Soçi 2014: Rriten shqetësimet për sigurinë

Soçi

Forcat e sigurisë në qytetin rus të Soçit janë në kërkim të një gruaje nga Kaukazi Verior, e cila thuhet se mund të jetë duke planifikuar një sulm terrorist gjatë Lojërave Olimpike Dimërore, që do të mbahen muajin e ardhshëm.

Zyrtarët kanë shpërndarë fotografi të 22-vjeçares, Ruzanna Ibragimova, e veja e një militanti të dyshuar islamik.

Alarmi për Ibragimovan është këmbana e fundit, derisa Rusia përgatitet për të mirëpritur ngjarjen botërore sportive në një zonë, e cila ndodhet vetëm disa qindra kilometra larg pjesës më të dhunshme të Federatës Ruse – Kaukazit Verior.

Kritikët kanë paralajmëruar prejse Soçi ka aplikuar për të qenë nikoqir i Olimpiadës, se rreziku i terrorizmit është i lartë, për shkak të rebelimit të gjatë islamik që ka mbërthyer Kaukazin Verior. Doku Umarov, udhëheqës i kryengritjes dhe militanti më i kërkuar në Rusi, e ka cilësuar Olimpiadën si “satanike” dhe është zotuar se do ta ndalojë atë “duke përdorur metodat që lejon Allahu”.

Gjatë fundjavës, në një ueb-faqe xhihadiste është shfaqur një video, e cila tregon dy burra që marrin përgjegjësinë për dy sulme vetëvrasëse që kanë ndodhur në qytetin Volograd, muajin e kaluar. Mbi 30 njerëz janë vrarë në këto shpërthime. Zyrtarët rusë janë duke hetuar se kur është incizuar kjo video dhe nëse dy burrat janë bombarduesit e Volgogradit.

Në video, ata thonë se nëse Olimpiada mbahet, Rusia do të paguajë për gjakun e të gjithë myslimanëve të vrarë.

Gazetari rus dhe eksperti i sigurisë, Andrei Soldatov, thotë se raportet se videoja ka lidhje me terroristët nga Iraku, janë të gabuara.

“Kjo video është mesazh i qartë që është dërguar në radhë të parë për qytetarët e Rusisë qendrore. Madje edhe këngët që dëgjohën në të, janë ruse. Ky mesazh nuk dërgohet për banorët e Kaukazit Verior, por për qytetarët e pjesës tjetër të Rusisë”, thotë Soldatov.

Më 18 janar, forcat e sigurisë në Makaçkala të Dagestanit kanë vrarë shtatë militantë të dyshuar. Një nga të vrarët ka qenë një 26-vjeçare, e ve e një militanti të vrarë.

Të ashtuquajturat të veja të zeza dhe terroristet e tjera femra nga Kaukazi Verior kanë kryer ose kanë qenë të përfshira në shumë sulme terroriste në Rusi qysh në vitin 2000. Në një nga incidentet më famëkeqe, një grua ka vrarë mbi 40 persona në metronë e Moskës, në shkurt të vitit 2004.

Duke folur me gazetarët në Soçi më 19 janar, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka shprehur besimin se Lojërat Olimpike do të jenë të sigurta.

“Detyra jonë, detyra e ogranizatorëve është të garantojnë siguri për pjesëmarrësit në Lojërat Olimpike dhe për mysafirët në këtë ngjarje sportive. Jemi duke bërë gjithçka për të arritur këtë”, ka thënë Putin.

Shtetet e Bashkuara janë duke bashkëpuniuar me Rusinë për sigurinë në Soçi. Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se dy anije të marinës amerikane në Detin e Zi dhe asete ajrore do të jenë në dispozicion, nëse kërkohet nga Moska.
Rusia ka vendosur më shumë se 40,000 forca të sigurisë në Soçi.

Analisti Soldatov thotë se çelësi i sigurisë nuk është vetëm në numrin e tillë të forcave.

“Sasia e forcave dhe e pajisjeve në Soçi nuk është çështja më e rëndësishme. E rëndësishme është cilësia e koordinimit, shkëmbimi i informacioneve mes tyre dhe aftësia e tyre për të marrë informacione vepruese”, thotë Soldatov.

Olimpiada në Soçi zhvillohet nga data 7 deri më 23 shkurt. (v.tela)