Hoxhaj: Numri i qytetarëve të Kosovës në Siri sillet nga 20 deri në 30

Enver Hoxhaj

"Duhet të shihet mundësia e marrjes së masave ligjore të ndryshimeve të ligjeve të caktuara, apo të Kodit Penal, se si të parandalohet një pjesëmarrje e tillë", thotë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hoxhaj, cilat janë informacionet që kanë institucionet e Kosovës lidhur me angazhimin e qytetarëve të Kosovës në luftën e Sirisë?

ENVER HOXHAJ
Ne, si Ministri e Punëve të Jashtme dhe unë si ministër, e kemi përcjellë këtë fenomen që nga fillimi dhe qasja e jonë ka qenë që realisht të parandalojmë lëvizje të tilla të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të njëjtën kohë, kam sugjeruar para disa muajsh që të shihet mundësia e marrjes së masave ligjore të ndryshimeve të ligjeve të caktuara, apo të Kodit Penal, se si të parandalohet një pjesëmarrje e tillë.

Fenomeni i pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës është i izoluar, i vogël, dhe sikurse të gjitha shtetet tjera të Bashkimit Evropian po ashtu edhe disa vende ballkanike, mjerisht ka edhe nga Kosova.

Mirëpo, numri i cili është prezantuar këto ditë në media se gjoja janë 150 (persona), është i pasaktë. Mund të jetë një numër shumë-shumë më i vogël, rreth 20 deri në 30 persona, të cilët aktualisht mund të jenë atje.

RADIO EVROPA E LIRË
Domethënë, sa i takon shifrave, ky është numri i qytetarëve që keni informacione se janë të angazhuar në atë pjesë të botës?

ENVER HOXHAJ
Ne kemi informata të sakta, gjegjësisht institucionet tjera të sigurisë kanë informata më të plota sesa që mund të ketë Ministria e Punëve të Jashtme; mirëpo numri, i cili është dhënë në mediat tona lokale, është padyshim i fryrë dhe mund të jetë fjala edhe për qytetarë që janë edhe nga Shqipëria, Maqedonia apo edhe nga vendet tjera të rajonit, por nuk janë nga Kosova.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë se Qeveria e Kosovës do të hartojë një ligj që do t’ua ndalojë qytetarëve të Kosovës pjesëmarrjen në luftëra jashtë vendit. Kur do të ndodhë kjo?

ENVER HOXHAJ
Ju e dini që inicimi i ligjeve të tilla bie mbi ministri dhe sektorë tjerë. Mirëpo, prej fillimit të paraqitjes së fenomenit të tillë, unë, si ministër, kam qenë shumë aktiv që të bisedoj me kolegët e mi dhe që t’i informoj ata se është e domosdoshme që të merren masa dhe të parandalohet një fenomen i tillë përmes amendamentimit të ligjeve të caktuara.

Se kur do të ndodhë, iu takon më shumë ministrive tjera që ta japin fjalën e tyre dhe mënyrën se si duhet të draftohen, qoftë Kodi ,penal qoftë ligjet e tjera - iu takon sektorëve të tjerë që ta japin fjalën e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit [vrasjet e raportuara], a do të punohet që të ketë një ligj të veçantë sa më shpejt?

ENVER HOXHAJ
Ajo, për të cilën ne kemi nevojë, është përtej situatës aktuale, rregullime ligjore që parandalojnë pjesëmarrjen e një qytetari të Kosovës në pjesë të ndryshme të botës në aktivitete luftarake dhe në këtë drejtim ka modele të ndryshme në pjesën perëndimore të botës.

Ka vende ku qytetarët e tillë ndiqen penalisht. Ka vende ku qytetarëve të tillë u merret shtetësia. Më së paku i takon ministrit të Jashtëm që të japë solucione dhe zgjidhje për probleme ligjore. Mirëpo, ekziston një vullnet politik dhe një gatishmëri që të jemi pranë institucioneve të tjera.

Edhe deklaratat e mia të fundit se Kosova nuk ka nevojë të eksportojë, e as të importojë islam - ne duhet ta kultivojmë dhe ruajmë islamin tradicional dhe duhet të krenohemi me vlerat tona dhe me identitetin tonë - kanë të bëjnë me fenomenin e njëjtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse mendoni se ata mund të përbëjnë kërcënim, pse duhet një ligj për ta?

ENVER HOXHAJ
Çështjet e kërcënimit dhe sigurisë i identifikojnë sektorët e tjerë, jo ministria e Jashtme. Ministria e Jashtme është vetëm përfaqësim i impulseve, i informatave, i analizave të sektorëve të tjerë, se si do të duhej të definohen i takon Ministrisë së Brendshme dhe agjencive përkatëse, më se paku ministrit të jashtëm, i cili nuk ka pamje të plotë për fenomene të tilla.