Ndërlidhjet

DASH: Të ndiqen penalisht trafikuesit


Në Uashington mbrëmë vonë është publikuar raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për trafikimin e njerëzve në gjithë botën për vitin 2013.

Kosova e ka fituar rejtingun e dytë më të lartë për përpjekjet në luftën kundër trafikimit të njerëzve,së bashku me Azerbajxhanin, Bosnjë Hercegovinën, Gjeorgjinë, Irakun, Kazakistanin, Kirgizinë, Pakistanin, Rumaninë dhe Taxhikistanin.

Megjithatë, ka edhe kritika në adresë të qeverisë.

Në fillim të raportit, në pjesën për Kosovën, theksohet se ajo është vend i burimit dhe destinimit për femra dhe fëmijë, që janë subjekt i trafikimit seksual dhe i punës së detyruar.

Në këtë kuadër theksohet se mungesa e vizave për pjesën më të madhe të udhëtarëve, e bënë Kosovën vend të përshtatshëm për tranzit.

Shumica e viktimave të trafikimit seksual në Kosovë janë shtetase kosovare, megjithëqë mendohet se femrat nga Moldavia, Sllovakia, Shqipëria, Serbia dhe Polonia, po ashtu, ballafaqohen me prostitucion të dhunshëm në Kosovë.

Në raport shkruan se fëmijët nga Kosova dhe vendet fqinje ishin subjekt i kërkimit të dhunshëm të lëmoshës.

Trafikantët bëjnë që shtetasit e Kosovës të jenë subjekt i prostitucionit të dhunshëm dhe punës së dhunshme në gjithë Evropën.

Në raportin e gjatë të Departamentit Amerikan të Shtetit, thuhet se qeveria e Kosovës nuk bashkëpunon plotësisht sipas standardeve minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, ajo po bënë përpjekje të rëndësishme për ta bërë këtë.

Në këtë kuadër theksohet se qeveria, gjatë periudhës raportuese, e ka miratuar kodin e ri penal, që i ka shtuar përshkrimet e dënimeve penale për kryerësit e trafikimit.

Ajo i ka plotësuar procedurat standarde të operimit për identifikimin dhe ndihmën për viktimat e trafikimit, ka themeluar strehime për viktimat dhe ka udhëhequr fushatë për parandalimin e trafikimit.

Në raport theksohet se derisa gjykatat kanë bërë progres në reduktimin e rasteve të pashqyrtuara, qeveria ka luftuar që kryerësit e trafikimit të mbahen përgjegjës.

Qeveria nuk ka dënuar asnjë zyrtar qeveritar të dyshuar për bashkëfajësinë trafikim, dhe nuk e ka zhvilluar procedurën ndaj një zyrtari të implikuar në trafikimin seksual.

Në kapitullin e rekomandimeve thuhet se duhet të forcohen përpjekjet për t’i ndjekur, akuzuar dhe dënuar kryerësit e trafikimit të njerëzve për punë dhe seks, përfshirë edhe zyrtarët e përfshirë në trafikim.

Duhet mbajtur trajnime të avancuara kundër trafikimit për gjyqtarët, prokurorët dhe për pjesëtarët e tjerë të agjencive të zbatimit të ligjit.

Gjatë periudhës së raportimit, autoritetet kanë iniciuar 104 raste të hetimeve për trafikim.

Gjykatat kanë filluar procedurat në 31 raste të reja në vitin 2012, krahasuar me 22 raste në vitin 2011.

Në kuadër të sfidave serioze në drejtësi, gjykatat i kanë dënuar 41 trafikues në vitin 2012, ndërsa në vitin 2011 ishin dënuar 37.

Gjyqet i kanë liruar nëntë të pandehur, ndërsa 35 raste ishin në zhvillim e sipër në periudhën e raportimit.

Më raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin në gjithë botën në vitin 2013, thuhet se qeveria i ka vazhduar përpjekjet për parandalimin e trafikimit të njerëzve, megjithëqë fondet nga zyra e koordinatorit kombëtar për anti-trafikim për aktivitetet parandaluese ishin të kufizuara.

Në koordinim me Organizatës në Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) qeveria ka udhëhequr një fushatë intensive dyjavore mediale në programet në televizione dhe radio si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në atë serbe.

Kjo fushatë ka rezultuar me rritje dramatike të numrit të thirrjeve në linjat telefonike speciale që kërkonin informacione për trafikim dhe referime për viktimat potenciale.

Raporti thotë se Kosova ka nënshkruar protokoll me qeverinë e Shqipërisë për identifikimin e fëmijëve që kërkojnë lëmoshë dhe aranzhimin e riatdhesimit të sigurt.

Qeveria nuk ka demonstruar përpjekje për reduktimin e kërkesave për aktet komerciale seksuale ose punën e dhunshme, thuhet në fund të raportit të gjatë të Departamentit amerikan të shtetit për trafikimin e njerëzve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG