kosovës, në mënyrë që t’u mbrohen të drejtat fëmijëve.

“Ka iniciativa që janë marrë nga institucionet për parandalim, por kërkim-lëmosha duhet të shihet si problematikë në mënyrë më të thellë, sepse gjendja e tyre ekonomiko-sociale është e rëndë. Ky është faktori kryesor që i shtyn fëmijët të kërkojnë lëmoshë".

"Andaj, institucionet duhet të punojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe të trajtohen rrënjët se nga vjen problemi. Ata që janë të përfshirë në skemën e asistencës sociale, nuk u mjafton. Shuma është shumë e vogël dhe nuk është zgjidhje kjo çështje. Duhet të ofrohen alternativa tjera për zgjidhjen e problemit”
, ka përfunduar Kelmendi.